Pas fitores së Bundesligës, Bajernit nuk i ka mbetur më asgjë për të dhënë për Champions-in dhe Kupën e Gjermanisë. Bavarezët tashmë janë të qetësuar në pritje të përfundimit të sezonit më 20 maj. Kjo situatë nuk vlen për Frank Riberinë.
Sipas gjermanes “Bild”, marrëdhënia mes francezit dhe Ançelotit është ende e tensionuar. Mbrëmjen e së mërkurës, në seancën stërvitore gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç duhet. Fillimisht, ai është zënë me shokët e skuadrës Kosta dhe Myler, më pas është përfshirë në një zënkë me Arturo Vidal.
Pas kësaj situate, trajneri Ançeloti ka ndërhyrë menjëherë duke tërhequr vëmendjen e Riberisë. Sipas mediave, kjo marrëdhënie mes tij dhe Ançelotit është rindezur. Nëse kjo gjendje do të vazhdojë për një kohë të gjatë, mbetet për t’u parë.
Sezoni për skuadrën bavareze është drejt fundit. Mirëpo në radhët e skuadrës ka pasur mospëlqime për disa veprime. Treshja më e përfolur është ajo Kimish, Myler dhe Boateng, që janë të pakënaqur me aktivizimet nga trajneri.
Tomas Mylerit i është dashur të mësohet me faktin se nuk mund të jetë shpesh opsioni i parë për trajnerin. Sidomos në ndeshjet decizive (ndeshja e kthimit ndaj Realit dhe gjysmëfinalja kundër Dortmundit për Kupën e Gjermanisë), ka qenë thjesht zëvendësues. 27-vjeçari, kontrata e të cilit është e vlefshme deri në vitin 2021, ka luajtur për një kohë të gjatë një rol dytësor në skuadrën gjermane.
Edhe Xhoshua Kimish, i cili ka pasur një performancë mjaft të mirë në fillim me skuadrën, nuk ndihet mirë me rolin e tij në skuadrën e Bajernit. Mirëpo, me largimin e kapitenit të skuadrës, Filip Lahm, duket se pozicioni i tij në skuadër është mjaft i qartë siç edhe ka shprehur trajneri italian: “Patjetër që do ta aktivizojmë në të majtë. Pa Lahm, Kimish mund të jetë një opsion mjaft i mirë për të ardhmen e skuadrës”.
Zherom Boateng ka qenë pjesë e lojtarëve të surprizuar në stol. Në ndeshjen vendimtare ndaj Borusias së Dortmundit, trajneri Karlo Ançeloti ka preferuar më shumë dyshen Humels-Martinez, duke e lënë në stol. Si pasojë, gjermani nuk ka rënë dakord me idenë e të qenit i zëvendësueshëm. Për këtë arsye, Boateng, i cili ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2021, është në një nevojë urgjente për të biseduar me krerët e klubit.
Në përfundim të këtij sezoni, 28-vjeçari thuhet se do të ulet me bordin drejtues, për të qartësuar pozicionin e tij në skuadër, si dhe mundësira më të mira për aktivizimin e tij. Sipas historikut të Boatengut, dëmtimet janë një faktor, i cili ka ndikuar në ngadalësimin e mbrojtësit bavarez.
Pas një tërheqjeje muskulore, ka ardhur edhe dëmtimi i shpatullës në dhjetor të vitit 2016. Në fazën vendimtare të këtij sezoni, Boateng ka pasur ende probleme si pasojë e dëmtimeve, gjë që ka sjellë edhe zëvendësimin e tij nga Havi Martinez.