Sara Mila është surprizë e zgjedhjeve të 11 majit në Elbasan, pasi ka rezultuar kandidatja më e votuar me mbi 18 mijë vota. Mila është akuzuar nga opozita, se mbështetet nga krimi, konkretisht nga Suel Çela.
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke bërë një pasqyrë të ndikimit të krimit në zgjedhje, deklaroi se rasti i Sara Milas është i çuditshëm, pasi një person i panjohur është renditur e para me një numër të lartë votash. Lala tha se i takon SPAK të provojë nëse Mila ka sponsorë nga krimi i organizuar, konkretisht nga grupi i Suel Çelës.
“Kuptuar që patronazhimi është skemë perfekte e ndërtuar nga mazhoranca socialiste, që ka mundësuar një numër të lartë madatesh, ka krijuar frikë për të votuar subjekte të tjera. Qytetarët kur i pyet për kë votuat, jashtë kameras e tregojnë, por kishin frikë se mos zbulohej se ku dërgonin votën.
Shqipëria është zbrazur, pjesa dërrmuese është administratë, u është kërkuar të sjellin vota të fotografuara nga diaspora.
Krimi ka patur ndikim e vet. Në Elbasan, Sara Mila është një zonjë pa asnjë kontribut publik, por rezulton gruaja më e votuar në qarkun e Elbasanit. Si ka mundësi një grua që nuk njihej nga 90% e qytetarëve?
Po të flasësh me qytetarë në Elbasan apo Librazhd, ata të tregojnë dhe të thonë, jo vetëm mua si gazetare, por edhe të BIRN, ku qytetarët orientoheshin për të votuar këtë zonjë. Fakti që nuk kishte kontribut publik dhe rezulton më e votuara, kjo ngre dyshime që krimi i organizuar ka ndikuar. Dyshohet se ka patur ndikim grupi i Suel Çelës, këtë mbetet ta provojë SPAK.
Zonja mund të dalë të japë reagimin e vet. Po të bisedosh me qytetarët, ishin orientuar drejt kësaj zonje. Ka me kontribut shumë të çmuar brenda PS, që nuk kanë marrë vota.
Të shkosh në Durrës, e dinim Arkend Ballën dhe Anri Dyrmishin se cfarë rezultati do të kishin”, tha ndër të tjera Lala.