Rojet bregdetare italiane të qytetit të Barit në bashkëpunim me atë të qytetit të Tarantos kanë sekuestruar në ujërat italiane 170 kg marijuanë e ardhur nga Shqipëria drejt Italisë. Lënda narkotike transportohej e paketuar në thasë të mëdhenj plastikë në bordin e një gomoneje që udhëtonte nga brigjet e Shqipërisë drejt Italisë.
Ka qenë një helikopter gjerman i forcave europiane të Operacionit Triton, i cili ka individualizuar praninë e kësaj gomoneje të dyshimtë të mbushur me thasë plastikë e që lundronte në ujërat ndërkombëtare mes Shqipërisë e Italisë.
Menjëherë janë aktivizuar rojet bregdetare italiane të qytetit të Barit e të Tarantos si dhe Policia Financiare që janë vënë në ndjekje të gomones. Skafistët sapo kanë nuhatur praninë e policisë italiane kanë braktisur lëndën narkotike në mes të detit duke ndryshuar drejtimin e duke u ktheyr drejt brigjeve shqiptare.
Policia Financiare italiane ka sekuestruar në det 170 kg marijuanë të hedhur nga skafistët ndërsa ka lajmëruar autoritetet shqiptare për gomonen me skafistë që kanë lundruar drejt brigjeve shqiptare. Prokuroria italiane ka nisur hetimet mbi këtë ngjarje.