Selami: Nuk funksionojnë meritokracia e kontributet

Martin DEDA

Reflektimi mbi përgjegjësitë dhe projektimi i të ardhmes, fryma e përbashkët e dy kandidatëve për kryetar të PDSH.
Në takimet që kanë zhvilluar me anëtarët e PD në Lezhë, kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, Basha dhe Selami kanë shpalosur platformën e tyre për drejtimin e PD për katër vitet e ardhshme dhe kanë kërkuar mbështetjen e demokratëve lezhianë. Nga ana e tyre të dy kandidatët pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme kanë qenë në një linjë teksa kanë kërkuar domosdoshmërinë e përbashkimit drejt një kauze të përbashkët dhe projektimit të së ardhmes për një ringritje dhe qëndresë dhe vendosmërisë për të triumfuar mbi mafien e blerjes së votave, si dhe kanë ndarë të njëjtin qëndrim në lidhje me zgjedhjet e 25 qershorit 2017, në të cilat nuk humbi PD, por ka humbur e gjithë Shqipëria, pasi vota e shqiptarëve u deformua si rezultat i blerjeve masive që iu bë asaj nga ana e dy partive që vinin nga një bashkëqeverisje katërvjeçare PS dhe LSI, por që u ndanë në luftën e ashpër me njëra-tjetrën për të blerë sa më shumë vota. Takimet ishin programuar me të njëjtin format, ku secili kandidat shpalosi platformën e tij për drejtimin e PD në katër vitet e ardhshme dhe më pas kanë qenë të hapur për pyetjet dhe mendimet e demokratëve të pranishëm.
Kandidati për kryetar të PD, Selami deklaroi nga Lezha se në zgjedhjet e 25 qershorit nuk ka humbur vetëm PD, por e gjithë Shqipëria. Për Selamin, Partia Demokratike duhet t’i kthehet programit të saj si forcë politike e djathtë dhe e kontakteve me njerëzit për t’u rikthyer shpresa e shqiptarëve.
“Është kënaqësi dhe nder për mua që startoj pikërisht këtu nga Lezha, garën për kryetar të Partisë Demokratike. Me shumë prej jush njihem që në fillesat e krijimit të PD dhe me ju tjerët është kënaqësi që bashkëbisedoj për të ndarë bashkërisht shqetësimin e një krize që PD po kalon me disfatën e humbjes së madhe në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, që nuk ishte humbje vetëm e PD, por e gjithë shqiptarëve”, tha Selami.
Selami është shprehur se askush nuk përjashtohet nga gabimet, ndërsa ka deklaruar se edhe ai vetë ka përgjegjësinë e tij në rezultatin e 25 qershorit.
“Ka mendime të ndryshme në lidhje me këtë që ndodhi, por aty ku janë kritikat ka edhe oportunitet për të tejkaluar situatën. Ka ardhur koha që gjërat t’i shikojmë në sy dhe ashtu siç në fakt ato janë, dhe secili të reflektojmë e të nxjerrim përgjithësitë tona. Edhe unë s’mund të shmangem nga përgjegjësitë e mia, por të jeni të bindur se problemet në Partinë Demokratike nuk janë momentale, por të trashëguara, të cilat kanë ardhur si rezultat i mosfunksionimit organizativ të saj në bazë të Statutit”, tha Selami.
Për kandidatin për kryetar të PD, në PD ka shumë gjëra që nuk funksionojnë. Ai ka deklaruar se meritokracia dhe kontributet nuk funksionojnë tek neni i karrierës në PD.
“Meritokracia dhe kontributet nuk funksionojnë tek neni i karrierës në PD. Drejtuesit dhe përfaqësuesit e PD krijuan një hendek të madh së pari me vetë anëtarësinë e PD dhe pastaj me elektoratin shqiptar. Ne krijuam distancë me intelektualët, të rinjtë dhe të rejat dhe promovimin e tyre, pronarët, shtresën e të persekutuarve, ne lëvizëm nga parimet dhe themelet e një partie të djathtë. Ndaj lipset menjëherë që të rikthehemi në origjinën tonë, në programin tonë të djathtë mbi të cilat u themeluam dhe arritëm një sërë suksesesh ndër vite”, tha Selami.
Modeli për daljen nga situata e vështirë sipas Selamit duhet kërkuar tek partitë simotra europiane të Partive Popullore.
“Modeli se si duhet të jemi ne, nuk duhet kërkuar gjetkë, por tek simotrat e djathta të Partive Evropiane. Për mua ‘Është më mirë një tokë e punuar keq sesa një tokë e lënë djerrë’, ndaj ne duhet të bashkohemi për ta nxjerrë forcën tonë politike nga kjo situatë që e ka mbërthyer. PD është në një situatë më të keqe sesa në fillesat e saj, ndaj sa nuk është vonë është koha të ndërhyjmë në rregullimin e saj, së pari duke e rikthyer PD në programin mbi të cilin ajo u ngrit si forcë e djathtë ashtu si dhe simotrat e saj në Evropë”, tha Selami. Ai ka qenë kritik edhe me përzgjedhjen nga një individ i vetëm të kandidaturave për deputetë dhe në institucione të tjera të larta të shtetit, ndërsa është deklaruar në ndryshime në program dhe Statut.
“Programi dhe Statuti i Partisë Demokratike kërkojnë një revizionim të plotë, ku secili anëtar i Partisë Demokratike në të gjitha nivelet organizative të saj duhet të thotë fjalën e tij dhe të ndihet i përfaqësuar. Të marrë njëherë e mirë fund, përzgjedhja e deputetëve dhe drejtuesve të tjerë në ekzekutiv dhe strukturat drejtuese të partisë nga një person kushdo qoftë ai dhe kjo të jetë ekskluzivitet i anëtarësisë së partisë dhe në bazë të kontributeve dhe meritokracisë të secilit kandidat”, tha Selami.
Selami ka deklaruar se PD është larguar nga elektorati i saj dhe nga demokratët.
“Nëse do të jem kryetar i PD ju siguroj se ju do të jeni ata që do të zgjidhni vetë përfaqësuesit tuaj. Dhe këto gjëra duhet t’i fillojmë së pari brenda shtëpisë tonë, për të fituar sfidën për të qenë shpresë e demokratëve dhe pa qenë shpresë e demokratëve nuk mund të jemi shpresë për shqiptarët. Ne kemi qenë shpresë për shqiptarët, por tani nuk jemi më shpresë e tyre, pasi jemi larguar nga programi ynë, jemi larguar nga elektorati ynë dhe jemi larguar nga shtresat elitare dhe të persekutuarit politikë, jemi larguar nga parimet dhe programi ynë, thënë ndryshe jemi larguar nga njerëzit dhe hallet e tyre”, tha Selami.
Ai ka bërë thirrje për bashkim në PD të të gjithë demokratëve. “Dhe në këto kushte na duhet të bashkohemi dhe të rikthejmë shpresën tek shqiptarët, të cilët kanë nevojë t’u rikthehet shpresa tek liria dhe e ardhmja. Ne duhet të bëhemi misionarët dhe garantuesit e shpresës së shqiptarëve”, ka përfunduar fjalimin e tij z. Eduart Selami.

Artikulli paraprakMziu – Dogjani debati për Kamzën
Artikulli tjetërMarrëveshja nuk e frenoi delegjitimimin e zgjedhjeve