Policia greke sekuestroi dje 101 kg drogë dhe një kallashnikov të futur nga Shqipëria. Operacioni u krye nga policia greke në Kallpaq të Janinës. Mësohet se mjeti në të cilin ishte ngarkuar droga vinte nga kufiri i gjelbërt dhe drejtohej nga një shtetas grek. 50-vjeçari u ndalua në flagrancë nga policia. Gjatë kontrollit u gjetën në sediljen e pasme të mjetit 65 pako me 101 kg marijuanë. Në makinë ishte fshehur edhe një kallashnikov, 200 euro dhe 2 celularë.
Policia greke ka asgjësuar pjesë nga sasitë e drogës së konfiskuar gjatë këtij viti. Në një nga furrnaltat e zonës së Beotisë, u dogjën 25 kilogramë heroinë, 27 kg kokainë, 300 kilogramë kanabis dhe 1,200 fidanë kanabisi. Në këtë aksion ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i policisë greke, gjeneral leitnant Konstandinos Tsuvalas, që e cilësoi 2017-ën si një vit mjaft të suksesshëm në luftimin e trafikut të drogës. Ai shtoi se 2018-ta do të shpallet si “viti kundër drogës”.
Gjatë 2017-ës u sekuestruan gjithsej 16 tonë kanabis, shumica e të cilave kishin hyrë nga Shqipëria, 302 kg heroinë, 220 kg kokainë dhe 50.000 pilula narkotike. Policia trajtoi 12.000 çështje që lidheshin me drogën. U proceduan 17.000 persona, nga të cilët 12.000 u arrestuan.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke tha se, gjatë vitit të ardhshëm, do të operohet në dy akse në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në sensibilizimin e shoqërisë, për të patur rezultate edhe më të mira në luftën kundër trafikut të drogës.