Eduard Selami njohu dje demokratët e Lezhës me platformën e tij që e cilësoi si fituese dhe konfirmoi se nga kjo garë, Partia Demokratike do të dalë më e fortë. Ai premtoi afrimin e partisë tek vlerat e qendrës së djathtë. Eduard Selami e quajti problemin më të madh në Partinë Demokratike mungesën e demokracisë së brendshme dhe premtoi vendosje të meritokracisë dhe respektim të rregullave të lojës. Ish-kryetari i Partisë Demokratike deri në vitin 1995, Eduard Selami, pas 22 vitesh kërkon sërish mbështetjen e demokratëve për t’u rikthyer në drejtimin e partisë më të madhe të së djathtës. Fushatën Selami e ka nisur në qytetin e Lezhës, ndërsa ka theksuar se humbja e thellë më 25 qershor nuk vjen si rezutat i strategjisë së PD-së në javët apo muajt e fundit, por është një problem edhe më i thellë. Mungesa e demokracisë së brendshme është themelore për krizën që ka Partia Demokratike, sipas tij. “Kam bindjen që aty ku janë krizat janë dhe oportunitetet që ne të dalim më të fortë nga kjo gjë. Kam besim të patundur që së bashku nga kjo garë, që do të jetë një garë civile, demokratike brenda shtëpisë, ne do të dalim më të fortë. Ka ardhur koha që shumë gjëra ne si demokratë t’i shikojmë në sy, të gjejmë dhe arsyet kryesore se përse ne nuk arritëm të fitonim në këto zgjedhje”, tha Selami. Ai shprehu rëndësinë e forcimit të strukturave dhe organizimit të PD. “Për fat të keq PD nuk funksionon në strukturat e saj, në organizimin e saj, në përzgjedhjen e kandidatëve mbi bazën e vlerave më të mira të demokracisë dhe konkurrencës. Meritokracia nuk është fatkeqësisht themeli i karrierës në PD. Ne këtë e dimë, e ndjejmë, ne këtë duhet ta korrigjojmë. Ka shumë prej tyre që më thonë që përse merr pjesë në një garë, e cila duket që është e pabarabartë. Kritikëve të mi u them që është më mirë një tokë e punuar keq, se një tokë e lënë djerrë”. Në Lezhë Selami u përball me pyetjet e militantëve, që lidheshin me qëndrimin e tij në SHBA, vizionin apo rolin e tij në këtë fushatë elektorale.