Sanksionet ndërkombëtare bëjnë bashkë Rusinë dhe Iranin, dy vendet bien dakord për një bashkëpunim 20-vjeçar! Çfarë parashikohet

Sanksionet e rrepta ndërkombëtare rëndojnë si mbi Rusinë edhe Iranin. Tani të dyja vendet ranë dakord për një bashkëpunim më të ngushtë për 20 vitet e ardhshme. Bashkëpunimi përfshin edhe fushën ushtarake.

Rusia dhe Irani duan të thellojnë bashkëpunimin e tyre ushtarak dhe ekonomik për 20 vitet e ardhshme. Gjatë vizitës së tij në Moskë, presidenti iranian Masud Peseshkian nënshkroi një marrëveshje partneriteti strategjik me presidentin rus, Vladimir Putin. Lajmi u transmetua nga televizioni shtetëror iranian.

Ekspertët e konsiderojnë bashkëpunimin edhe si një përgjigje ndaj izolimit politik në rritje të të dy vendeve, i cili është rritur ndjeshëm që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës. Sanksionet e rrepta ndërkombëtare përbëjnë një barrë të rëndë për ekonomitë dhe sistemet financiare të Moskës dhe të Teheranit.

Më shumë bashkëpunim ushtarako-teknik
Sipas njoftimeve të mediave marrëveshja prej 47 nenesh përfshin bashkëpunimin në fusha të tilla si ushtria, politika, tregtia, kërkimi, arsimi dhe kultura. Marrëveshja vjen në një kohë trazirash politike në Lindjen e Mesme dhe pak para ceremonisë së fillimit nga detyra të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Pas vitesh negociatash tepër sekrete tani janë bërë publike vetëm disa detaje të marrëveshjes. Sipas një versioni të marrëveshjes të publikuar nga media shtetërore iraniane të dyja vendet duan p.sh. të zgjerojnë ndër të tjera bashkëpunimin midis shërbimeve të tyre sekrete dhe institucioneve të sigurisë.

Në fushën e mbrojtjes, Moska dhe Teherani riafirmojnë angazhimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ushtarako-teknik. Një tjetër nen i marrëveshjes parashikon bashkëpunim në fushën e “rendit publik”./DW

Exit mobile version