Sekuestrohen në Greqi mbi 400 kg drogë nga Shqipëria

Policia greke sekuestroi dje 407 kg marjuanë dhe vuri në pranga një 38-vjeçar shqiptar dhe një shtetas grek 30 vjeç, identitetet e të cilëve nuk bëhen publike. Bëhet e ditur se, arrestimet u kryen nga policia greke në kuadër të një operacioni antidrogë në Portin e Pireut, ku u sekuestruan 407 kg marjuanë. Mësohet se lënda narkotike e futur nga Shqipëria ishte maskuar në thasë me oriz, ndërsa destinacioni final i drogës ishte Holanda.
Mediat greke, të cilat i referohen policisë, shkruajnë se vlera e drogës së sekuestruar llogaritet në 4 milionë euro, nëse do të arrinte të shitej në treg. Policia gjithashtu sekuestroi një pajisje që shërbente për përpunimin dhe një shumë prej 10 mijë eurosh.
Mediat raportojnë se për transportin e drogës ishte menduar rruga përmes dokumenteve tregtare false, ndërsa po hetohet nëse më parë është përdorur ose jo ky truk për të kaluar lëndë narkotike në drejtim të vendeve të ndryshme të BE-së. Sipas policisë greke, në këtë rrjet të trafikut të drogës janë përfshirë disa persona, ndërkohë që po hetohet, pa dhënë identitetet e të dyshuarve.
Po ditën e djeshme, policia greke ka arrestuar në afërsi të Kosturit një shtetas grek, me moshë 46 vjeç dhe një 21- vjeçar shqiptar, pasi në makinën që drejtonte i pari u gjet një sasi e konsiderueshme droge.
Automjeti, që po vinte nga kufiri me Shqipërinë, u ndalua për kontroll dhe u gjetën katër çanta të mbushura me lëndë narkotike. 12 paketat kishin një peshë të përgjithshme 75,2 kilogramë. Policia sekuestroi drogën, automjetin, një tablet, një ore telefon (smarthwatch) dhe dy karta sim. Departamenti i antidrogës po vazhdon hetimet, ndërsa dy të arrestuarit do të dalin para prokurorit të Kosturit.

 

Exit mobile version