Sekuestro llogarive bankare të 13 bashkive, nuk kanë paguar sigurimet

Përqendrimi i pushtetit lokal në më pak njësi me aplikimin e Reformës Territoriale dy vite më parë nuk i ka bërë vendorët më të fortë financiarisht. Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve i ka klasifikuar 13 bashki të vendit, ose 21 për qind e totalit të bashkive si borxhlinj të këqij ndaj të cilave do të nisë arkëtimi i detyrimeve me forcë.
Sipas të dhënave të tatimeve, 9 nga bashkitë janë kualifikuar si borxhlinj të këqij pas hyrjes në fuqi të Reformës Territoriale. Detyrimet e bashkive ndaj tatimeve lidhen kryesisht me mospagesat e sigurimeve shoqërore të stafit e punonjësve. Sjellja në këtë mënyrë e bashkive rrezikon të krijojë probleme të rënda sociale në periudhat e mëvonshme, duke rrezikuar pagesat e pensioneve për qindra punonjësit e sotshëm.
Borxhi tatimor është përkeqësuar vitet e fundit, por në veçanti edhe detyrimet e paguara për sigurimet shoqërore. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kishte raportuar se në fund të vitit 2016 stoku i borxheve si pagesa të pabëra në kohë për sigurimet shoqërore arriti në 14.1 miliardë lekë. Nga kjo shumë rreth 2 miliardë lekë janë borxh i krijuar rishtas në vitin 2016.
Nga institucionet shtetërore shihet se ka një mungesë korrektese për pagat e sigurimeve nga ndërmarrjet e ujësjellësit, bashkitë dhe disa agjenci rajonale. Projekti STAR (Mbështetje për Reformën Administrativo-Territoriale) në përfundim të 384 raporteve të kontrollit në ish-komunat dhe bashkitë e reja ka zbardhur detyrime të prapambetura në vlerën e 65 milionë euro në mesin e vitit të kaluar. Ky borxh ka shtuar detyrimet e shtetit shqiptar në të paktën 0,57% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ministria e Financave, nga ana tjetër, ka miratuar një plan veprimi që i detyron Bashkitë të shlyejnë detyrimet deri në fund të vitit 2018.

Reagimi i Berishës

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar dje në lidhje me lajmin për falimentin e 13 bashkive në pagesat e sigurimeve të punonjësve, duke i mbajtur ata në të zezë. Berisha e ka cilësuar këtë veprim skandaloz, ndërsa ka kërkuar ndëshkimin ligjor dhe ndjekje penale të të gjitha autoriteteve përgjegjëse.
“Vetë shteti në të zezë, sistem skllavërie! Të dashur miq, mediat njoftojnë se 13 bashki të vendit dhe një seri institucionesh publike nuk kanë paguar sigurimet shoqërore për punonjësit e tyre, duke i mbajtur ata në të zezë si skllevër të vërtetë. Ky është një akt kriminal, antikushtetues në shtetin e Noriegës, që meriton ndëshkim ligjor shembullor. Kjo është vepër e vjedhjes, shpërdorimit të buxhetit të shtetit direkt nga drejtuesit për përfitime personale. Ligjet e vendit parashikojnë ndjekje penale për sipërmarrësit privat që mbajnë qoftë dhe dy punëtorë të pasiguruar, kurse në shtetin e Noriegës, në sektorin buxhetor janë mijëra punonjës të pa siguruar. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe sistemin e skllavërisë shtetërore, i bëj thirrje Prokurorisë të vendos menjëherë para ligjit këta drejtues të korruptuar”.

Exit mobile version