Kandidati për kryetar të PD, Eduard Selami ka propozuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve për kreun e PD, datë që është përcaktuar për më 22 korrik. Në një deklaratë për mediat, Selami tha se është koha që PD të shndërrohet në një forcë shprese për shqiptarët.
Selami tha për mediat se ka propozuar që zgjedhjet të zhvillohen javën e parë të shtatorit. Ai e cilëson garën për kreun e PD si një garë në të cilën do të përballen programe e vizione. Selami shprehu bindjen se do të gjejë mbështetjen e demokratëve.
“Unë nuk isha në grupin organizator, pavarësisht se i kontaktuar me ta. Unë tani u takova me kandidatin tjetër, zotin Basha dhe biseda ka qëllim pikërisht këtë, për të bërë një garë sa më të pastër, një garë sa më të mirë për të dalë sa më të fortë nga kjo. Ne u takuam me simpatizantët e thjeshtë atje, edhe unë i bëra një vërejtje shoqërore kandidatit Basha që e ka filluar pak me vonesë sepse unë e kisha shoqëruar. Kjo është një garë brenda familjes, kjo është një garë vizionesh. Ka kohë që unë kam marrë qëndrim ndaj zotit Basha edhe kur ishte kryetar që ky model është model i kapërcyer, që ne të kthehemi në shpresë për shqiptarët PD ka për mision që të prezantojë para shqiptarëve një lidership të ri, një lidership bashkëkohor, lidership demokratik për të cilin unë them që fatkeqësisht zoti Basha nuk e ka dhe këto zgjedhje këto provuan. Unë kam bindjen se unë mund ta bëj këtë gjë dhe kam shpresë që demokratët do ta përkrahin siç e kanë përkrahur në Njësinë 2 ku unë jam”, u shpreh Selami.
Ai deklaron se nuk do të tërhiqet nga gara për kreun e PD, ndërsa mbështeti idenë e shtyrjes së zgjedhjeve të 22 korrikut.
“I sugjerova që data 22 korrik është datë që mua nuk më jep kohë të mjaftueshme për të bërë fushatë dhe unë propozoj si kompromis që të jetë java e parë e shtatorit, me arsyen që ne na duhet në grupin parlamentar të kemi lidershipin e ri.
Zoti Basha më tha që kjo është kompetencë që është jashtë duarve të tij dhe është e komisionit organizativ. Unë mendoj që një shtyrje e tillë do të jepte më shumë mundësi për ne. Për dorëheqjen unë e kam thënë mendimin tim. Nëse do të isha në vendin e zotit Basha unë do të kisha dhënë dorëheqjen për të krijuar një garë më të drejtë. Ky është vendimi i tij.
Unë do të vazhdoj garën sepse mendoj që një garë e pastër dhe e ndershme, është në interes të PD dhe interes të të gjithëve”, tha Selami. I pyetur mbi respektimin e Statutit, Selami tha se zgjidhjet duhet të vijnë në mënyrë institucionale. “Unë ndaj shqetësimin e grupeve të tjera. Nuk ndaj mënyrën e zgjidhjes së kësaj gjëje. Unë mendoj se zgjidhja duhet të jenë institucionale. Sa për shqetësimin për Statutin unë them që komisioni organizativ do ta japë mendimin e tij, unë e dhashë mendimin tim që gara të jetë më e drejtë, më e pastër, por unë nuk mendoj që kjo të na bëjë ne që të bllokojmë të gjithë procesin sepse kjo do ta fuste PD në një spirale të pakëndshme, do të dobësonte opozitën në Shqipëri dhe kjo nuk është në interes as të PD as të Shqipërisë”, u shpreh Selami.