Sekuestrohen në Itali 100 kg drogë e futur nga Shqipëria

Policia italiane ka sekuestruar një sasi marijuane, të ardhur nga Shqipëria. Mediat italiane bëjnë me dije se, sasia prej 100 kg lëndë narkotike prodhim shqiptar, u sekuestrua gjatë një operacioni që në fakt kishte një tjetër synim, kërkimin e autorëve të tri grabitjeve të ndodhura në Carovigno, San Michele Salentino dhe Latiano.
Aksioni u finalizua nga Policia e Latianos, e cila ishte sinjalizuar për një ngarkesë të madhe droge në territorin e Francavilla Fontana. Nuk ka ende detaje për operacionin dhe as emra personash të përfshirë në këtë rrjet trafiku droge. Thuhet vetëm se po kërkohet një person, ndërkohë që një grua, sipas policisë, mamaja e tij, është ndaluar dhe po pyetet.
Ndërkohë, një i ri shqiptar me iniciale P.X., lindur më 1999, kapet duke shitur drogë në Frosinone, duke qarkulluar me biçikletë. Pasi u kap nga karabinierët dje pasdite tentoi të ikte, edhe në mënyrë të dhunshme, duke iu hedhur sipër biçikletën, pastaj u hoq si i pastrehë që jetonte poshtë urave. Por, në xhep kishte çelësin e një dere të blinduar.
Para se të kapej nga karabinierët, djali hodhi një zarf me 16 gramë kokainë dhe u përpoq të largohej, por pa sukses.
Falë profilit në Facebook, karabinierët arritën të identifikonin banesën e 19-vjeçarit, në perfieri, dera e së cilës u hap me çelësin që i gjetën në xhep. Në shtëpi iu gjetën 790 euro, dy peshore, material konfeksionimi për dozat e drogës, 200 gramë kokainë e dy gramë hashash. Vlera e drogës në treg do të ishte rreth 80 mijë euro.

Exit mobile version