Sapo mbarojnë zgjedhjet, qeveria heq maskën/ Formalizon kritikat ndaj SPAK-ut

Nga Dallandyshe Xhaferri/ shteg.org

Në një klimë gjithnjë e më të tensionuar mes ekzekutivit dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), dita e 19 majit 2025 solli një tjetër kapitull në betejën për kontrollin e drejtësisë në Shqipëri. Në sallën e Prokurorisë së Përgjithshme, kreu i SPAK, Altin Dumani, dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u përballën me një diskutim rreth rekomandimeve që Qeveria i ka adresuar për funksionimin e Strukturës së Posaçme gjatë vitit 2025.

Qeveria, nëpërmjet Këshillit të Ministrave, ka përgatitur tetë fusha rekomandimesh që sipas ministrit Manja janë të matshme dhe të zbatueshme. Këto rekomandime përfshijnë fusha të rëndësishme, nga sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut, deri te forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ngritja e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimi i metodave bashkëkohore të hetimit.

Rekomandimet e qeverisë

Qeveria SPAK
Credits: shteg.org

Më 19 maj, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja shkoi në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për t’i dorëzuar zyrtarisht kreut të SPAK, Altin Dumani, dokumentin me “Rekomandimet e hartuara nga Këshilli i Ministrave për vazhdimësinë e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme për vitin 2025”.

Në një deklaratë për mediat, Ministri Manja sqaroi se këto rekomandime përfshijnë 8 fusha të ndryshme të luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe se, sipas tij, janë “të matshme, të zbatueshme dhe të hartuara në përputhje me prioritetet e shtetit ligjor”.

Që në hyrje të rekomandimeve, Qeveria kërkon të kufizohet përdorimi i arrestimeve, duke nxitur masat alternative të sigurisë si arresti në shtëpi apo garanci pasurore, për të shmangur, sipas saj, mbingarkesën e institucioneve të ndalimit. Po ashtu, theksohet se SPAK duhet të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dhe të ketë më shumë “maturim në vendimmarrje”.

Në dokument bien në sy se janë përfshirë të gjitha akuzat dhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama, të bëra muaj më parë, në kulmin e hetimeve dhe arrestimeve që prekën edhe emra të njohur të mazhorancës, përfshirë kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në atë kohë, Rama dilte disa herë në ditë për të kritikuar SPAK, duke e akuzuar për “abuzim me pushtetin”, “shkelje të standardeve ndërkombëtare” dhe duke kërkuar “kujdes me masat e sigurisë” si dhe “më shumë kontroll institucional”.

“Në punën e SPAK-ut ka probleme që nuk shkojnë… e konsideroj të mbyllur fazën ‘no comment’. Ne do të ndërtojmë një qëndrim konstruktiv, do të bëjmë sa më shumë që jemi në gjendje për gjërat që nuk funksionojnë siç duhet,” – tha Rama tre muaj më parë, në rubrikën “Sy m’Sy”, ndërkohë që luftën ndaj korrupsionit e cilësonte vullnet të Partisë Socialiste dhe jo i SPAK, duke u sjellur ndjekësve të tij si shembull momentin kur Dumani kishte në dorë dosjen e ‘21 Janarit” nuk kishtë bërë asgjë.

Qeveria kërkon të kufizohet përdorimi i arrestimeve, duke nxitur masat alternative të sigurisë si arresti në shtëpi apo garanci pasurore, për të shmangur, sipas saj, mbingarkesën e institucioneve të ndalimit. Po ashtu, theksohet se SPAK duhet të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dhe të ketë më shumë “maturim në vendimmarrje”.

Në mënyrë të veçantë, vëmendje i është kushtuar ngritjes së një mekanizmi mbikëqyrës, një strukturë që do të monitorojë veprimtarinë e SPAK dhe do të sigurojë, sipas Qeverisë, “orientim dhe efektivitet të veprimit”. Ky propozim u pa nga Dumani si përpjekje për të kufizuar autonominë e Prokurorisë së Posaçme dhe për të vendosur një kontroll politik mbi veprimtarinë e saj hetimore.

Rekomandimet kërkojnë gjithashtu përmirësimin e bashkëpunimit të SPAK me institucionet e tjera shtetërore, rritjen e transparencës përmes raportimeve më të shpeshta ndaj Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, si dhe një përdorim më të sofistikuar të teknologjisë dhe metodave hetimore.

Por ndryshe mendon kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili i konsideroi ndërhyrjet si presion ndaj punës së Prokurorisë së Posaçme dhe një tentativë për të kufizuar pavarësinë e saj.

Ky i fundit reagoi gjatë fjalës së tij duke vënë në dyshim bazueshmërinë dhe objektivitetin e dokumentit të qeverisë. Dumani theksoi se rekomandimet nuk shoqëroheshin me të dhëna statistikore, tregues konkretë apo një analizë krahasuese që do të justifikonte nevojën për ndërhyrje. Sipas tij, kjo mungesë i bën rekomandimet të duken subjektive.

“Një pjesë e rekomandimeve përdorin terma të përgjithshëm si ‘hetimet proaktive’ apo ‘forcimi i qasjes strategjike’, por nuk ofrojnë asnjë përkufizim operacional,” u shpreh Dumani.

Një nga pikat që ndezi më shumë debat ishte ajo që i referohej “integritetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë”, ku kërkohet forcimi i mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe rritja e llogaridhënies përtej procesit të vetting-ut. Ministri Manja theksoi se “duhet trajtuar seriozisht çdo ankesë për sjellje të papërshtatshme dhe të rritet transparenca për qytetarët”.

Por për këtë rekomandim, Dumani vuri në dukje se SPAK tashmë mbikëqyret nga dy institucione të pavarura të drejtësisë – Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD). Ai paralajmëroi se ngritja e strukturave të reja vlerësimi dhe integriteti, pa analizuar funksionalitetin e mekanizmave ekzistues, mund të çojë në mbingarkesë burokratike dhe ndërlikime të panevojshme.

Ligji i vitit 2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” e përcakton qartë rolin mbikëqyrës të KLP-së dhe ILD-së. Sipas këtij ligji, prokurorët e SPAK dhe drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me mandat 9-vjeçar, i cili mund të ndërpritet vetëm nëse ILD kërkon procedim disiplinor. Po ashtu, drejtuesi i BKH-së mund të lirohet nga detyra vetëm me vendim të KLP-së në raste të përcaktuara nga ligji, si përfundimi i mandatit apo shkelje të kushtetutës.

Gjithashtu, drejtuesi i SPAK ka detyrimin ligjor që brenda datës 1 mars të çdo viti t’i dorëzojë KLP-së një raport të detajuar mbi veprimtarinë e strukturës për vitin pararendës.

Artikulli paraprakKonfirmimi vjen nga Meloni: Mirënjohje për Papa Leo XIV, Vatikani është gati të presë bisedimet Rusi-Ukrainë
Artikulli tjetërBurokracitë pengojnë deklarimin e etnisë për komunitetin rom dhe egjiptian