Sanksionet ekonomike

Në epokën tonë, arma e parë që shpaloset në kontestimet ndërshtetërore – kur diplomacia rezulton joefikase dhe, të paktën në fazën fillestare, kërkon që të shmangë përdorimin e instrumentave shtrëngues të tipit luftarak – është thuajse gjithmonë ajo që nuk shkakton gjakderdhje. Por për këtë jo më pak e rrezikshme për atë që e pëson: sanksioni ekonomik.

Siç do ta shohim, ajo zbatohet në modalitete të ndryshme, sin ë emër kolektiv nga ana e organizmave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, ashtu edhe në formë unilaterale nga ana e vendeve të veçanta apo të grupimeve mbikombëtare, si Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Europian. Bëhet fjalë për një mjet presioni (përgjithësisht i përkohshëm, por ka edhe raste me jetëgjatësi shumëvjeçare ose, si për Korenë Veriut, Kubën dhe Iranin, deri disadekadëshe) të përdorur paralelisht me zhvillimin e negociatave diplomatike tradicionale apo thjesht si bashkëveprim për të siguruar finalitete të sakta politike.

Politika ndërkombëtare e kohëve të fundit na jep shembuj sanksionesh politiko – ekonomike gjithnjë e më të shpeshta: gjatë mandatit të tij të parë të tij, në 4 vjeçarin 1992 – 1996, Presidenti amerikan Bill Clinton vendosi masa unilaterale ndaj 33 vendeve që përfaqësonin 42% të popullsisë botërore. Riprova më evidente janë ndodhitë e fundit në raportet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë, Korenë e Veriut dhe, në javët e kaluara, me Iranin e dhe Venezuelën, të dominuara nga masa shtrënguese të marra në mënyrë të përsëritur nga Uashingtoni.

Duke perifrazuar Carl von Clausewitz, polemologun e famshëm gjerman, mund të pohohet se sanksionet «nuk janë gjë tjetër veçse bashkimi i politikës me mjete të tjera», përpara drejtimit të një konflikti të hapur, duke zbatuar atë që tashmë përkuffizohet rëndom si “diplomacia shtrënguese”. Për masa të ndryshme kufizimi selektiv apo bllokimi të raporteve ekonomiko – tregëtare dhe/ose diplomatiko – ushtarake, në fakt u drejtohet përgjithësisht Kombeve të Bashkuara dhe masa të tilla duhet të miratohen nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit, me votë shumice dhe pa veton e 5 anëtarëve të përhershëm.

Ose vendosen nga një ose më shumë vende (për shembull, Shtetet e Bashkuara ose Bashkimi Europian) ndaj një shteti tjetër (por edhe kundër kompanive të mëdha prodhuese apo deri qytetarëve të veçantë të tij, përgjithësisht drejtues publikë, politikanë apo biznesmenë, nëpërmjet dekretesh selektive të hartuara ad hoc) i konsideruar fajtor pse ka shkelur të drejtën ndërkombëtare apo se është njollosur me krime politiko – ushtarake apo ekonomike të rënda (mbështetje të terrorizmit ndërkombëtar, proliferim armësh bërthamore, riciklim parashë frut trafiqesh të paligjshme, represione të përgjakshme të brendshme të drejtash civile dhe njerëzore apo pakicave etnike, agresione ushtarake ndaj vendeve të treta). Thënë më thjesht: se pengojnë projektet politike e atyre që vendosin sanksionet.

Një histori mijëvjeçare
Pavarësisht se përdorimi aktual gjithnjë e më i shpeshtë të bën t’i konsiderosh një instrument politik bashkëkohor, në realitet përdorimi i sanksioneve është shumë i lashtë. Rasti i parë klasik konsiderohet në fakt dekreti i Megaras me të cilin Athina vendosi ndalimin e tregëtimit të produkteve të ndryshme dhe bllokimin detar e qytetit fqinj rival, që nga viti 432 B.C. qe midis shkaqeve që çuan në shpërthimin e Luftës së Dytë të Peloponezit.

Pak të zbatuara në shekujt e mëpasëm, tek ato u kthye në fillimet e ‘800, kur Napoleoni deklaroi bllokimin kontinental (1806), me ndalimin e tregëtisë me Britaninë e Madhe të vendosur ndaj të gjitha shteteve europiane. Një vit më vonë Presidenti Thomas Jefferson shpalli Embargo Act, me të cilin Shtetet e Bashkuara hiqnin dorë nga shkëmbimet me Francën dhe Britaninë e Madhe për të shmangur që të përfshiheshin në konfliktin e gjatë europian.

Edhe Italia në shekullin e kaluar ka pasur “nderin” që t’i eksperimentojë sanksionet ekonomike në mesin e viteve ‘30. Ama të korrigjuara nga fjala të “padrejta”, e krijuar nga regjimi fashist, që e përdori si armë efikase kundërpropagande të brendshme. Të vendosura nga Lidhja e Kombeve në vijim të sulmit ushtarak italian ndaj Etiopisë, më pas pushtimit të saj dhe të miratuara nga 50 vende anëtare të organizatës (por Austria, Hungaria e Shqipëria abstenuan, ndërsa Spanja dhe Jugosllavia, megjithëse zyrtarisht në favor, i komunikuan Romës nëpërmjet kanalesh të fshehta se nuk do t’i zbatonin), mbetën në fuqi për një kohë pakashumë të shkurtër, nga 18 nëntori 1935 në 4 korrik 1936.

Ato parashikonin ndalimin e eksportimit të prodhimeve italiane dhe të importit të materiale të dobishme luftarake, por nga lista u përjashtuan çuditërisht qymyri dhe nafta, dy zëra jetikë për aparatin ushtarak e industrial italian, me justifikimin se gjithësesi do të mund të siguroheshin nga vende prodhuese të rëndësishme eksportuese jo anëtarë të Lidhjes si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.

Pak vite më pas, fillimisht më 1940 e më pas më 1941, Shtetet e Bashkuara morën kundër Japonisë një seri embargosh mbi shitjet e naftës dhe të mineraleve të ndryshme strategjike, të shoqëruara nga “ngrirja” e pronave që Tokio zotëronte në Shtetet e Bashkuara, për shkak të ndalimit të munguar të luftës së dytë të pushtimit kundër Kinës të shpërthyer prej saj më 1937. Këto masa që e ngadalësonin fuqimisht funksionimin e makinës prodhuese dhe luftarake japoneze, qenë ndër shkaqet kryesore që shkaktuan sulmin aereo – detar japonez mbi Pearl Harbour dhe hyrjen pasuese amerikane në Luftën e Dytë Botërore.

Instrument përdorimi në rritje
Në pasLuftën e Dytë Botërore qenë Kombet e Bashkuara, që kishin zënë vendin e Lidhjes së Kombeve, ato që e rimorën përdorimin e vendosjes së sanksioneve në emër kolektiv, duke ia vendosur Koresë së Veriut (qysh atëhere të parevokuara ndonjëherë, bile të forcuara në mënyrë konstante pas 2006) pse në qershorin e 1950 ka pushtuar Korenë e Jugut.

Më pas, në vitin 1959, qenë Shtetet e Bashkuara ato që miratuan masa unilaterale ndaj Kubës prej shtetëzimeve pa shpërblim të kryera nga qeveria e Fidel Castro në dëm të disa kompanive amerikane që kontrollonin mbi 2/3 e ekonomisë së ishullit, të kulmuara në një bllokim detar të zgjatur 1 muaj gjatë fazës më akute të së ashtuquajturës “krizë e raketave” midis Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Sovjetik në tetorin e 1962, dhe akoma sot në pjesën më të madhe në fuqi.

Në vijim qe radha e sanksioneve të miratuara në 1963 kundër regjimit të bardhë segregacionist të Afrikës së Jugut, nëpërmjet një rezolute të Kombeve të Bashkuara që ndalonte shitjen e armëve dhe të materialit luftarak. Duke parë efikasitetin e paktë të masave të mëparshme, më 1979 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i ftoi shtetet anëtare dhe ndërmarrjet shumëkombëshe që të ndërpresin çdo raport diplomatic, ushtarak, ekonomik, financiar dhe bërthamor me Pretorian.

Instrumenti më i vlefshëm rezultoi bllokimi i eksporteve të naftës, edhe pse vendi qe në gjendje që të zhvillojë – në shkallë të gjerë dhe me efikasitet të lartë prodhues – distilimin e naftës nga qymyri, të cilit i disponon rezerva të mëdha. Bazë të ngjashme juridiko – diplomatike patën sanksionet ekonomike që Kombet e Bashkuara vendosën nga 1965 më 1979 për të kundërshtuar pavarësinë unilaterale nga Britania e Madhe e shpallur nga një tjetër regjim segregacionist, ai i Rodezisë së Jugut, nën udhëheqjen e Jan Smith.

Më të afërta me ne janë sanksionet e vendosura prej Perëndimit ndaj Iranit në vijim të lindjes së regjimit islamik më 1979, të formalizuara më 2007 pas nisjes së aktivitetit të pasurimit të uraniumit – zyrtarisht për përdorime civile, por (u tha) me finalitete të mundshme ushtarake – dhe më pas të zgjeruara progresivisht në dekadën e mëpasme. Sanksione të tilla janë pezulluar dora dorës pas janarit 2016 si pasojë e nënshkrimit të marrëveshjes JCPOA (Joint Comprehensive Plan of Action), e miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së me Rezolutën, që ia nënshtrojnë kontrollit ndërkombëtar aktivitetet bërthamore të Teheranit, por rifutja e tyre, graduale, por masive, është njoftuar nga Shtetet e Bashkuara më 12 maj të këtij viti. Me këtë lëvizje synohen që të denoncohet unilateralisht një marrëveshje e tillë pasi Teherani, që megjithatë i është përmbajtur fjalë për fjalë marrëveshjes, siç e ka pranuar Bashkimi Europian dhe siç e kanë konfirmuar inspektimet sistematike e kontrollit nga ana e AIEA-s (Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike), sipas Uashingtonit, nuk ia respekton “frymën”, por sidomos nuk synon që të kufizojë zhvillimin e arsenalit të tij raketor dhe të tërheqë mbështetjen ushtarake të dhënë qeverisë siriane të Bashar al-Assad. Probleme këto të fundit që janë të huaja për vetë marrëveshjen, arësyeja e vërtetë e tërheqjes amerikane nga marrëveshja (me një diskutim krejtësisht të diskutueshëm në planin e së drejtës ndërkombëtare) gjithësesi duhet kërkuar në faktin që sot administrate Trump e gjykon jashtëzakonisht të dëmshëm për interesat amerikane, por sidomos për atë të aleatëve të tij më besnikë në Lindje të Mesme, Izraelit dhe Arabisë Saudite.

Sanksione më të ashpra qenë ato të vendosura ndaj Irakut të Saddam Hussein pas pushtimit të Kuvajtit në gushtin e 1990 dhe të hequra vetëm pas pushtimit amerikan të marsit 2003, që nuk arritën të kenë sukses në qëllimin e përmbysjes së Raisit iraken, por prodhuan një denutricion të vërtetë masiv dhe përhapjen e sëmundjeve të ndryshme midis popullsisë irakene, me një bilanc të vlerësuar midis 670 e 880 mijë të vdekurve vetëm midis fëmijëve. Edhe ato të vendosura ndaj Serbisë më 1992, prej represionit të kryer në Kosovë, nuk prodhuan efektet e shpresuara dhe ato shpejt i pasoi një sulm shkatërrimtar ushtarak i NATO-s kundër shtetit ballkanik.

Bumi bashkëkohor i sanksioneve lind me shpërthimin e krizave në Ukrainë dhe Korenë e Veriut. Në rastin e parë Rusia, përgjegjëse e aneksimit të Krimesë në marsin e 2014 (pas largimit të errët të qeverisë legjitime ukrainase të Viktor Janukoviçit për shkak të Euromaidanit në Kiev dhe zëvendësimit të tij me Petro Poroshenkon) dhe se ka nxitur rebelimin e rajonit lindor të Donbasit, në pjesën më të madhe e banuara nga popullsi rusishtfolëse armiqësore ndaj kthesës properëndimore të vendit, i është nënshtruar sanksioneve ekonomike me ashpërsi në rritje nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, në të cilat janë ripërfshirë oligarkë të veçantë rusë (të cilëve, veç masave të tjera shtrënguese, u është ndaluar hyrja në vende të ndryshme perëndimore).

Ato i kanë pasuar sanksione të tjera të lidhura me motive nga më të ndryshmet: akuzat e përsëritura ndaj Rusisë se ka kërkuar që të manipulojë zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016; kibernosulmet e përsëritura ndaj kompanive dhe ministrive amerikane që, sipas uashingtonit, të çojnë në ente paraqeveritare ruse; shkelja e të drejtave të njeriut dhe politike në vend; helmimi i supozuar i Sergei Skripal, një ish agjent sekret rus i strehuar në Britaninë e Madhe, dhe i vajzës së tij Yulia dhe, së fundi, akuzat e bashkëpunimit me qeverinë siriane të al Assad në sulmet e supozuara kimike kundër rebelëve prislamistë. Në fakt, të gjitha akuza që çojnë në keqësimin e vazhdueshëm e raporteve bilaterale ruso – amerikane, që të bëjnë tashmë të mendosh për një rihapje të një faze të re të Luftës së Ftohtë. Por, ndoshta, nuk mjafton akoma: pas sulmit të fundit kimik në qyteti sirian Douma – të ndodhur më 7 prill, për të cilin është akuzuar sërish al Assad dhe, për pasojë, prej një lloj përgjegjësie objektive tranzitore, edhe Kremlini – Nikki Haley, Përfaqësuesja amerikane në Kombet e Bashkuara, ka njoftuar masa të mëtejshme ndëshkuese ndaj Moskës, për më tepër jo akoma materialisht të zbatuara.

Në rastin e Koresë së Veriut, nën embargo prej 68 vitesh (dhe kjo shpjegon, të paktën pjesërisht, nivelin shumë të ulët të jetesës së banorëve të saj), vendi ka pësuar një kufizimesh progresive të shkëmbimeve ndërkombëtare dhe të transaksioneve financiare, të theksuara gjatë muajve të fundit në përgjigje të eksperimenteve të shumra bërthamore dhe lëshimit të raketave me rreze të gjatë të kryera gjatë gjithë 2017.

Në fakt, Pheniani ka parë që t’i bllokohen 90% e importeve të naftës dhe e gjithë tregëtia e jashtme, në hyrje e në dalje, pse jo edhe çdo lidhje financiare me botën e jashtme. Anipse, falë veprimeve të ndryshme (kalim mallrash nën embargo midis anijesh në det të hapur, kamuflime njësishë detare, përdorim sistematik flamujsh – hije) dhe – sipas administratës amerikane – edhe prej bashkëpunimesh të heshtura me Rusinë dhe Kinën, që duket ta vazhdojnë të furnizojnë Korenë e Veriut me mallra të nevojshme, edhe pse në sasi më të pakëta se dikur, ajo ka arritur deri më tani që t’i tejkalojë vështirësitë e shkaktuara nga sanksionet shumë të ashpra.

Aq sa lideri Kim Jong – Un, me një bezdi të hapur, ka mohuar se kanë qenë efektet e embargo ndërkombëtare ato që e kanë shtyrë të ndërmarrë rrugën e negociatave me Perëndimin, duke pranuar ta takojë Presidentin amerikan Donald Trump për të diskutuar për denuklearizimin e Gadishullit Korean. Së fundi, duhen kujtuar sanksionet e marra kundër Katarit në korrikun e 2017 nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti, që kanë ndërprerë edhe raportet diplomatike me vendin “vëlla”, i akuzuar se financon grupe ekstremiste islamike, por sidomos e është ngurrues që të ndërpresë raportet e tij të mira politiko – ekonomike me Iranin.

Qysh atëhere, katari është i izoluar në planin e komunikimeve aero – detare dhe u është nënshtruar sanksioneve të rrepta financiare, turistike e tregëtare, por deri më tani ka refuzuar që t’u përmbahet 12 kërkesave politiko – diplomatike të formuluara ndaj tij, midis të cilave mbyllja e bazës ushtarake që po ndërtonte Turqia, bllokimin e kanalit televiziv Al-Jazeera, me seli në Doha (më i ndjekur i Lindjes së Mesme), ndërprerjen e çdo ndihme ndaj grupeve të supozuara terroriste që kanë gjetur strehim në vend (Vëllazëria Myslimane dhe Hizballahu) dhe dorëzimi i anëtarëve të tyre.

Shumë sektorë dhe shumë zbatime
Ky ekskursion i shkurtër historik zbulon sesa janë të ndryshëm instrumentat dhe modalitetet me të cilat organizatat botërore apo shtetet e veçanta godasin sjelljet e të tjerëve të papëlqyeshme nga pikëpamja politike. por duke gjeneruar një kaos të vërtetë normash të adoptuara dhe vendesh të goditura. Në sintezë ekstreme, zbatohen sanksione në fushën:

Diplomatike. Bëhet fjalë për masa me të cilat kufizohen apo deri ndërpriten marrëdhëniet zyrtare midis vendeve, me reduktim numerik (zakonisht në formë reciproke dhe për një periudhë kohore disa mujore) të personelit të kredituar deri, në raste ekstreme, në mbylljen për një kohë të papërcaktuar të ambasadave dhe/ose selive të rëndësishme konsullore. Me këto instrumenta synohet që të shprehet dënimi për qasjen politike të mbajtur nga vendi i goditur, pa ndërhyrë në fushat ekonomike dhe ushtarake. Shembulli i vonshëm më i rëndësishëm është shkurtimi drastik i numrit të diplomatëve rusë të akredituar (mbi 100, nga ku 60 vetëm nga ana e Shteteve të Bashkuar), me të cilën Perëndimi ka reaguar nga helmimit të supozuar të sipërpërmendur në Britaninë e Madhe të ish spiunit rus Sergej Skripal dhe vajzës së tij.

Ushtarake. Masa parashikohet që ta pengojë një vend (ose, në rast konfliktesh civile, një fraksion ndërluftues) të vazhdojë në luftëra agresioni, të praktikojë aksione terroriste të brendshme apo ndërkombëtare ose të marrë masa repressive kundër shtetasve të vet, në përgjithësi pakica etnike apo fetare. Por ka edhe qëllimin që t’i mundësojë një vendi të deklarohet neutral përballë një konflikti, sin ë rastin e tashmë të kujtuarit Embargo Act, miratuar më 1807 nga Shtetet e Bashkuara kundër Francës dhe Britanisë së Madhe.

llokumi i furnizimeve ushtarake zbaothet edhe ndaj teknologjive me aplikime “dual use” (ushtarak dhe civil), duke goditur kështu në masë të konsiderueshme shkëmbimet tregëtare ndërkombëtare. Sipas dative të dhëna nga SIPRI (Stockholm International Peace Research Institute) për të gjithë 2017, Kombet e Bashkuara kanë rikonfirmuar sanksione ushtarake ndaj forcave guerrilase aktive në Republikën e Afrikës Qendrore dhe kundër rebelëve houthi në Jemen, të miratuara në 2015 (Rezoluta 2216). Në mënyrë të ngjashme, Bashkimi Europian e ka shtyrë edhe për një vit embargon mbi armatimet ndaj Bjellorusisë, Zimbabves dhe Mianmarit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbajnë prej afërsisht 30 vitesh (megjithëse mbi dyshime të mëdha që gëlojnë në Kontinentin e Vjetër) ndalimin e eksportimit të armëve në Kinë, si pasojë shtypjes së egër të protestave popullore në Sheshin Tien An Men të ndodhur në Pekin në qershorin 1989.

Sportive. Masat ndëshkuese në këtë fushë parashikojnë tërheqjen e një skuadre kombëtare (apo të klubeve të veçanta) nga manifestime të rëndësishme me impakt të madh mediatik, si Lojëra Olimpike dhe kampionate botërore apo kontinentale në sporte të ndryshme. Efekti që synojnë të arrijnë është psikologjik, përveçse praktik (varfërimi me pjesëmarrës i kompeticioneve nga ku vendi i goditur tenton të nxjerrë prestigj ndërkombëtare), pasi synojnë ta marxhinalizojnë atë që i pëson. Shembulli më i njohur është bojkotimi i Olimpiadës së Msokës më 1980 – promovuar nga Shtetet e Bashkuara me aderimin e thuajse të gjithë Perëndimit – për të protestuar kundër pushtimit sovjetik të Afganistanit. Në shenja hakmarrje, qe Bashkimi Sovjetik, pasuar nga të gjitha vendet aleate të tij, që refuzuan të marrin pjesë në Olimpiadën e Los Angeles më 1984. Në vitet ’70 e ’80 të shekullit të kaluar skuadra të ndryshome jugafrikane u ndaluan që të garojnë nëpër Olimpiada, lojëra të Commonwealth dhe në kampionate botërore rregbie (sport shumë popullor në vend) prej politikës së aparteidit të praktikuar nga regjimi segregacionist i Pretorias deri më 1993.

Ekonomike: kjo sferë zbatimi mund të ndahet në 5 tipologji të mëdha:
Tarifa: bëhet fjalë për tarifa të larta mbi importet e ardhura nga vendet e sanksionuara. Sektori është në qendër të vëmendjes botërore pas rritjes së tarifave të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj produkteve të ndryshme të prodhuara në Kinë (në radhë të parë, çelik dhe alumin) dhe shpagimeve të tyre në fazë adoptimi.

2) Kuota: shërbejnë për të kufizuar nga pikëpamja sasiore mallrat e shkëmbyera me një vend.
3) Embargo: është një kufizim tregëtar që e pengon një vend të shkëmbejë mallra me një tjetër. Ka të bëjë gjithnjë e më shpesh edhe me individë, kompani dhe banka të veçanta.
4) Barriera jotarifore: janë rregullime jofiskale të tregëtisë së jashtme që kanë për qëllim të kufizojnë qarkullimin e mallrave të vendit të goditur, në mënyrë të veçantë që t’i frenojë importet. Për shembull, mund të marrin pamjet e normave teknike ultra të detajuara rreth konfeksionit, prejardhjes, përbërjes, afatit të skadimit të produkteve etj., ku vetëm kontrolli i konformitetit është në gjendje që ta bllokojë për një kohë të gjatë një mall në dogana, duke i shkaktuar një dëm të madh.

5) Ngrirje dhe/ose sekuestrim të mallrave (edhe financiare) që u përkasin vendeve të treta.

Degjenerim i sistemit
Një barabrazim në kuptimin e vërtetë të fjalës i “problemit – sanksione” përbëhet nga fakti që, siç e kemi cekur tashmë, nuk janë vetëm Kombet e Bashkuara ato që i vendosin në emër të interesit kolektiv të komunitetit ndërkombëtar, por edhe grupe shtetesh – siç është rasti i Bashkimit Europian – apo deri edhe një i vetëm. Referimi është i qartë: Shtetet e Bashkuara. Natyrisht që veprojnë mbi bazën e interesit të tyre ekskluziv, duke e shtuar dora dorës numrin e vendeve të goditura, me rënduesin e mëtejshëm të përbërë nga ekstraterritorialiteti i vendimeve juridiko – politike të marra kundër vendeve të treta që nuk kanë ndërmend të aderojnë në bojkotime të vendosura unilateralisht: ndalimet dhe gjobat amerikane nuk vlerë jo vetëm brenda kufijve kombëtarë, por erga omnes, domethënë në të gjithë planetin. Do të jetë ky rasti i kompanive europiane (sidomos franceze, gjermane dhe italiane) që do të refuzonin t’u përmbaheshin masave kufizuese të vendosura javët e kaluara nga Administrata Trump kundër Iranit, duke humbur kontrata prej dhjetëra miliarda dollarësh.

Në të kaluarën e vonshme, Uashingtoni ka arritur në fakt që vendosë gjoba edhe stratosferike – si ajo prej 8.9 miliard dollarësh të vënë Paribas më 2014 me akuzën se kishte pranuar të ndërmjetësonte disa transaksione me Teheranin. Megjithëse kjo rezulton totalisht e paligjshme, pasi shkel sovranitetin e vendeve të goditura dhe normat më të zakonshme juridike ndërkombëtare. Michel Sapin, Ministri i atëhershëm francez i Financave, u ankua se «ekstraterritorialiteti i modeleve amerikane, lidhur me përdorimin [global] të dollarit, duhet ta shtyjë Europën që të mobilizohet që ta favorizojë përdorimin e euros si valutë me përdorim ndërkombëtar» për të luftuar «parregullsi» të ngjashme.

Ftesë e ngjashme, në rastin iranian, ka ardhur jkohë më parë nga ekonomisti i famshëm Jeffrey Sachs, sipas të cilit «Europës i duhet të përballojë sanksionet ekstraterritoriale të Amerikës». «Një gjë është që Shtetet e Bashkuara të vendosin që të mos kenë marrëdhënie tregëtare me Iranin. Një tjetër është që qeveria amerikane të tentojë të bllokojë shkëmbimet tregëtare e vendeve të tjera me të… Problemi i vërtetë do të jenë kompanitë amerikane që operojnë jashtë Shteteve të Bashkuara dhe që ndërveprojnë me Iranin nëpërmjet valutave të ndryshme nga dollari, si euro apo renminbi.

Sigurisht që Shtetet e Bashkuara do të tentojnë që t’i ndëshkojnë kompani të tilla, duke synuar në degët vendore, duke kërkuar që t’i nxjerrin para gjykatave [natyrisht amerikane, shënimi im.] ose duke u mohuar aksesin në tregun amerikan. Dhe është këtu që Bashkimi Europian duhet të tregojë një pozicionim të vendosur dhe të bëjë një lëvizje që shkon përtej lutjes Trump për “përjashtime” ndaj marrëveshjeve tregëtare specifike europiane, një proces që do t’i bënte vendet europiane edhe më të nënshtruara ndaj kapriçove të tij. Europa duhet të shqiptojë një “jo” të vendosur dhe të paekuivok ndaj sanksioneve ekstraterritoriale amerikane, sidomos për kompanitë që operojnë me valuta të ndryshme nga dollari… Paqja botërore varet nga aftësia e Europës për të mbrojtur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe rregullat e tregëtisë ndërkombëtare».

Vërtet vlejnë sanksionet? Në këtë pikë duhet që të bëhet një pyetje kyçe mbi të gjithë systemin sanksionues: është vërtet i dobishëm për të arritur finalitet që deklaron? Në pamje të parë, përgjigja duket të jetë pozitive, duke parë përdorimin në rritje që u bëhet. Për shembull, Presidenti Donald Trump, siç e kemi cekur tashmë, është i bindur se diktatori koreanoverior Kim Jong Un ka vendosur të negociojë dhe ta takojë – duke hequr dorë (ndoshta) nga ëndërrat e tij bërthamore – pikërisht falë sanksioneve drastike dhe gjithnjë e më shtrënguese që Shtetet e Bashkuara kanë arritur të vendosin nëpërmjet Kombeve të Bashkuara.

Në të vërtetë, thekson Emily Cashen në “World Finance”, «sipas një studimi të kryer midis viteve 1915 e 2006, sanksionet kanë pasur sukses vetëm në 30% të rasteve». Edhe pse, sa më shumë që janë të përgjithshme dhe gjenerike, aq më i vogël është probabiliteti që të prodhojnë një rezultat pozitiv: përvoja e dekadave të fundit na mëson se ndalimi i përdorimit në sektorë të caktuar dhe specifikë, ku një vend tregon ndjeshmëri të dukshme, mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme dhe, për pasojë, të rezultojë më efikas. Një faktor tjetër që implikon një arritje të favorshme është të godasësh një vend me përmasa të vogla, fuqimisht i varur nga jashtë për zërat e rëndësishëm e shkëmbimeve të tij, pasi kjo e rrit ndjeshëm impaktin e masave.

Koreja e Veriut mund të përbëjë një prej shembujve më të mirë, ndërsa sanksionet e vendosura “kontinentit – Rusi”, pavarësisht se shumë herë të forcuara, kanë demonstruar një vlefshmëri shumë të ulët. Ralph Peters, komentator i njohur i “New York Post”, ka hartuar një kod të shkurtër efikasiteti:
– Sanksionet funksionojnë më mirë në kuadër të një “pakete” masash më të gjerë: janë instrument, jo zgjidhja e vetme e përdorshme
– Sanksionet funksionojnë vetëm nëse drejtohen kundër një shtet drejtuesit e të cilit duhet t’u japin llogari popullit të tyre (kështu, demokracitë rezultojnë shumë më të dobëta se regjimet autoritare)
– Sanksionet (siç kanë ndodhur në Kubë) nuk funksionojnë në rast se vendi i goditur gëzon mbrojtje të jashtme, që ia dobësojnë efektshmërinë me mbështetjen e tyre politiko – ekonomiko – tregëtare
– Sanksionet “punojnë” ngadalë: duhet të disponojnë kohë të mjaftueshme me qëllim që japin rezultate të prekshme.

Në thelb, një sintezë e mirë e potencialiteteve të instrumentit është krijuar nga përkufizimi i përpunuar prej Sambit Panigrahi i Indian Institute of Foreign Trade në New Delhi: «Sanksionet janë si shkrepsja: mund të digjen me shpejtësi duke përfunduar në asgjë, ama mund edhe të shkaktojnë zjarre të pakontrollueshme».
(nga Affari Esteri)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakBisedë kolosësh të artit: Gabriel Garcia Marquez dhe Akira Kurosawa
Artikulli tjetër“Nji komb nji flamur”, ky është urimi i Dua Lipës për Ditën e Pavarësisë