Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata ka vendosur sekuestrimin e 7 apartamenteve, 2 garazheve, 2 dyqaneve dhe një sipërfaqe tokë arë, në emër të ish-deputetit Mark Frroku, në vijim të hetimit pasuror të nisur ndaj tij. I pandehuri Frroku, aktualisht është në gjykim për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Fshehjes së pasurisë…”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Ndërtimit të paligjshëm”.
I pandehuri Frroku po gjykohet në Shqipëri për akuzat se, në bashkëpunim, ka vrarë një shtetas shqiptar në Belgjikë, në vitin 1999. Sipas hetimit të autoriteteve belge, të cilat përcollën aktet pranë Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, Frroku dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë kanë vrarë një bashkëkombasin e tyre, pas konflikteve për trafikun e prostitucionit. Po ashtu, i pandehuri rezulton gjithashtu se është i dënuar nga Gjykata e Amsterdamit me 3 vjet burgim në vitin 2002, si i përfshirë në veprimtarinë e paligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike, duke përdorur emrin Piro Sofrani.
Nisur nga këto të dhëna, Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin pasuror ndaj të pandehurit Frroku. Në vijim të këtij hetimi, ka rezultuar se Mark Frroku, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, ka deklaruar pasurinë. Nga ekspertiza kontabël ka rezultuar se i pandehuri Frroku nuk justifikonte me burime të ligjshme një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij. Nisur nga e shkuara e tij kriminale, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se një pjesë e pasurisë së tij është krijuar nga burime të paligjshme, kryesisht nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotrafikut dhe të prostitucionit.
Për këto arsye, Prokuroria për Krime të Rënda evidentoi asetet e paluajtshme në emër të tij dhe kërkoi sekuestrimin e tyre. Kërkesa e Prokurorisë u pranua nga Gjykata për Krime të Rënda, e cila urdhëroi sekuestrimin e pasurive, si vijon:
Apartamente
1. Apartament me sipërfaqe 56.84 m2 në Orikum
2. Apartament me sipërfaqe 78.66 m2 në Orikum
3. Apartament me sipërfaqe 69.6 m2 në Shëngjin, Lezhë
4. Apartament me sipërfaqe 49.3 m2 në Shëngjin, Lezhë
5. Apartament me sipërfaqe 55.2 m2 në Shëngjin, Lezhë
6. Apartament me sipërfaqe 100 m2 në Kashar, Tiranë
7. Apartament me sipërfaqe 100 m2 në Kashar, Tiranë
Dyqane
8. Dyqan me sipërfaqe 133 m2 në Tiranë
9. Dyqan me sipërfaqe 175 m2 në Tiranë
Garazhe (bodrume)
10. Bodrum 11.6 m2 në Shëngjin, Lezhë
11. Bodrum 11.6 m2 në Shëngjin, Lezhë
Tokë arë
12. Tokë arë me sipërfaqe 6000 m2, në “Grykë Lumi”, Lezhë
Mark Frroku po gjykohet për 4 vepra penale, atë të vrasjes së një shqiptari në Belgjikë, mosdeklarimit të mbi 2 milionë dollarëve pasuri, pastrimit të parave nga trafiku i drogës dhe ndërtimit të paligjshëm. Sipas Prokurorisë, ka prova se Mark Frroku në bashkëpunim me tre persona të tjerë, kanë vrarë Aleksandër Kurtin në vitin 1999 në Belgjikë.