Gjak për transfuzion japin vetëm personat e shëndoshë. Edhe pse personi i cili jep gjak duket i shëndoshë dhe ndihet mirë, mund të jetë i infektuar me ndonjë mikroorganizëm (virus, bakter, parazit). Sëmundja nuk mund të vërehet gjithherë.
Me anë të transfuzionit të gjakut personi në pamje të parë që duket i shëndoshë mund të bartë infeksionin te marrësi i gjakut, transmeton Telegrafi.
Sëmundjet më të njohura të cilat mund të barten me anë të transfuzionit janë:
• hepatiti B
• hepatiti C
• sindroma e imunitetit të munguar – SIDA
• sifilizi
Si ta pengojmë përhapjen e infeksionit?
Praninë e agjenteve infektive te personat në dukje të parë të shëndoshë mund ta zbulojmë me anë të testimit të gjakut të tyre. Dispozitat ligjore obligojnë që gjaku i çdo dhënësi patjetër të testohet çdo herë kur jep gjak.
Edhe pse përdoren testet më bashkëkohore dhe teknologjia më bashkëkohore e testimit, fatkeqësisht, mund të ndodhë që edhe me këtë teknologji të mos zbulohet çdo dhënës i gjakut i cili është i infektuar.
Dhënësit mund të ndihmojnë që të shmanget rreziku nga bartja e mikroorganizmave nga gjaku i dhënësit në gjak të marrësit me plotësimin e sinqertë të pyetësorit ose nëse kanë dhënë gjak me lajmërimin e mëvonshëm të transfuziologut të tyre që gjaku i tyre ndoshta nuk është për përdorim.
Si shkaktohet infeksioni?
• Nëpërmjet rrugëve seksuale – hetero dhe homoseksuale
• Me përdorimin disa herë të gjilpërës, shiringave, instrumenteve
• Marrjen e drogës nëpërmjet venave
• Nga nëna tek fëmija
• Me transfuzion të gjakut