Fragment nga libri ” Sende që nxirrte deti”
E lamë shkollën atë ditë, dhe u kuturisëm me tren në Shkozet. Lajmi kish qenë i saktë: e gjithë vija e plazhit, nga porti deri poshtë tek Iliria, ishte e mbushur me kartonët që kishte nxjerrë deti: cigare Winston, Camel, Kent, More, Chesterfield (pa filtër), Muratti Ambassador dhe të tjera që nuk më kujtohen – me mijëra, mijëra, mijëra paketa të bukura; shpërhapur në rërë si leshterikë prej përralle a bizhuteri të sirenave.
Për fat të keq, të tjerë kishin punuar natën dhe kishin marrë gjithë ç’mund të shpëtohej; cigaret që gjetëm ne ishin të gjitha të dëmtuara nga uji dhe kripa e Adriatikut, gjysmë të shkërmoqura, të papërdorshme, pa çka se ambalazhet shumëngjyrëshe ishin ruajtur. E kaluam gjithë paraditen duke qëmtuar kutitë, me zemër të plasur, sepse i kishim bërë mushkëritë gati për aromat “amerikane” që në tren. Asgjë nuk mund të rikuperohej më, gjithçka kish vajtur dëm.
Pak mbi autorin
Publicisti dhe studiuesi Ardian Vehbiu, që jeton në New York, njihet nga lexuesi shqiptar, mes të tjerash, për esenë “Kulla e Sahatit” (K&B, 2003), polemikën “Kundër purizmit” (Dudaj, 2012), librin me tregime “Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit” (K&B, 2011) dhe studimin “Shqipja totalitare” (Çabej, 2008), për të cilin u nderua me çmimin kombëtar “Gjergj Fishta” në vitin 2009; por edhe si autor i blogut “Peizazhe të fjalës” dhe një nga pionierët e diskursit kritik në komunitetet virtuale shqip. Eseja e tanishme, “Sende që nxirrte deti”, është libri i tij i dhjetë në shqip.
Shkrimi i tij publikohet rregullisht në shtypin shqiptar dhe është përkthyer në italisht, anglisht dhe rumanisht. Gjithashtu ai ka përkthyer disa vepra nga shqip në italisht, si dhe nga italishtja, frëngjishtja dhe anglishtja në shqip.