Intervistë ekskluzive e Deutsche Welle-s me historianin zviceran, Oliver Jens Schmitt, për strukturat autoritare në Shqipëri, mungesën e alternativave të besueshme partiake dhe dilemën e votuesit.
Deutsche Welle: Profesor Schmitt, ju po e ndiqni debatin aktual në Shqipëri. Dhe pyetje e ditës është: Të votosh, apo të mos votosh. Çfarë do të bënit ju, po të ishit shqiptar?
Oliver Jens Schmitt: Kjo është një pyetje e vështirë. Parimisht, si demokrat, unë do të shkoja gjithnjë në votime, por situata aktuale, me vetëm një kandidat në gjysmën e bashkive, dhe me një bllokadë institucionale, si edhe me përvojën nga e kaluara, se zgjedhjet nuk kanë qenë thuajse kurrë korrekte, e bëjnë të pamundur përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje.
Ju parashikoni, pra se edhe në këto zgjedhje do të ketë manipulime?
Unë nuk mund të bëj parashikime. Por duke parë se si janë bërë zgjedhjet në të kaluarën, sesi shumica e tyre kanë qenë shumë problematike, atëherë mendoj se çdo shqiptar mund të pyes veten se a mund të ketë besim te institucionet, e kjo pavarësisht nga partia në qeveri.
Opozita pikërisht me këtë argument nuk merr pjesë në zgjedhje. Pra, jeni në një mendje me të?
Unë nuk do ta vija asnjëherë veten as në anën e opozitës e as në anën e qeverisë. Sepse fakti që opozita shqiptare është kaq e dobët, ka të bëjë edhe me besueshmërinë e saj të ulët. Opozita shqiptare, pra, së paku, Partia Demokratike, nuk ka alternativë thelbësore përtej të qenit kundër socialistëve.
Nuk kemi një garë programesh ose idesh, por kemi një betejë për burimet dhe kontrollin mbi to. Unë i shoh të dyja me skepticizëm, si opozitën ashtu edhe pozitën. Sigurisht që opozita e tanishme mund të ketë të drejtë, kur thotë se qeveria aktuale është autoritariste dhe se zgjedhjet po zhvillohen në kushte problematike, por edhe Partia Demokratike ka përgjegjësi për këtë kulturë politike të krijuar gjatë këtyre 30 vjetëve.
Edi Rama dhe shumë përfaqësues të pozitës thonë se opozita e bën këtë bojkotim vetëm se krerët e saj janë të lidhur me krimin dhe duan të shpëtojnë kështu nga dënimet e strukturave antikorrupsion që po ngrihen në kuadër të reformës së drejtësisë. E besoni ju këtë argument?
Jo. Ky nuk mund të jetë argument. Edhe në radhët e Partisë Socialiste ka mjaft njerëz që do të dënoheshin, nëse do të funksiononte drejtësia. Që debati politik nuk bëhet në parlament, por në rrugë, kjo është bërë tashmë traditë në Shqipëri. Kjo po ndodh tash e 30 vjet. Qeveria nuk ka ndonjë legjitimitet të madh në këtë pikë, sepse as ajo nuk e lufton seriozisht krimin e organizuar dhe korrupsionin, por nuk besoj se këtë legjitimitet e ka opozita, pra, Partia Demokratike.
Aktualisht kryeministri Edi Rama ka hapur një front tjetër beteje, kundër kryekorrespondentit të gazetës “Bild”, Peter Tiede. Ai e akuzon atë si vegël të opozitës, dhe kërkon ta padisë. Ndërkohë që këtu në Gjermani shumë njerëz janë habitur me këtë interesim të rritur të gazetës “Bild” për Shqipërinë. Cili është mendimi juaj?
Lidhja e politikës me krimin e organizuar është një problem real, pavarësisht se si duhen interpretuar përgjimet e publikuara. Ky bashkëpunim mes partive dhe krimit të organizuar ekziston, dhe nuk ka kuptim që të trajtohet duke sulmuar median që shkruan për të. Kush e merr seriozisht luftën kundër lidhjeve të krimit të organizuar me politikën, nuk sulmon mediat, por ngarkon policinë dhe drejtësinë që ta hetojë këtë çështje.
Pra, ju nuk keni mirëkuptim për aksionin e Ramës për të paditur gazetarin e gazetës Bild?
Unë besoj se do të ishte më mirë sikur ai të luftonte me forcë lidhjet ndërmjet trafikut të drogës dhe politikës se sa të merrej me median që informoi për këto lidhje. Qeveria shqiptare është shumë arrogante ndaj medias. Ajo do të bënte mirë të shtronte pyetjen se sa të vërteta janë këto akuza, dhe të mos përpiqej të përhapte teori konspiracioniste. Nuk është hera e parë që Edi Rama sulmon gazetarë të huaj.
Ju jeni shumë kritik ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Ndërsa nga zyrtarët perëndimorë dhe evropianë dëgjojmë thuajse vetëm lëvdata. Si shpjegohet kjo?
Kjo ka të bëjë, nga njëra anë, me mungesën e njohurive për Shqipërinë dhe, nga ana tjetër, me mënyrën tejet kreative të prezantimit të Edi Ramës në perëndim, si artist dhe njëherazi kryeministër. Shumë gazetarë në perëndim i besojnë me naivitet këtij iluzioni se një artist i mirë mund të jetë edhe kryeministër i mirë. Në nivelin politik, këtu kemi të bëjmë me fenomenin e stabilokracisë, të cilin e shohim edhe në vende të tjera të rajonit, si Serbi e Mal të Zi.
Për perëndimin këto vende janë garante të stabilitetit, dhe si kompensim, perëndimi nuk përzihet në punët e tyre të brendshme. Qytetarët e këtyre vendeve duan një jetë normale që të mos largohen nga vendi. Ky është një problem fondamental, që perëndimi nuk ndërhyn as për të mbrojtur vlerat demokratike.
Një nga lëvdatat kryesore që merr Edi Rama në perëndim ka të bëjë me procesin e vettingut. Por ky proces ka paralizuar gjyqësorin. Mbi 31 mijë dosje kanë mbetur të patrajtuara në Gjykatën e Lartë. A ka kuptim të lëvdohet kaq shumë vettingu në këto kushte?
Ideja ishte e mirë, sepse, që vendi të zhvillohet e të ketë investime të huaja, i nevojitet një gjyqësor i fortë dhe funksionues. Por fakti që tani kaq shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë skualifikuar, pa u zëvendësuar me të tjerë, e ka paralizuar sistemin. Por prapë mendoj se alternativa, pra, mosbërja e vettingut, do të ishte e dëmshme. Edhe pse, tani ndodhemi në një qorrsokak.
Si mendoni se mund të dilet prej këtij qorrsokaku?
Me lustrime mund të zgjidhen disa raste të mëdha dhe të dalin nga loja disa persona të korruptuar, por kjo nuk sjell automatikisht njerëz që do t’i zëvendësojnë ata. Mendoj se për këtë nevojiten njerëz që janë të gatshëm vullnetarisht të angazhohen për shtetin ligjor, qoftë edhe duke bërë sakrifica.
Në Rumani, për shembull, ka pasur të tillë, gjyqtarë dhe prokurorë, që, duke formuar një grup kompakt dhe të vendosur brenda institucionit, ushtruan një ndikim të madh në transformimin institucional të drejtësisë.
Kohët e fundit, parlamenti shqiptar ka marrë dy vendime që kanë ngjallur shumë pakënaqësi te një pjesë e intelektualëve:
Caktimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave dhe kufizimin e objektit të studimit të Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit në periudhën e pasluftës. Si i komentoni ju këto dy vendime?
Mjerisht, këto dy raste janë tipike. Që në krye të Akademisë së Shkencave caktohet pikërisht një person që ka qenë ministër në komunizëm, kjo tregon se Shqipëria ka nisur udhëtimin drejt së kaluarës. Veç kësaj ky emërim bie ndesh edhe me Ligjin e Akademisë që nuk lejon zgjedhjen e personave të jetës politike.
Veç kësaj lind pyetja, se cili ka qenë kontributi i veçantë shkencor i personit në fjalë në vitet e fundit që do të arsyetonte emërimin e tij në krye të Akademisë. Kjo nuk e ndihmon as reformimin e Akademisë, që është më se i nevojshëm, sepse Shqipëria nga ana shkencore është shumë e dobët. Edhe dalja e tij e parë në media dëshmoi se ai ka një koncept shumë të kufizuar për median e lirë.
Për të dytin mund të them se është diçka e tmerrshme. Shqipëria ka pasur një nga regjimet më kriminale të Evropës, ka pasur kampe dënimi deri në ditët e fundit të regjimit ku kanë vuajtur mijëra njerëz. Ne kemi në Shqipëri situata ku komandantë të këtyre kampeve dhe përgjegjës të aparatit shtypës, jo vetëm që lëvizin të lirë, por, përkundrazi, përfitojnë edhe pensione të larta, ku viktimat e regjimit intimidohen, edhe sot e kësaj dite, dhe madje haptazi.
Pra, është një situatë që nuk e njoh nga asnjë vend tjetër në Evropë. Nëse qeveria pengon trajtimin kritik të së kaluarës, mund të them, se nuk e ka kuptuar aspak se si krijohet një shoqëri demokratike. Dhe nuk ka aspak interes ta mësojë. Unë si historian solidarizohem shumë edhe me viktimat e regjimit. Është një sjellje më se absurde dhe krejt e papranueshme për një vend që dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian dhe në kundërshtim me të gjitha rregullat e shoqërive demokratike.
Ju thoni, që këto dy vendime janë tipike. Çfarë keni parasysh me këtë?
Kur them se janë tipike, kam parasysh se prej disa vitesh po krijohen struktura autoritare – në rastin e PS edhe duke rehabilituar sistemin enverist dhe duke mohuar ose minimizuar krimet e tij. Por tendencat autoritare nuk kanë të bëjnë vetëm me qeverinë aktuale, nuk mund të thuhet se Partia Demokratike nuk ka qenë autoritare, edhe ata e kanë instrumentalizuar historinë për çështje partiake.
Dhe të dyja partitë nuk kanë pasur interes që intelektualë kritikë të merreshin me temat e së kaluarës. Arkivat u hapën shumë vonë, arkivat, pas gjase, janë ndryshuar shumë, – duhet pasur shumë kujdes kur punon me to. Mënyra se si po merret qeveria me të kaluarën komuniste – dhe socialistët janë partia pasardhëse e Partisë së Punës –jo vetëm që pengon një debat të hapur dhe kritik, por synon harrimin e krimeve komuniste dhe idealizimin e regjimit enverist.
Por problemet, prej të cilës shoqëria shqiptare vuan ende edhe sot, u shkaktuan nga sundimi komunist dhe vazhdimësia e tij në epokën e tranzicionit. Strategjia e qeverisë aktuale sigurisht nuk është një mënyrë e mirë për t’i bindur qytetarët ta shohin të ardhmen në vendin e tyre.
Nëse ju thoni, asnjëra nga partitë nuk është e besueshme, atëherë kujt duhet t’u besojnë shqiptarët, nëse jo partive të tyre?
Ky nuk është një problem specifik shqiptar, por vihet re në të gjithë rajonin. Protesta studentore, si ato në fund të vitit të kaluar në Shqipëri, ka edhe në vende të tjera të rajonit, në Serbi, në Mal të Zi, madje edhe në vende anëtare të BE-së, si në Rumani, Hungari, Bullgari.
Në të gjitha këto vende sistemi parlamentar me partitë ekzistuese nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve. Dhe kjo çon në një bllokadë të të gjithë sistemit demokratik. Në Rumani tani ka nisur të formohet krejt papritur një parti properëndimore opozitare, e cila nuk është ende e qëndrueshme. Edhe në Shqipëri ka pasur përpjekje të ngjashme me lëvizje qytetare, por prej tyre nuk dolën asnjëherë parti të forta.
Meqë ju përmendët Rumaninë, para ca kohësh ju keni shkruar një artikull për rolin e diasporës në zgjedhjet e fundit në Rumani. Mendoni se edhe diaspora shqiptare mund të japë një ndihmesë në zgjidhjen afatgjate të krizës në Shqipëri?
Unë mendoj se ka dy tipa diaspore. Kemi rastin klasik, ku diaspora është konservatore, nacionale dhe autoritare, dhe rastin shumë të rrallë, ku diaspora në të vërtetë është e gatshme që të angazhohet për implementimin e vlerave të vendeve ku jeton. Në diasporën shqiptare ka shumë njerëz të mençur dhe të angazhuar, por kjo energji nuk mund të shndërrohet në punë parlamentare, nëse diaspora nuk ka mundësi të japë votën e saj në vendet ku jeton. Në rastin e Shqipërisë duhet ndryshuar ligji zgjedhor, por kjo për këtë mungon vullneti politik.
Oliver Jens Schmitt është profesor i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe një njohësit më të njohur të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Evropë. Schmitt është anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Ka botuar një sërë librash për Shqipërinë dhe Kosovën, ndër të tjera, edhe librin Skënderbeu (2009), vepër e cila shkaktoi debate shumë të ashpra në opinionin shqiptar.