Sasi e madhe droge nga Shqipëria në Korfuz

Policia e Korfuzit ka dhënë detaje mbi veprimtarinë e një grupi trafikantësh të drogës, të përbërë nga grekë dhe shqiptarë, që kishin përfituar më shumë se 480 mijë euro nga veprimtaria e tyre. Sipas policisë, grupi importonte sasira të mëdha heroine nga Shqipëria, të cilat, pasi i përpunonte, i shpërndante në tregun grek, kryesisht në ishullin e Korfuzit.
Policia thotë se janë dashur disa muaj punë intensive, ku janë përdorur metoda dhe teknika të posaçme hetimi, për të identifikuar dhe verifikuar rolin dhe aktivitetin e secilit prej pjesëtarëve të grupit kriminal.
Dosjet penale janë hartuar për 28 persona, 15 grekë dhe 13 shqiptarë. Janë arrestuar deri tani 21 prej tyre, dhjetë prej të cilëve muajin e kaluar, që aktualisht ndodhen në burg. Ndërsa 4 shtetas shqiptarë dhe 3 grekë janë shpallur në kërkim. 9 persona të tjerë, grekë e shqiptarë, u arrestuan këtë fundjavë.
Grupi kishte një strukturë hierarkike, të ndarë në tre nivele. Krerët e tij ishin 3 shtetas shqiptarë të moshës 45, 35 dhe 29 vjeç, të cilët, nga Shqipëria ku ndodhej baza e tyre, koordinonin gjithë veprimtarinë.
Në nivelin e dytë ishin dhjetë persona të tjerë, që merreshin me vjeljen e parave të trafikut, transportin e drogës, magazinimin dhe përpunimin e heroinës. Pjesë e këtij grupi ishte laboratori që u zbulua muajin e kaluar në qytezën Etoliko, midis Agrionios dhe Mesolongit. Aty ishin sekuestruar 4,8 kg heroinë.
Niveli i tretë përbëhej nga shpërndarësit e drogës, ku janë identifikuar 15 persona, kryesisht shtetas grekë. Autoritetet thonë se grupi kishte trafikuar brenda vitit të fundit të paktën 12 kg heroinë, dhe përfitimi financiar përllogaritet në 480.000 euro.
Ndërkohë, një grup që merrej me shpërndarjen e kokainës midis Ankonas dhe Senigallia është goditur nga policia, ndërsa pjesëtarëve të bandës, ishte një shqiptar me jo pak reputacion. Lënda narkotike shitej kryesisht tek klubet e natës në këtë zonë.
Operacioni “Take Away” u zhvillua gjatë ditës së sotme, duke zhvilluar nëntë kontrolle nëpër shtëpi për gjetjen e kokainës. Hetimet kishin nisur rreth një vit më parë, ndërsa shqiptarët ishin ata që furnizonin bregdetin me kokainë.
Lojtari më i rëndësishëm në grup ishte një kuzhinier italian, i cili punonte në disa klube të Rivierës, ndërsa krahu i djathtë i tij ishte një shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet ende i ditur. Në sajë të posedimit të drogës dhe parave, ky i fundit është renditur si tregtari kryesor i drogës dhe krahu operativ i grupit.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të dyshuarve, policët gjetën një gram kokainë të fshehur në një dhomë gjumi. Në një prej ambienteve të një klubi është gjetur gjysmë kg hashash, ndërsa pronari i lokalit ka denoncuar babain e tij për posedimin e drogës, një 66-vjeçar. Banda me shqiptarë dhe italianë konsiderohet sipas “Corriere” furnizuesit kryesor të kokainës në klubet për të rinj.

Exit mobile version