SELEKSIONI I LIBERALE/ 10 librat më të mirë ‘Nonfiction’ për vitit 2023

Ka nga ata që ndezën diskutime në jetën kulturore të qytetit, por edhe të tjerë që mund t’i kenë shpëtuar vëmendjes së lexuesit. Të gjithë libra shqip. Një guidë për t’u orientuar në leximet e pushimeve të dimrit dhe një ide për të bërë dhurata. Gëzuar me një libër!

Autorë bestseller, klasikë, nobelistë, romane e përmbledhje poetike, libra të debatuar e polemikë…Panairi i Librit, si çdo vit, i mbledh të gjithë nën një çadër. Aty ku për një javë libri kthehet në kryefjalë dhe ku shtëpitë botuese ekspozojnë botimet më të reja.

Gazeta dhe Revista Liberale sjell një listë me 10 më të mirët e letërsisë artistike dhe ata nonfiction, të botuar këtë vit.  Një listë që fokusohet vetëm tek autorët e hapësirës shqiptare, për t’i dhënë më shumë zë dhe për ta promovuar edhe përtej ditëve të panairit.

10-shja më e mirë “NON FICTION E VITIT 2023” 

Apostulli”  nga Ilir Ikonomi

SELEKSIONI I LIBERALE/ 10 librat më të mirë

Apostulli është libri i parë i një biografie të re për Fan Nolin.  Në këtë vëllim prej 430 faqesh, botim i UET Press, Ikonomi na jep një përshkrim realist dhe me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon me arritjen e tij në Amerikë në vitin 1906 dhe mbaron në vitin 1920, kur ai u largua për në Shqipëri. Si  personazh i shumanshëm, autorit i është dashur të shkrijë në libër një material biografik që ngërthen disa fusha njëherazi. Jeta e Nolit jepet e lidhur ngushtë me sfondin historik të Shqipërisë. Lexuesi ka rast të krijojë një ide të mirë se nëpër çfarë ndryshimesh po kalonin fatet e vendit në atë periudhë tronditjesh gjeopolitike që përjetonte Ballkani.

“Zbulimi i Erosit në antikitet”, Artan Fuga

SELEKSIONI I LIBERALE/ 10 librat më të mirë

Rruga e vërtetë e dashurisë, ku njeriu hyn i frymëzuar nga vetja e tij apo lejon që atje ta drejtojnë të tjerët, është kur niset nga bukuria empirike dhe ngjitet pa pushim drejt bukurisë mbinatyrore duke kaluar hap pas hapi nga dashuria për një trup të bukur në atë për dy trupa të bukur; nga dashuria për dy trupa të bukur te ajo për të gjithë trupat e bukur; pastaj kur kalon nga trupat e bukur te veprimet e bukura; më tej, kur kapërcen nga veprimet e bukura te shkencat e bukura; për të arritur që nga shkencat të ngjitet te ajo shkencë që nuk është tjetër veçse shkenca e bukurisë absolute; për të njohur së fundmi të bukurën, ashtu sikurse ajo është në vetvete.

“Njeriu si një tjetër”, Natasha Lako

SELEKSIONI I LIBERALE/ 10 librat më të mirë

Nga këto shkrime të vendosura një herë e mirë njëra pas tjetrës, edhe unë ndiej se sa të çmuara janë udhëtimet e njeriut në botën e madhe të letërsisë dhe artit, ku gjithkush gjen një vete tjetër, duke u shëruar gjithnjë e më shumë nga uni agresiv që shfaqet në sistemet e komunikimeve të shpejta. Sa më të rëndësishme bëhen fatet kolektive për historinë e një vendi, aq më shumë ato ndërlidhen me fatet personale nga njëri skaj në skajin tjetër të botës. Dhe si nga një gjumë i rëndë prej të cilit porsa jemi zgjuar, gjendemi edhe më pranë Naim Frashërit e Uollt Uitmanit, bashkëkohës të njëri-tjetrit, dy personalitete, që, si për shumë shqiptarë të tjerë, kanë plotësuar edhe ndërgjegjen time…

“Shqipëria dhe fundshekulli i  dëshpëruar”, Pëllumb Xhufi

SELEKSIONI I LIBERALE/ 10 librat më të mirë

…Shqiptarët ndiheshin të braktisur edhe nga paria e vendit. Një pjesë e saj kishte braktisur vendin për t’u shkrirë në fisnikërinë veneciane e napoletane. Ata që qëndruan u vunë në shërbim të regjimit të ri, duke u njësuar edhe në fe me pushtuesin. Fillon një periudhë depresioni, tregues kryesor i të cilit është islamizimi masiv i popullsisë dhe squllja e frymës së qëndresës. Kështu, kur trupat veneciane mësynë mbi Kaninën e Vlorën, më 1690, dhe mbi Ulqinin, më 1696 e më 1718, ndeshën në qëndresën e egër të banorëve, dikur aleatë, që tani i konsideronin pushtues. Ndryshe ishte pritur më 1689 zbritja në Kosovë e habsburgëve.

“Takimet e mia me…”,  Blendi Fevziu

SELEKSIONI I LIBERALE/ 10 librat më të mirë

…Kur shkruaja këtë libër, pata ndjesinë që jam njeri me fat. Nuk qëllon shpesh, qoftë edhe si gazetar, të takosh kaq shumë personazhe më peshë në jetën e një populli, të udhëtosh me ta apo të depërtosh në sekretet më të thella të vendimeve që kanë shenjuar historinë.

Ndaj mendoj se ky libër është një homazh për ta, sa ç’është edhe një kontribut për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për historinë e vendit të tyre, për shoqërinë, për personazhet që e dominuan jetën e qytetit në kohë e forma të ndryshme dhe që tani kanë hapur rrugën për një udhëtim të ri. Të atyre që vijnë pas…Shumica e personazheve nuk jetojnë më. Një pjesë tjetër janë tërhequr me kohë nga jeta aktive. Ka të tjerë që janë ende në kulmet e karrierës dhe fuqisë së tyre politike.

“Frashër i shquar, i panjohur”, Thomas Frashëri

SELEKSIONI I LIBERALE/ 10 librat më të mirë

Në këtë liërvjen historia e një prej familjeve më të shquara të historisë së Shqipërisë,  por njëherësh e njohur edhe në Perandorinë Osmane, – shkruar nga Thomas Frashëri, – me fakte që dalin për herë të parë para publikut. Nuk është thjesht një histori familjare…

“Historia e jezuitëve në Shqipëri”, Ines Murzaka

Në vitin 1841, tre jezuitë mbërritën në qytetin e Shkodrës në Shqipërinë veriore. Tre jezuitët ishin Vincenzo Basile, Giuseppe Guagliata dhe Salvatore Bartoli. Vincenzo Basile ishte themeluesi i misionit jezuit shqiptar. Historia e jezuitëve në Shqipëri ( 1841-1946), të autores Ines Murzaku, profesore e religjionit dhe drejtoreshë e studimeve katolike në Seton Hall University në New Jersey. Libri, si pasqyrë e kontributit të jashtëzakonshëm të jezuitëve në Shqipëri, do të jetë një vlerë e shtuar njohëse, si dhe divulgative për lexuesin e interesuar, si dhe për një publik të gjerë.

“Një urë fjalësh mes nesh dhe tjetrit”, Namir Lapardhaja

SELEKSIONI I LIBERALE/ 10 librat më të mirë

…Letërsia ka shërbyer si kurë për mijëra njerëz. Një kurë edhe për shumë shqiptarë, që të vetmen arratisje, gjatë diktaturës, gjatë izolimit, kishin librat, letërsinë e Kadaresë. Një dritare ku shihnin botën, një dimension ku mund të ishin të lirë. Autori e bën të qartë që nuk ka ndjekur ndonjë teori strikte interpretimi, duke e lënë po aq subjektive dhe të lirë  pikëvështrimin e tij mbi vepra dhe autorë, sa edhe vetë veprat ua lënë lexuesve. Ky është gjithashtu një tekst që mund t’u vijë në ndihmë studentëve të arteve, atyre të letërsisë si një njohje dhe orientim në botën e letrave shqipe.

“Relatat italo-shqiptare, 1910 – 1939”, Tanush Frashëri

SELEKSIONI I LIBERALE/ 10 librat më të mirë

… në etapën e Musolinit, mendohej që Shqipëria të ishte e pavarur dhe me kufijtë e pacaktuar si në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ndërsa penetrimi i Italisë nisi në atë kohë kur u pa se situata e vendit ishte fare përtokë. Tanush Frashëri, autor i disa librave historikë dhe i kërkimeve shumëvjeçare nëpër arkivat e bibliotekave të vendeve të ndryshme të Europës, sjell botimin e ri si një ndihmesë historike bazuar në dokumentet arkivore e ato të botuara.

“Në kërkim të valleve e kangës shkodrane”, Robert Prenushi

SELEKSIONI I LIBERALE/ 10 librat më të mirë

Studimi “Në kërkim të origjinës së Valleve e Kangës shkodrane” është një përpjekje për të vërtetuar burimin e lashtë dhe origjinal të një pasurie muzikore e etnografike të qytetit të Shkodrës, në shekullin XV. Duke iu drejtuar historisë dhe muzikologjisë, autori analizon eksperiencat e tij personale si dhe shembujt e regjistruar në ekspeditat folklorike, duke filluar nga dukuritë e para muzikore.

Artikulli paraprakBilanci i krimit në 2023/ “Vetëm një atentat mafioz i zbardhur gjithë vitin”, gazetari: E vërteta për Ervis Martinajn mbahet e fshehur nga…
Artikulli tjetërBota sot sipas besimeve fetare, arsyet pse së shpejti njerëzimi do të dominohet nga muslimanët