Sëmundja e Spanjës

Një vend pa një qeveri funksionale prej rreth një viti, pavarësisht dy zgjedhjeve, dy votëbesimeve të Parlamentit dhe orëve të pambarimta të negociatave publike dhe në prapaskenë. Një sistem politik dikur i parashikueshëm bipatriak që sot është shkatërruar nga ardhja e formacioneve të reja dhe më dinamike. Të dy partitë tradicionale njëra e goditur nga hetimet e vazhdueshme dhe akuzat për korrupsion dhe tjetra e gjunjëzuar dhe me kokë të prerë nga luftërat e brendshme të egra. Një lider i destinuar që të fitojë, por i paaftë që të sigurojë një mazhorancë të qëndrueshme dhe i gjymtuar nga një përqindje pëlqimi në minimumet historike. Një klasë politike që gjithnjë e më shumë bëhet objekt përçmimi nga ana e popullsisë tashmë rrezikon që të jetë objekt ndërkombëtar talljeje. Rajoni ekonomikisht më dinamik i vendit i qeverisur nga lëvizje indipendentiste që në shumë seanca dhe me besueshmëri të ndryshueshme lajmërojnë operacione “shkëputjeje unilaterale”. Po ta shikosh fluturimthi situatën e sistemit politik të Spanjës, të duket sikur vendi është në pragun e kolapsit: paralizë institucionale, moskomunikueshmëri midis partive, mosbesim në rritje nga ana e votuesve janë përbërësit e një prej krizave politike më të veçanta të historisë së vonshme europiane.
Zyrtarisht, kriza ka nisur më 20 dhjetor të vitit të kaluar, kur zgjedhjet e përgjithshme për rinovimin e Cortes-it, Parlamentit spanjoll, nuk kanë dhënë asnjë mazhorancë numerikisht të fortë aq sa duhej për të formuar një qeveri. Partia Popullore (PP) e Kryeministrit në fuqi, Mariano Rajoy, që dilte nga 4 vite lotë, gjak dhe skandale korrupsioni, ishte ende më e votuara, por mazhoranca e saj ishte krasitur ndjeshëm nga pakënaqësia popullore dhe nga ngjitja e një lëvizjeje centriste dhe rinovuese si Ciudadanos. Nga ana tjetër e spektrit politik, Partia Socialiste (PSOE) historike, e drejtuar nga Pedro Sanchez, lider i ri dhe dinamik që kishte bërë debutimin europian të tij bashkë me italianin, Matteo Renzi dhe me francezin, Manuel Valls pothuajse një vit më parë, kishte pësuar humbjen më të rëndë të historisë së saj, e kërcënuar nga e djathta gjithmonë nga Ciudadanos dhe nga e majta nga Podemos, formacion i së majtës ekstreme dhe antisistem i lindur një vit më parë nga gërmadhat e protestave të indignados të Puerta del Sol. Pak e mësuar me kompromis dhe më koalicione të mëdhenj, klasa politike spanjolle është treguar jashtëzakonisht e paaftë ndaj situatës së re. Rajoy, teknokrat i regjur, e ka bërë pritshmërinë jo vetëm një strategji politike, por edhe një filozofi jete dhe i ka mbajtur kartat e tij të mbuluara për muaj të tërë.
Liderët e rinj të dy partive të reja, Albert Rivera i Ciudadanos dhe Pablo Iglesias i Podemos, e kishin bërë fatin e tyre mbi ndjenjën e lodhjes së spanjollëve me politikën e vjetër dhe për muaj nuk kanë qenë të gatshëm të bien në ujdi me të. Lideri dinamik socialist Sanchez është treguar me provën e fakteve shumë më pak dinamik dhe shumë më i papërvojë se parashikimi dhe sidomos më shumë i zënë me faktin që të mos kishte armiq në majtë sesa t’i jepte një qeveri vendit. Një fazë e parë negociatash plot ngecje dhe votëbesimesh të dështuara ka vazhduar dhembshëm deri në përsëritjen e zgjedhjeve, më 26 qershor të këtij viti. Por nga kutitë nuk ka dalë asnjë risi (Rajoy ka dalë pak më mirë, të gjithë të tjerët pak më keq, por ende asnjë mazhorancë) dhe një fazë e dytë negociatash plot ngecje dhe votëbesimesh të dështuara ka vazhduar akoma edhe më dhembshëm derisa të bëjë të mundur të pamundurën: zgjedhje të treta, që për më tepër kalendari elektoral i parashikonte ditën e Krishtlindjes (një ligj i vogël ad hoc ka korrigjuar datën). Kështu, në prapaskenën e mediave lokale dhe në kronikat gjithnjë e më të habitura të gazetave të huaja, është nisur të flitet, megjithëse pa e cituar asnjëherë në mënyrë eksplicite, për sëmundjen spanjolle. Si ka mundësi që një prej vendeve politikisht më të qëndrueshëm të Europës – ku qeveritë kanë arritur gjithmonë në fund të mandatit të tyre, ku alternimi ishte një gjë e mërzitshme dhe e parashikueshme, ku ligji elektoral, i cili konsiderohej një shembull virtuoz për t’u ndjekur – ka gjeneruar një paralizë politike kaq vdekjeprurëse?
Arsyet e sëmundjes spanjolle janë një përzierje koinçidencash dhe fluksesh historike. Gjatë viteve të fundit, Spanja është prekur, si dhe më shumë se vendet e tjera të Perëndimit nga një ndjenjë e fortë antiestablishmenti, por që ka marrë forma të veçanta. Rast unik në Europë, në historinë demokratike të saj Spanja nuk ka pasur kurrë një lëvizje të vërtetë të së djathtës ekstreme, por edhe në këtë rast dëshira për rigjenerim ka shpërthyer tjetërkund: tek Podemos – udhëkryq midis instancave të indignados-ve e një eksperiment inxhinierie politike i lindur midis korridoreve të Universita Complutense të Madridit dhe zyrave ideologjike të regjimit venezuelian – dhe në mënyrë spekulare, tek Ciudadanos. Dy parti që sipas mënyrës së tyre nuk synojnë që ta trondisin establishmentin, por që të futen në të dhe për pasojë, jo mjaftueshëm kërcënues sa për t’i shtyrë partitë tradicionale në aleanca dhe në koalicione të mëdha. Në të kundërt, sa popullorët, aq edhe socialistët, kanë parë në ardhjen e partive emergjente një mundësi për të goditur rivalin historik respektiv. Veç kësaj, partitë tradicionale kanë nënvlerësuar krizën e besueshmërisë të provokuar nga njëra anë prej politikave të rreptësisë financiare të zbatuara gjatë viteve të krizës dhe nga ana tjetër nga skandalet e korrupsionit që kanë goditur sa popullorët aq edhe socialistët, me intensitet më të madh mbi të parët. Një klasë drejtuese në tërësinë e saj pak e prirur ndaj dialogut dhe kompromisit, e sfilitur nga përplasjet e ashpra të viteve të krizës, ka bërë pjesën tjetër. Për të zgjidhur paralizën do të duhej të shërbente ai Kryeministër bashkues që Rajoy nuk ka qenë kurrë, një udhëheqës opozite i arsyeshëm që Sanchez ka demonstruar se nuk është dhe një sistem që ende besonte tek bipartitizmi.
Asnjë prej këtyre kushteve nuk është vërtetuar dhe sëmundja spanjolle ka lulëzuar. Por paradoksi i vërtetë është fakti se, pavarësisht që pjesa më e madhe e simptomave që ka provokuar krizën tashmë është zhdukur, sëmundja nuk shërohet. Rigjallërimi ekonomik i Spanjës është një histori suksesi e festuar në të gjithë botën. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, më 2016 vendi do të rritet me 3.1 për qind, një prej shifrave më të larta midis vendeve të industrializuara dhe pas vitesh në të cilat sukseseve makroekonomike nuk u korrespondonin benefite për qytetarët, papunësia ka nisur të ulet në mënyrë konstante, teksa rriteshin shpenzimet e familjeve dhe besimi. Sigurisht, Spanja mbetet një prej vendeve me papunësinë më të lartë të kontinentit dhe raporti deficit/PBB jashtë parametrave e preokupon Europën, që kërcënon gjoba miliardëshe. Por kura e rreptë e imponuar nga Rajoy në 4 vitet e fundit dhe në Spanjë ka optimizëm, me kusht që të mos preket tema e situatës politike. Sëmundja spanjolle nuk është një gjendje sëmundjeje sistemike e Spanjës në tërësinë e saj, por e sistemit politik të saj. Jashtë nga pallatet e pushtetit, Spanja nuk ishte kaq mirë prej pothuajse një dekade, aq sa këto muaj është përhapur iluzioni optik sipas të cilit pa qeveri apo një qeveri që kryente funksionin si ajo e kryesuar sot nga Rajoy, vendi është më mirë se më parë. Është e vërtetë, vendi duket se marshon edhe pa lokomotivë falë decentralizimit të institucioneve spanjolle, që u japin pushtete të gjera guvernatorëve lokalë. Por siç e dinë të gjithë analistët, fati i mirë i ekonomisë është fryt i trashëgimisë së qeverisë Rajoy, që është gati të përfundojë: në qoftë se nuk do të miratohet shpejt ligji i buxhetit për 2017, vendi rrezikon që të bllokohet dhe nuk ka asnjë qeveri të zgjedhur që mund ta miratojë.
Sëmundja spanjolle po përkthehet edhe në një apati të përgjithshme. Zemërimi antiestablishment që Podemos dhe Ciudadanos kishin kalëruar në momentin e ngjitjes së tyre tani është transformuar në një çinteresim të zbehtë. Nacho Cardero, drejtor i gazetës online “El Confidencial”, ka thënë javën e kaluar për “New York Times” se, nga analiza e ecurisë së gazetës së tij deduktohet se artikujt mbi krizën politike, votëbesimet dhe traktativat për qeverinë, pas një piku fillestar nuk i lexon më askush. Edhe sondazhet, të paktën deri disa ditë më parë, tregonin se në rast zgjedhjesh të treta situata e partive gjithsesi nuk do të lëvizte, shenjë se paraliza politike në Spanjë është sistemike. Javën e kaluar Qendra e Investigimeve Sociologjike, instituti statistikor kryesor i Spanjës, ka botuar një sondazh sipas së cilës rreth 90 për qind e spanjollëve (87.1 për qind) mendon se situata politike e vendit është e keqe ose shumë e keqe. Indipendentizmi katalanas ose më mirë paaftësia e klasës politike të Madridit për ta refuzuar me bindje, është një tjetër sinjal i krizës. Guvernatori katalanas Carles Puigdemont – lider i një koalicioni indipendentist që për të qeverisur i është dashur të lidhë aleancë me CUP-in, lëvizjen antisistem krahasuar me të cilin Podemos duket një lidhje socialdemokratësh të moderuar – ka njoftuar kohët e fundit se do të mbajë një referendum për pavarësinë, edhe pa miratimin e Madridit dhe rinovuar një sfidë ndaj qeverisë qendrore që shkon prej vitesh.
Javën e kaluar Parlamenti vendor ka miratuar atë që gazetat kombëtare e quajnë “referendumi ilegal”. 3 nga 4 partitë kryesore spanjolle (përjashtohet Podemos, që lidhur me këtë problem adopton një perspektivë marksiste klasike dhe e konsideron vetëvendosjen si një çështje me rëndësi dytësore) janë ngurtësisht në favor të ruajtjes me çdo kusht të unitetit kombëtar, por edhe një herë akoma rivaliteti i brendshëm e ka minuar aftësinë e partive për të dhënë një përgjigje unitare dhe ka lejuar që kriza katalanase fillimisht të zgjatej dhe më pas të degjeneronte. Kuadri i palëvizshmërisë së situatës politike spanjolle ka pësuar një kthesë të papritur gjatë javëve të fundit. Presioni që paraliza politike ka ushtruar ndaj partive – mbi disiplinën e brendshme të tyre, mbi ruajtjen e elektoratit, mbi aftësinë për të mos devijuar nga linja e zgjedhur, për sa e pakuptuar të ishte ajo – në fund është e bërë e padurueshme për PSOE-në dhe Pedro Sanchez. Pas një serie të gjatë lëkundjesh sizmike, javën e kaluar Partia Socialiste e vjetër është copëtuar. Një rebelim i brendshëm kundër linjës së intrasigjencës të dëshiruar nga Sanchez, në planin e rebelëve të kryesuar nga krahu andaluzian i partisë, do të duhej ta largonte në mënyrë të pastër sekretarin dhe t’i jepte jetë një faze rinovimi. Por puçi ka dështuar dhe Sanchez ka dhënë dorëheqjen pas një jave luftërash të brendshme të fuqishme që e kanë PSOE-në e ndarë në dysh, të atomizuar dhe të cenueshme prej sulmeve nga e majta (Podemos) dhe nga e djathta PP-ja. Sanchez ka qenë gjithmonë pengesa kryesore për zgjidhjen e paralizës institucionale spanjolle (sipas matematikës parlamentare, Rajoy do të kishte nevojë për një grusht abstenimesh socialiste që të formonte një qeveri minorance), por shpërbërja e një prej dy partive historike të politikës spanjolle (që tani qeveriset nga një grup garantësh, por ka mundësi do t’i duhet të përballojë një shkretëtirë elektorale të gjatë) rrezikon të bëjë më shumë mirë sesa keq.
Mbi të gjitha sepse Podemos, që nga ana e vet po përjetonte një moment krize të fortë, por ja ka dalë në ndërmarrjen për të mos u përçarë, tani nuk ka diga imediate në votën nga e majta dhe pastaj sepse një rënie elektorale e socialistëve rrezikon që ta zhbilancojë përfundimisht një sistem bipolar tashmë të goditur për vdekje. Rajoy mund të kënaqet nga abstenimi socialist për të formuar një qeveri minorance, por mund të bëhet lakmiqar nga mundësia për ta parë armikun e vjetër në gjunjë, të detyrojë zgjedhje të reja dhe përjashto befasitë, të formojë një qeveri të fortë me një bazë parlamentare më të qëndrueshme. Gjithsesi, Spanja mund ta shikojë shpejt fundin e paralizës institucionale, por sëmundja spanjolle është këtu për të qëndruar. Spanjës do t’i duhet të mësohet me një epokë të re qeverish më laramane dhe sidomos më të lëkundura, do t’i duhet të mësojë të përballet me populizmin, qoftë ai ekonomiko-politik i Podemos apo ai indipendentist i formacioneve në pushtet në Katalonjë dhe do t’i duhet të përballet me një dëshirë rinovimi tashmë të transformuar në apati, të cilës partitë nuk kanë ditur akoma t’i japin përgjigje. Në fund, Rajoy do të arrijë që ta formojë qeverinë e tij, por është ajo që vjen pas që duhet ta preokupojë.
(Nga Il Foglio)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Exit mobile version