Miliona euro buxhet, lojtarë nga përfaqësueset e Austrisë, Kroacisë, Norvegjisë apo Japonisë, Izraelit e Perusë. Një skuadër që vlerësohet afro 50 milionë euro në merkato dhe një emër i madh në futbollin europian. Megjithatë, jo gjithçka që shkëlqen është flori. Ky është edhe rasti i Red Bull Salzburg. Pavarësisht se paraqiten si favoritë në sfidën me Partizanin, kampionët e Austrisë tashmë trembin më pak. Skuadra e drejtuar nga tekniku spanjoll Oscar Garcia është në kaos: nga mungesat e shumë lojtarëve te problemet brenda ekipit.
Shtatë lojtarë nuk do të luajnë në ndeshjen e kthimit me Demat e Kuq. Katër janë të dëmtuar, Yabo dhe Prevljak në gju dhe Miranda e Leitgeb në kavilje, Diadie Samassekou është i pezulluar, ndërsa sulmuesit Minamino nga Japonia dhe Hee Chan Hëang nga Republika e Koresë janë të angazhuar me skuadrat olimpike. Ndërkohë, prej problemeve në gju në dyshim është edhe mbrojtësi i ri francez, Dayot Upamecano.
Problemeve u shtohet ecuria e dobët e skuadrës në këtë fillim sezoni. Në dy ndeshje të Bundesligës austriake, Salzburg ka regjistruar një humbje dhe së fundmi barazimin në shtëpi ndaj Ëolfsberger. Një ecuri që nuk i ka kënaqur tifozët dhe opinionin, të cilët i kanë përkufizuar lojtarët e skuadrës si futbollistë të llastuar dhe të mirëpaguar, që nuk japin më të mirën në fushë.
Të gjithë këta elementë bëjnë që Partizani të besojë te kualifikimi në fazën play off të Champions League. Edhe pse në letër mbetet favorit, Salzburgu nuk është edhe aq i frikshëm.