Sekuestro e pasurive të Klement Balilit, Apeli lë në fuqi vendimin

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për sekuestron për pasurinë e Klement Balilit. Nën sekuestro janë vendosur troje, biznese dhe apartamente që rezultojnë në emër të familjes Balili në Sarandë. Sekuestroja e pasurive u bë falë bashkëpunimit me sektorin e hetimit të aseteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Veprimet e Policisë janë pjesë e një hetimi të nisur për pastrim parash për Klement Balilin, i cili është shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge. Dyshohet se kjo pasuri dhe të tjera, në pronësi të 44-vjeçarit nga Saranda janë vënë me para të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Klement Balili është në kërkim që prej një viti pas urdhërit të arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në maj të vitit të kaluar, autoritetet greke pas një hetimi të përbashkët me DEA-n amerikane e përmendën emrin e tij si drejtuesin kryesor të një rrjeti të gjerë të trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Greqi dhe vende të tjera të BE. Ish-drejtuesi i Transporteve në Sarandë dha dorëheqjen menjëherë pas publikimit të akuzave dhe u zhduk.

Artikulli paraprakVlora e Fieri nën ujërat e Vjosës, dëme të mëdha në banesa e toka bujqësore
Artikulli tjetërTerror shtetëror policor në Lazarat