Kampionia e Europës, Italia dhe kampionia e Amerikës Jugore, Argjentina do të përballen në një ndeshje miqësore spektakolare në stadiumin Diego Armando Maradona në Napoli.
Sipas New York Times, bisedimet për zhvillimin e asaj që praktikisht do të ishte një kupe interkontinentale kanë shënuar përparim të dukshëm.
Italia e fitoi Kampionatin Evropian 2020 të dielën, pasi e mundi Anglinë 3:2 në penallti, në një ndeshje dramatike në tokën angleze, Wembley.
Paraprakisht, Argjentina e fitoi Kupën e Amerikës, për herë të parë në 28 vitet e fundit, pasi e mposhti 1:0 Brazilin në finalen e Maracanas në Rio de Janiero.
Takimi mes tyre do të jetë miqësor, por një mundësi fanstatike për t’i parë kampionen e Evropës duke u përballur me kampionen e Amerikës Jugore.
Hera e fundit kur Italia dhe Argjentina u takuan ishte në një ndeshje gjysmëfinale në Kupën e Botës 1990. Në atë kohë, Maradona ishte kapiten i Argjentinës. Pas vdekjes së tij vitin e kaluar, stadiumi i Napolit San Paolo e mori emrin e tij.