Përmirësimi i lidhshmërisë së transportit dhe lëvizshmëria më e madhe nxisin lidhjen dhe inkurajojnë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Evropian, promovojnë perspektivat ekonomike dhe kanë ndikim pozitiv në standardin e jetesës në rajon, shpalli Samiti për Lidhshmërinë i mbajtur në Budvë më 15 dhe 16 maj, organizuar nga CEFTA dhe Komuniteti i Transportit.
Samiti bashkoi ministra të transportit, drejtorë të autoriteteve doganore dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve fqinje anëtare të BE-së, si dhe vëzhgues në Komunitetin e Transportit (Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia). Pjesëmarrësit reflektuan mbi projektet e realizuara deri më tani dhe shkëmbyen mendime për dinamikat dhe horizontet e mëtejshme të bashkëpunimit, me qëllim të lidhjes më të mirë mes shteteve të rajonit në drejtim të transportit, sigurisë dhe lidhshmërisë infrastrukturore për të mirën e të gjithë banorëve të rajonit.
Drejtori i CEFTA-s z. Emir Gjikiq tha se Samiti ofron një shans për të shqyrtuar përfshirjen e ardhshme të organizatës në këtë fushë. Sipas z. Gjikiq, eliminimi i tarifave doganore është një hap i mirë fillestar në këtë drejtim, por duhet bërë më shumë për t’i bërë bizneset lokale konkurruese në tregun rajonal dhe më të gjerë evropian. Nga z. Gjikiq u theksua edhe rëndësia e ruajtjes dhe zgjerimit të Korsive të Gjelbra të krijuara gjatë pandemisë, si dhe sjellja e tyre më pranë kufirit evropian. Ai vuri në dukje se meqë Bashkimi Evropian merr 70% të eksporteve të CEFTA-s, kjo do të thotë se kamionët mund të lëvizin më shpejt si në kufijtë e brendshëm të rajonit ashtu edhe në kufijtë e BE-së. Ai theksoi rëndësinë e kësaj çështje për të gjithë anëtarët e CEFTA-s.
Qeveria e Shqipërisë është e përkushtuar ndaj rritjes së kapaciteteve, veçanërisht për transportin e pasagjerëve dhe mallrave, sipas znj. Enkelejda Muçaj, zëvendësministre e vendit për infrastrukturën dhe energjinë. Një nga objektivat parësore, sipas saj, është përmirësimi i kapaciteteve për lidhshmëri të sistemit në mënyrë që vendet dhe rajoni në përgjithësi të mund të lidhen më nga afër me Bashkimin Evropian. Sipas saj, kjo do të thotë se Shqipëria merr një qëndrim proaktiv ndaj zotimeve të marra dhe bën investime të konsiderueshme në infrastrukturë, si ndërtimi i rrugëve të reja dhe restaurimi i rrugëve dhe hekurudhave të vjetra. Me përmirësimin e sistemit dhe integrimin e rrjetit, tregu do të lidhet dhe integrohet në të mirë të ekonomisë dhe do të kemi trafik ekologjik, më të mençur dhe më të sigurt.
Samiti për Lidhshmërinë 2023 miratoi edhe Deklaratën e Përbashkët CEFTA-TCT “Avancimi i Korsive të Gjelbra”, për lehtësim të mëtejshëm të transportit dhe tregtisë me synimin për të reduktuar kohën e pritjes dhe për të përmirësuar efiçiencën e zinxhirëve logjistikë dhe të vlerës në BE.