Sekuestrohen në Itali 800 kg drogë dhe armë nga Shqipëria

Agjentët e Guardia di Finanza në Komo, në bashkëpunim me kolegët në Brindizi dhe Leçe kanë sekuestruar 800 kg marijuanë që vinte nga Shqipëria. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave në pranga kanë rënë dy shtetas shqiptarë dhe një malazez, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe armëmbajtje pa leje.
Operacioni u zhvillua nga Guardia në bashkëpunim me ushtarakët e Policisë Tatimore dhe të Grupit të Lecce-s në provincën e Brindisit e Lecce. Fillimisht agjentët kanë lokalizuar një automjet me në bord dy shqiptarët, që transportonte 150 kg marijuanë tashmë të sekuestruar, ndërsa më pas, në një shtëpi të izoluar në Leçe kanë gjetur sasinë tjetër prej 650 kg, si dhe një pistoletë dhe dy karikatorë me nga 15 fishekë secili.
Sipas GDF, lënda narkotike kishte si destinacion tregjet e rajoneve veriore të Italisë si Lombardia, Piemonte, Veneto, Emilia Romanja, Lacio, Marke, Toskanë dhe Abruco. Nga shpërndarja e saj do të ishin siguruar mbi 4 milionë euro.
Dyshohet se lënda narkotike është futur nga Porti i Durrësit. Janë me dhjetëra raste që droga ka kaluar drejt Italisë nëpërmjet Portit të Durrësit me dijeninë e policisë, por më pas është bllokuar nga policia italiane në shtetin fqinj. Para disa ditësh, policia italiane sekuestroi 1.2 ton drogë, armë dhe tritol të futur nga Porti i Durrësit dhe ku u arrestuan 8 persona. Vetëm, pasi ka mbërritur në Bari, ngarkesa me drogë dhe armë është zbuluar nga Policia italiane. Ky trafik droge nga Shqipëria ka tronditur mbarë vendet europiane. Situata është përkeqësuar edhe më shumë, pasi tashmë pjesë e trafikut të paligjshëm, të biznesit kriminal të drogës janë bërë dhe armët.
Po ditën e djeshme është goditur në Itali një grup trafikantësh shqiptarë të lëndëve narkotike. Komanda Provinciale e Bolonjës përfundoi operacionin “Valkyria”, që çoi në zbulimin dhe shkatërrimin e një organizate që trafikonte kokainë në lokalet e natës. Janë arrestuar katër shtetas shqiptarë që për shpërndarjen e drogës përdornin gra dhe fëmijë, për të mos ngjallur dyshime. Përveç 36 kilogramëve kokainë, u zbuluan edhe aparatura për kapjen e frekuencave, pajisje për zbulimin e mikrofonave dhe sasi të mëdha parash.

Italia e alarmuar për drogën nga Shqipëria

Prej kohësh, Italia ka dhënë alarmin për trafikun e drogës që kalon nga Shqipëria, ndërsa kohët e fundit krahas drogës po dërgohen drejt Italisë edhe armë. Sipas policisë italiane, tani nuk flitet vetëm për trafik droge, por edhe për trafik armësh dhe tritoli. Alarmi është dhënë edhe nga mediat italiane, por ky trafik nuk ndalet. Ngarkesa e bllokuar në Portin e Barit ka kaluar pa më të voglin problem nga Porti i Durrësit, i cili kontrollohet tërësisht nga klani kriminal i Tahirit dhe Ramës në polici. Ndonëse në port dhe në të gjitha pikat kufitare ka forca të shumta të policisë, droga dhe armët kalojnë pa asnjë problem drejt Italisë.
Një operacion i zhvilluar nga policia italiane para disa ditësh ka bërë të mundur shkatërrimin e një bande, duke arrestuar 22 shqiptarë. Mediat italiane shkruajnë se grupi i shqiptarëve ishin pjesë e një organizate kriminale që merrej me shitje të lëndëve narkotike, grabitje të pasurive dhe vjedhje me armë, transmeton oraneës. Të paktën 100 punonjës policie janë angazhuar në operacion. Baza logjistike e bandës ishte në Torvaianica, Pomezia dhe Ardea si dhe në rrethinat. Ata vepronin kryesisht në zonat me dendësi të lartë të shtetasve të huaj që jetonin në Itali. Gjatë hetimeve janë sekuestruar 350 kg drogë e llojit marijuanë, 500 gramë kokainë, dy armë, etj.

R.POLISI

Artikulli paraprakKryetarja e FRESH në Shkodër: Kjo nuk është partia ime
Artikulli tjetërQindra denoncime, OSHEE u kërkon qytetarëve para kesh në dorë pa fatura