Gjatë vitit 2015, Gjykata e Krimeve të Rënda dha 35 vendime sekuestrimesh paraprake ndaj pasurive që dyshohet se kanë prejardhje kriminale, vlera e të cilave shkon në dhjetëra milionë euro. Megjithatë, ekziston një hendek i thellë mes sekuestrimeve paraprake dhe pasurive që konfiskohen dhe kalojnë në llogaritë e shtetit.
Nga 35 vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda, vetëm pesë prej tyre janë vendime konfiskimesh. AAPSK i tha BIRN se kishte marrë në administrim vetëm 19 llogari bankare me vlerë mbi 500 milionë lekë, 15 troje, 3 automjete dhe 7 kompani biznesi në vitin 2015, ndërkohë që një sërë çështjesh të tjera janë ende në procese gjyqësore.
Ndryshe nga lista prej 13 kompanish të sekuestruara që ofrojnë Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ajo e Tiranës, lista e AAPSK është rrudhur në 7 kompani, gjashtë prej të cilave janë themeluar nga Francesco Beccheti.
Sipas Agjencisë, ajo nuk ka marrë ende nën administrim kompleksin “Gjoka” në Sallmone, kompleksin “Ermiri Palace” në Shëngjin dhe katër prej kompanive të rrethit të ngushtë familjar të Fatmir Kajollit.
Dashamir Gjoka mori kontrollin e 100 për qind të aksioneve të kompanisë “Gjoka” shpk në korrik të vitit 2006, kur Prokuroria e Milanos po e hetonte për trafikimin e një duzine vajzash nga Europa Lindore drejt Italisë për qëllime prostitucioni.
Ekstrakti i kompanisë në QKR tregon se Gjoka i bleu kuotat për 3 900 000 lekë pas vdekjes së vëllait të tij, ndërsa kapitali i kompanisë u rrit në 17 800 000 lekë pas ndërtimit të kompleksit në fshatin Sallmone.
Ndërkohë që drejtonte biznesin e tij në Shqipëri, Dashamir Gjoka u dënua me 10 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Apelit të Milanos në vitin 2007, dënim i cili u reduktua me 3 vjet falë një amnistie në Itali. Megjithatë, një kërkesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda tregon se, telashet e tij në Shqipëri filluan në vitin 2012, kur Prokuroria e Durrësit regjistroi një procedim penal në emër të tij për “pastrim të produkteve të veprës penale”.
I nisur në vitin 2012, hetimi pasuror kundër Gjokës ka dalë me një vendim sekuestroje preventive në gusht të vitit 2015. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestron e pasurive të tij të paluajtshme me vlerë dhjetëra milionë euro, bashkë me kompaninë “Gjoka” shpk dhe ia kaloi ato për administrim AAPSK.
Megjithatë, Agjencia e pati të pamundur të merrte në administrim kompaninë, e cila vazhdon të mbetet në administrimin e Dashamir Gjokës dhe të afërmve të tij.
E pyetur nga BIRN, AAPSK tha se është në pritje të një vendimi përfundimtar të Gjykatës së Krimeve të Rënda “për saktësimin e zbatueshmërisë së tij”.
“Për shkak të pasaktësive në dokumentacionin e këtij vendimi, ai nuk është ekzekutuar nga Përmbarimi. Jemi në pritje të zbardhjes përfundimtare të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për ekzekutimin e plotë të tij”, tha AAPSK.
Dokumentet në QKR tregojnë se, “vendimi përfundimtar” ka dalë në shkurt të vitit 2016, por Agjencia është mjaftuar sërish me një kërkesë për mostjetërsimin e shoqërisë, pa ndërhyrë në administrimin real të saj.
Njësoj si kompleksi “Gjoka” në Shijak, edhe “Ermiri Palace” në Shëngjin të Lezhës-një pronë me vlerë miliona euro ka mbetur jashtë administrimit të Agjencisë. Biznesi i hotelerisë me ortak Astrit Numanin dhe të afërm të tjerë të tij u sekuestrua paraprakisht nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2015.
Nimani, i njohur me nofkën Titi i Ukës u ekstradua në Itali në vitin 2013, pasi ishte dënuar me 7 vjet burg për trafik droge. Hetimet e Prokurorisë italiane tregojnë se ai ka përfituar rreth 10 milionë euro nga trafikimi i lëndëve narkotike, para të cilat dyshohet se janë investuar në Shqipëri.
Pas hetimeve për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” kundër Nimanit, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi më 2 gusht 2015 sekuestrimin e tre pallateve 13 katëshe dhe të kompleksit “Ermiri Palace” në plazhin e Shëngjinit.
Megjithatë, ky biznes nuk administrohet ende nga AAPSK.
“Gjykata e Krimeve të Rënda ka pezulluar ekzekutimin e sekuestrimit të kompleksit Ermiri Palace, në zotërim të subjektit Nimani”, tha AAPSK për BIRN.
Në Fier, Fatmir Kajolli ndërtoi perandorinë e tij të biznesit dhe u zgjodh këshilltar i Këshillit Bashkiak të qytetit, para se në Shqipëri të mbërrinin dy vendimet e gjykatave italiane, të cilat e dënonin atë respektivisht me 16 dhe 24 vjet burg për veprën penale të trafikut të drogës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka verifikuar në kuadër të ligjit “Antimafia” pasuritë e 27 anëtarëve të familjes Kajolli dhe ka arritur të miratojë në gjykatë sekuestrimin e 22 pronave, mes të cilave 2.1 milionë m2 truall, 1700 metër katrorë ndërtime dhe 5 kompani biznesi.
Sipas vendimit të sekuestros, kompania e ndërtimit “Çitadela” shpk, kompanitë minerare “Alb-Mining 2012” dhe “Albanian Minerals 2012”, kompania e transportit “Aba 2011” si dhe “International Parking 2011” i kalojnë për administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Por AAPSK i tha BIRN se, mes 5 kompanive të sekuestruara, administron vetëm atë të transportit Fier-Patos “Aba 2011”.
“Administratori ushtron të gjitha kompetencat e administrimit të aktivitetit këtij biznesi”, i tha Agjencia BIRN.
Katër kompanitë e tjera të biznesit mbeten ende në duart e familjes Kajolli, ndërsa e vetmja gjurmë e sekuestrimit është bllokimi i tjetërsimit të tyre përmes shkresave në QKR.