Organizata për Median në Europën Juglindore (SEEMO sipas akronimit në anglisht) reagoi me shqetësim mbi mostransmetimin e emisionit investigativ “Publicus” në “Vizion Plus”. “SEEMO u habit kur mësoi anulimin e emisionit investigativ në Shqipëri pas vetëm tri episodesh të transmetuara”, thuhet në një deklaratë për shtyp të kësaj organizate.
“Anulimi i papritur i një emisioni investigativ është shqetësues”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i SEEMO, Oliver Vujoviç. “Redaktorët natyrisht kanë të drejtë të vendosin mbi ndryshimet mbi program, por publiku duhet të informohet mbi arsyet që sollën mbylljen e “Publicus””, shtoi Vujoviç. SEEMO shprehu gjithashtu shqetësim për lajmet mbi pushimin nga puna të ish-kryeredaktores të televizionit “A1 Neës”, Alida Tota, pasi kjo e fundit u përpoq të transmetonte një lajm mbi tragjedinë e Sharrës, ku një 17-vjeçar, Ardit Gjoklaj, humbi jetën duke punuar në turnin e tretë në një kompani private që kishte marrë leje nga Bashkia e Tiranës për të ricikluar mbetje në kushte të debatueshme ligjore.
Emisioni “Publicus” u transmetua në YouTube dy ditë pas anulimit të transmetimit të tij në “Vizion Plus”. Autori i emisionit, regjisori Artan Rama, i tha BIRN se, nuk e dinte se cili qe personi që bëri presion mbi “Vizion Plus” për të bllokuar emisionin, por dukshëm, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe marrëveshja e tij me kompaninë 3 R, e cila solli vdekjen tragjike të Ardit Gjoklajt, qe tema kryesore e emisionit. Partia Demokratike në opozitë akuzoi kryebashkiakun Erion Veliaj si përgjegjës për bllokimin e transmetimit. Një grup gazetarësh dolën në protestë të premten e kaluar para zyrës së kryebashkiakut.
Administratori i “Vizion Plus”, Genc Dulaku i tha BIRN se, emisioni nuk u publikua për shkak se autorët qenë me vonesë në montim, ndërsa mohoi që përmbajtja e emisionit që qe shkak. Kryebashkiaku Veliaj mohoi disa ditë më vonë akuzat, duke deklaruar se nuk i ka bërë presion “Vizion Plus”. “Nuk e kam kontaktuar kurrë “Vizion Plus”, tha Veliaj. “Sfidoj këdo që bën gazetari të mirëfilltë të provojë të kundërtën”, shtoi ai. Gjithsesi, për SEEMO, fakti është që emisioni është ndaluar të transmetohej dhe se kjo përbën në vetvete një problem të rëndë. SEEMO është një rrjet redaktorësh, drejtuesish mediash dhe gazetarësh në Europën Jugore, Lindore dhe Qendrore dhe punon për lirinë e medias në bashkëpunim me Qendrën Europiane për Media dhe Lirinë e Medias (ECPMF).
Emisioni investigativ “Publicus” në “Vizion Plus” tërhoqi vëmendjen javën e kaluar me episodin e tij të dytë, ku ekspozoi gënjeshtrat e qeverisë mbi aftësitë e laboratorit doganor shqiptar për të kontrolluar importin e mbetjeve, por emisioni i tyre i tretë, një investigim mbi marrëveshjet e pista të Bashkisë së Tiranës për menaxhimin e landfillit të Sharrës nuk u transmetua të dielën në darkë, në një ngjarje që shumë gazetarë po e shohin si një rast censure flagrante mbi lirinë e medias.
Stafi i emisionit “Publicus” publikoi të dielën në darkë në faqen e tyre në Facebook një shënim ku denoncuan mbylljen e emisionit investigativ dhe humbjen e mbështetjes financiare për këtë emision. “Drejtuesit e televizionit ‘Vizion Plus’, njoftuan se e nuk lejojnë transmetimin e episodit të tretë të ‘Publicus’, të titullur ‘Kodrina e vdekjes’, sipas programimit (të dielën, dt. 9.10.2016, ora 20:10)! Njëkohësisht, kanë tërhequr mbështetjen financiare për programin, për stafin e përfshirë për realizimin e tij dhe se kanë larguar të gjitha njoftimet publicitare për këtë program nga faqja zyrtare online e televizionit!”, shkroi stafi i emisionit.
Producenti i emisionit, Artan Rama, i tha “BIRN” se pasi investigoi skandalin e landfillit për një javë, ai qe thirrur të premten nga administratori i televizionit dhe i qe kërkuar që të tregonte përmbajtjen e emisionit. Të dielën, administratori e njoftoi se emisioni nuk do të transmetohej pa dhënë shpjegime të mëtejshme. Mbyllja e emisionit është pasojë e drejtpërdrejtë e censurës së ushtruar nga kryebashkiaku Erion Veliaj mbi lirinë e medias.