Besmir Semanaj, ekspert i sigurisë kibernetike tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se ka disa të dhëna që vërtetojnë se nuk është hakeruar vetëm uebsajti i Kuvendit, por grupet që kanë sulmuar, kanë hyre edhe tek serverat e brendshëm.
I ndalur tek sulmi kibernetik i kompanisë ONE, Semanaj theksoi se është dëmtuar rrjeti i IT-së, i cili nuk e dëmton qytetarin duke shtuar se nëse do të kishim sulm bërthame e gjithë Shqipëria do të ishte në “black out”.
Kemi të bëjnë me të njëjtën tipologji sulmi duke qenë se organizohet nga i njëjti grup dhe është marrë përsipër nga i njëjti grup. Këto dy sulme duhet t’i dënojmë se janë sulme kriminale që organizohen si nga institucionet shtetërore dhe nga institucionet private.
Zyra e Kuvendit ka lëshuar një deklaratë ku thotë që asnjë e dhënë nuk është marrë nga sistemet. Nuk kemi të bëjmë vetëm me një hakerim të uebsajtit, se po të ishte vetëm uebsajti do ishte kthyer online brenda disa orëve, por kemi të bëjmë me sisteme të brendshme të Kuvendit, që tregon akses në nivel aktiv dhe që kanë mundur të korruptojnë dhe serverat e brendshëm. Nga ana tjetër kemi dhe grupin e hakerave që pretendon që informacione nga serverat e Kuvendit janë marrë.
Sa i përket hakerimit të ONE, kuptohet nuk është risi. Në të gjithë botën, një nga shënjestrat kryesore të grupeve të hakerave kur duan të dëmtojnë një shtet janë kompanitë e celularëve. Qytetarët telekomunikacionin e lidhin me internetin te shtëpia dhe telefonat që mbajmë në dorë. Tek ONE, nëse do kishim hakerim në nivel bërthame, Shqipëria duhet të ishte në ‘black out’. Duhet të falënderojmë Zotin dhe ata që punojnë aty që nuk jemi në ‘black out’.
Telekomunikacioni është shtylla kryesore e ekonomisë dhe jetës së çdo qytetari. Nëse do kishim një sulm paralel të ONE dhe Vodafone sot Shqipëria do të kishte qenë e gjunjëzuar, që nga kjo intervistë që nuk do ishim duke e bërë e deri tek statuset banale pa pikë informacioni. Nuk do ishte mundësia të tërhiqej pagën nga bankomatet.
Nga ajo që kam parë nga videot dhe informacion ONE është dëmtuar në pjesën e rrjetit të IT-së.
Nuk ka diçka që po dëmton qytetarin, por po i shkakton kosto financiare kompanisë.
Më tej, Semanaj përjashtoi mundësinë që këto sulme të jenë kryer nga shtetas shqiptarë.
Nuk besoj se kemi aq kapacitete për të kryer sulme kaq të sofistikuara nga shtetas shqiptar. Kemi shtetas që mund të infiltrohen kundrejt pagesave, korruptimit, por nuk besoj se janë shtetas shqiptarë që kanë kryer këto sulme. Nuk po flasim për sulme ndaj institucioneve shtetërore, por dhe biznesit privat. Para ca muajsh kishim sulme të ngjashme kundër disa bankave.