Sampdoria e Atalanta, në 1/8 e Kupës së Italisë

Sampdoria dhe Atalanta u kualifikuan në 1/8 e Kupës së Italisë pas fitoreve ndaj Cagliarit dhe Pescarës. Në “Marassi”, Sampdoria nuk e pati shumë të vështirë përballë sardëve duke fituar 3-0 falë dhe një fillimi shumë të mirë. Goli i Alvarezit në minutën e 13-të i dha qetësinë e nevojshme skuadrës doriane, që menaxhoi mjaft mirë rezultatin deri në të 70-ën, kur ishte Schick që dyfishoi shifrat, ndërsa në të 91-ën, Schick shënoi dhe golin e dytë personal. Falë këtij suksesi, Sampdoria kaloi në raundin tjetër, ku iu bashkangjit, Atalantës që formën e mirë të kampionatit e tregoi dhe në Kupë, ku eliminoi pa shumë probleme Pescarën.
Skuadra bergamaske fitoi 3-0 përpara tifozerisë së saj, duke zgjidhur mjaft shpejt ndeshjen me Raimondin e Grassin që shënuan në 30 minutat e para të ndeshjes, ndërsa në fund realizoi dhe Pesic. 3 shqiptarët Maloku, Manaj e Memushaj e nisën ndeshjen nga stoli, me Rejin që u fut si zëvendësues që në minutën e 14-të, duke treguar se marrëdhëniet me trajnerin Oddo janë përmirësuar, ndërsa Memushaj u aktivizua në pjesën e dytë. Në 1/8 kaloi gjithashtu dhe Spezia, që mundi 1-0 Palermon, që pas kësaj sfide shkarkoi dhe trajnerin De Zerbi.

Exit mobile version