Samitet, si një përpjekje e Ramës për ti ikur përgjegjësive për keqqeverisjen

Nga Stiliano Rushaj

Tirana këtë javë, u përpoq të ngjasonte me Brukselin, Vienën apo Gjenevën. Në fakt nuk kishte asgjë të ngjashme me to, as në shfaqje e as në përmbajtje sepse çdogjë ishte në funksion të Edi Ramës. Qartësisht ai kërkon ti largohet përgjegjësive dhe përballjes me keqqeverisjen e tij në vend, duke iu paraqitur ndërkombëtarëve si një faktor stabiliteti dhe aktor i nevojshëm i qasje Euro-Atlantike përkundrejt sfidave të sigurisë në kontinentin Europian.

Megjithatë, as marrëveshja në fund të samitit për Ukrainën e as takimi i rradhës për Planin e Rritjes, nuk prodhoi një dokument me peshë të qënësishme të politikës ndërkombëtare.

Edi Rama, edhe një herë u përpoq të shfaqej si një protagonist kyç për fatet dhe ardhmërinë e luftës së Ukrainës kundër Rusisë. A thua vallë se Shqipëria e Edi Ramës, mund të ndryshojë fatet e luftës në Ukrainë, duke mundur të armatosë ushtrinë qindra-mijëshe trupash ukrainase?

Një vend si Shqipëria e 2024, ku fermerët nuk mund të konkurojnë me prodhimet e tyre në tregun e brendshëm, për shkak të mungesës së subvencioneve të qeverisë dhe keqmenaxhimit të fondeve të ndihmës IPARD për bujqësinë; ku e vetmja industri përpunuese ajo e fasonerive me 75 mijë punonjës është drejt falimentimit për shkak të rritjes së kostove të prodhimit e cila ka ardhur kryesisht nga zhvlerësimi i euros në qarkullimin “cash”; apo dhe kur dhjetra e mijëra të rinj e profesionistë detyrohen të largohen nga vendi për shkak politikave penguese dhe tatimit të padrejtë.

Sigurisht vendi ynë si antar i NATO-s, ka detyrimin dhe duhet të luajë një rol konstruktiv brenda kapaciteteve logjistike e përgatitjes taktike të mbrojtjes, në qasjen e aleancës përkundrejt kërcënimeve të sigurisë që vijnë nga agresioni rus në Ukrainë.

Megjithatë, ky rol do të duhet të jetë dhe në lartësinë e një antari të NATO-s, të përmbushë kriterin politik, një demokraci funksionale në respekt të institucioneve dhe balancës së pushteteve.

Sakaq, e gjithë atmosfera vanitoze e samiteve të njëpasnjëshme që vendoste Edi Ramën në qëndër të saj, u venit kur ky i fundit u përballë me një të vërtetë të reporteri italian mbi detyrimin e arbitrazhit ndërkombëtar prej 130 milion eurosh që qeveria e Shqipërisë ia ka italianit Beccheti. Në fakt kjo është një pjesë e Shqipërisë së vërtetë dhe jo ajo sikundër u përpoq Kryeministri Rama ta projektonte gjatë këtyre dy ditëve të fundit.

Pothuajse prej dy vitesh kapitujt e parë mbi “Themeloret” për negociatat për antarësim nuk nisin të hapen, për të vetmen arsye: nuk plotësohen parakushtet për shkak të përkeqësimit të qeverisjes, mungesës së transparencës, llogaridhënies dhe korrupsionit. Abuzimet me fondet IPARD dhe bllokimi i tyre; kushte të reja me sanksione më të rrepta për abuzime me çdo fond financimi të BE; miratimi i ligjeve pa konsultim me partnerët – për kanabisin, zonat e mbrojtura, komisionet hetimore, etj., janë ndër arsyet kryesore se pse proçesi i negociatave për antarësim ende nuk ka nisur de facto.

Qartësisht nuk është për shkak “të dinamikave të brendshme të Europës”, sikundër pretendoi për 7 vite me rradhë KM Rama deri në mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare në 2022. Por për shkak të një qeverisje të kapur e një parlamenti qëllimisht jofunksional për të penguar llogaridhënien dhe debatin politik. Kryeministri Rama po tenton me çdo formë e mjet për ti ikur përballjes me së brendshmen, sfidës më të madhe të tij atë me drejtësinë. Ai refuzoi të merrte përgjegjësi kur gjysma e kabinetit të tij dhe njerëzit më të afërt në qeverisjen e tij një dekadëshe nisën të përballen me drejtësinë. Tanimë kur ai mund të jetë përballë saj, po përpiqet të luajë me kartën “ndërkombëtare”.

Exit mobile version