Sekretari amerikan i shtetit viziton Europën

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pritet të mbajë një fjalim të mërkurën në Bruksel ku do të flasë rreth angazhim të administratës së Presidentit Biden për të rindërtuar dhe ringjallur aleancat e Shteteve të Bashkuara. Kjo ka qenë pjesë e mesazhit të tij gjatë vizitës së parë në Evropë këtë javë në cilësinë e kryediplomatit të vendit, çka tregon një shkëputje nga katër vite të politikës së jashtme nën ish-Presidentin Donald Trump që u përqëndrua tek dhënia e përparësisë interesave amerikane.

Fjalimi vjen në ditën e fundit të një takimi dy-ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s, të cilin zoti Blinken po e shfrytëzon gjithashtu për të zhvilluar bisedime të veçanta me homologët e tij.

Axhenda e së mërkurës e zotit Blinken përfshin gjithashtu një takim me Ministrin e Jashtëm të Turqisë Mevlut Çavusoglu, një takim me ministrat e jashtëm të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, si dhe takim me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Zoti Blinken u tha gazetarëve të martën se Shtetet e Bashkuara duan të rindërtojnë marrëdhëniet e tyre të partneritetit “mbi të gjitha me aleatët tanë të NATO-s.”

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden ka në plan të diskutojë rreth forcimit të marrëdhënieve SHBA-BE gjatë një vidioekonference me udhëheqësit e Bashkimit Evropian të enjten.

Qëndrimi i zotit Biden është në kontrast të dukshëm me atë të ish-Presidentit Donald Trump, i cili sulmonte shpesh vendet e tjera të NATO-s për mos përmbushjen e qëllimit të aleancës për të shpenzuar secili, 2% të Prodhimit të Bredshëm Kombëtar për mbrojtjen.

“Gjëja e fundit që mund të lejojmë të bëjmë është mos e vlerësojmë këtë aleancë”, tha zoti Blinken, një nga bashkëpunëtorët e vjetër dhe të besuar të Presidentit Biden.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian i mirëpriti komentet pozitive të zotit Blinken rreth NATO-s, një aleancë e themeluar në 1949 për të ndalur kërcënimin ushtarak të ish-Bashkimit Sovjetik. Një nga temat kryesore për diskutim gjatë dy ditëve takimeve në Bruksel është misioni i NATO-s në Afganistan, ndërsa afrohet afati i 1 majit për tërheqjen e plotë të të gjithë trupave amerikane, sipas një marrëveshje paqeje të arritur vitin e kaluar mes grupit Taliban të Afganistanit dhe administratës Trump.

Zoti Blinken tha se çështja po shqyrtohet dhe se pjesë e punës së tij në Bruksel janë bisedimet me aleatët e NATO-s, si për të dëgjuar, ashtu edhe për të ndarë mendimet e SHBA-së rreth kësaj çështjeje. Ai tha se çfarëdo që do të vendosin Shtetet e Bashkuara, veprimet e tyre do të merren në konsultimin me vendet e tjera anëtare, që kanë qenë pjesë e misionit ushtarak.

“Ne kemi hyrë së bashku, jemi përshtatur së bashku dhe kur të jetë koha e duhur, do të largohemi së bashku”, tha zoti Blinken.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se i mirëpret përpjekjet për paqe, duke theksuar se ajo është “rruga e vetme për një zgjidhje të qëndrueshme politike në Afganistan”.

Por shefi i NATO-s tha se në mënyrë që të arrihet paqja, të gjitha palët duhet të negociojnë me mirëbesim, duhet të ketë një zvogëlim të dhunës dhe se Talibanët duhet të ndalojnë mbështetjen e terroristëve ndërkombëtarë siç është al-Kaida.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas paralajmëroi kundër një tërheqje të parakohshme që do të dëmtonte siç tha arritjet në fushën e sigurisë.

“Ne duam një tërheqje të bazuar në kushte të të gjitha forcave nga Afganistani”, tha zoti Maas.

Artikulli paraprakKim vlerëson qëndrimin e PD dhe ka një mesazh për PS: Të jetë e qartë për rastin Doshi
Artikulli tjetërPD hap nesër fushatën për fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit