Nga idhull, tani Pipita Higuain është kthyer në një tradhtar në Napoli dhe jo vetëm për popullin napolitan dhe presidentin De Laurentis, por me sa duket edhe për trajnerin Sarri, i cili ka një meritë shumë të madhe në rendimentin e argjentinasit sezonin e shkuar.
“Zgjedhja ishte e tij për t’u larguar”, u shpreh Sarri. “Kemi humbur sulmuesin më të fortë në botë. Nga pikëpamja profesionale ka një keqardhje, por pres të paktën një telefonatë dhe shokët e skuadrës sigurisht që presin një përshëndetje, që ka munguar me sa di unë. Por në çdo rast e presim atë dhe Juven e tij në San Paolo”, deklaroi Maurizio Sarri.
Më pas, trajneri i Napolit deklaroi se përgatitjet e kësaj vere kanë qenë pak më të vështira se një vit më parë, duke qenë se shumë futbollistë kanë mbërritur me vonesë për shkak të impenjimeve me skuadrat kombëtare. Ndërkohë, sa i përket kampionatit, ai përdor pak ironinë, si në të gjitha deklaratat e tij: “A do të fitojë sërish Alegri? Në letër, po. Por mos harroni që do të ketë ndeshje dhe rrugëtim shumë të vështirë dhe një prej tyre është padyshim ndeshja që do të luajnë në 2 prill në San Paolo”, tha Sarri.
Ish-sulmuesi i Real Madridit, i cili kaloi nga Napoli te Juventusi për 94 milionë euro, tashmë është prezantuar te kampionët e Serisë A. Ai në intervistën e parë si lojtar i “Zonjës së Vjetër”, foli për objektivat me skuadrën e re.
Ndër të tjera, Higuain foli edhe për tifozët e Napolit si dhe për kapitenin e Romës, Francesco Totti, i cili theksoi që “Higuain ndjek vetëm paratë”. “Jam shumë i lumtur që jam këtu. Është një klub me projekt të madh dhe me mentalitet fitues. Dua që me Juventusin ta fitojmë tripletën, gjë e cila është normale për këtë klub të madh”, tha Higuain.
“Napoli? Kam kaluar një aventurë të paharrueshme atje. E kuptoj dëshpërimin e tifozëve napolitanë, por shpresoj që dikur të më kuptojnë”, shtoi argjentinasi. “Fjalët e Tottit? Unë mund të them vetëm që ai është një lojtar i madh”, tha ndër të tjera ish-sulmuesi i Realit.