Humbja me Sampdorian ka vënë në dyshim të ardhmen e Stefano Piolit në stolin e Interit. Pas një ecurie shumë pozitive trajneri italian ka humbur pikë në sytë e drejtuesve të klubit, sepse barazimi ndaj Torinos dhe sidomos disfata ndaj skuadrës doriane kanë përkeqësuar ndjeshëm pozitat e Interit në tabelën e klasifikimit dhe gjasat janë që Pioli të largohet në fund të këtij sezoni. Ëndrra e pronarit Zhang Jindong është t’ia besojë skuadrën një trajneri shumë të njohur dhe me eksperiencë, por me Konten që ka konfirmuar qëndrimin e tij te Chelsea dhe Diego Simeonen që do të vazhdojë aventurën me Atleticon e Madridit deri në vitin 2018, misioni nuk do të jetë i lehtë për drejtuesit e klubit zikaltër. Së fundmi në skenë kanë dalë dy emra të rinj si pasues të mundshëm të Piolit. Bëhet fjalë për një argjentinas dhe një italian, por ata nuk janë Simeone dhe Konte. Në listën e drejtorit sportiv Piero Ausilio kanë përfunduar emrat e Jorge Sampaolit dhe Luciano Spalletit. Ish-trajneri i Kilit ka bërë mirë me Sevillan në këtë sezon dhe mund të jetë njeriu i duhur për të rikthyer Interin në rrugën e sukseseve, ndërkohë përsa i përket Spalletit pasi i shkeli syrin Juventusit ky i fundit do të ishte i gatshëm të merrte edhe drejtimin e Interit. Spalletti nuk po rinovon kontratën e tij me Romën dhe nuk do të ishte çudi ta shihnim në krye të skuadrës milaneze.