10 fitore dhe 2 barazime për Schalke 04 në 12 ndeshjet e fundit mes kampionatit, Europa Leagues dhe Kupës së Gjermanisë. Vijon momenti i shkëlqyer i formës për Blutë Mbretërorë që pas startit shumë të dobët të sezonit, duket se janë rikthyer në rrugën e duhur. Në Bundesligë, Schalke regjistroi fitoren e 3-të radhazi dhe të 5-ën në total, pasi mposhti në Veltins Arena, 3-1 me përmbysje Darmstadt-in. Të besuarit e Markus Weinzirl thelluan krizën e miqve, duke u ngjitur në kuotën e 17 pikëve në kampionat. Schalke e pa veten shumë shpejt në disavantazh, sepse Darmstadt-i shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë, duke kaluar në epërsi me Heller që në minutën e 6-të.
Megjithatë në të 26-ën mbrojtësi boshnjak Kolasinaç i shërbyer nga Choupo Moting goditi saktë me kokë, duke vendosur sërish barazpeshën. 2 minuta më pas, sulmuesi kamerunas i vendasve Erix Maxim Choupo Moting shpërdoroi një 11-metërsh, duke mos arritur t’i japë dot epërsinë Schalkes. Gjithsesi golin e avantazhit për skuadrën e drejtuar nga Markus Weinzirl, Choupo Moting arriti të realizonte në minutën e 60-të, duke ngritur peshë të pranishmit në shkallët e stadiumit. Për t’i vënë vulën fitores dhe 3 pikëve të radhës për Schalken në Bundesligë mendoi, Schopf që në të 90-ën realizoi edhe golin e 3-1.
Në ndeshjen që mbylli javën e 12-të të Bundesligës, Hertha e Berlinit mposhti 2-1 Mainz-in në kryeqytet, duke u ngjitur në kuotën e 24 pikëve në vendin e 3-t të klasifikimit me pikë të barabarta me Eintracht-in e Frankfurtit. Ishte një fitore me përmbysje ajo e skuadrës së drejtuar nga trajneri hungarez Pal Dardai. Seydel në të 25-ën kaloi Mainzin në avantazh, por Ibesiviç ishte protagonisti kryesor i sfidës për Herthën. Sulmuesi boshnjak realizoi dy herë, duke kthyer rezultatin në favor të vendasve ndërsa në minutën e 74-t u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke u larguar përpara kohe nga fusha dhe duke barazuar forcat. Më herët ishin miqtë që kishin mbetur me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq në minutën e 62-të të Gbamin.