Arjen Robben refuzon të bëjë krahasime mes Pep Guradiolës dhe Karlo Ançelotit. Sulmuesi i Bayern Munchen në një intervistë të dhënë ka deklaruar se është ende shumë herët për të bërë një përcaktim se cili mes Guardiolës dhe Ançelotit është më i miri. “Nuk mund të jap dot një përgjigje se cili prej tyre është më i mirë, pasi me Ançelotin nuk kemi zhvilluar shumë seanca stërvitore. Është vetëm fillimi dhe puna e tij do të shikohet në ditët në vazhdim. Sidoqoftë unë besoj shumë tek ai, pasi është një trajner i jashtëzakonshëm, i cili di se si fitohen titujt”, u shpreh Robben.
Më tej 32-vjeçari shtoi se pavarësisht se skuadra nën drejtimin e Pep Guardiolas nuk arriti dot sukesin në Champions League ashtu si çdo vit tjetër bavarezët do të provojnë të fitojnë në të gjitha kompeticionet ku marrin pjesë: “Çdo vit objektivat janë të njëjtë. Ka shumë ekipe të forta në Europë, por ne do të japim maksimumin tonë. Sigurisht që dhe këtë vit do të tentojmë finalen e Champion League, por na duhet shumë punë pasi konkurrenca është e madhe”, tha ai.
Arjen Robben do të mungojë në ditët e para të Bundesligës, për shkak të një dëmtimi në miqësoren kundër Lippstadt-it. Holandezi do të qëndrojë jashtë fushave për 6 javë.
Trajneri i ri i skuadrës së Bayern Munchen, Karlo Ançeloti, e nisi me një rezultat pozitiv aventurën e tij tek bavarezët, duke fituar në miqësore ndaj modestëve të Lippsadt me rezutatin 4-3, pavarësisht se nuk kishte në dispozicion futbollistë si Lewandovski, Muller, Hummels, Neuer, Boateng, Kimmich, Vidal e Coman. Por lajme të këqija vijnë nga infermieria për italianin. Sulmuesi Arjen Robben gjatë miqësores u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 35 të takimit për shkak të një dëmtimi në kofshë. Sipas testeve mjekësore, Robben do t’i duhet të qëndrojë për gjashtë javë larg fushës së blertë. Për shkak të dëmtimit holandezi nuk do të ketë mundësi të jetë në dispozicion të Ançelotit, në ndeshjen e parë të Bundesligës. 32-vjeçari sezonin e kaluar pjesën më të madhe të kampionatit nuk arriti të luante pikërisht për shkak të dëmtimeve të shpeshta.