“Serbët hanin mirë, pinin verë e puro”, Bajram Kosumi tregon prapaskenat e Rambujesë: Ibrahim Rugova u sëmur kur…

Bajram Kosumi, ish kryeministër i Kosovës, tashmë profesor e autor librash ishte vetëm disa ditë më parë në një bisedë të hapur me studiuesin Ardit Gjinali në Universitetin e Tiranës, duke bërë një udhëtim në jetën e tij letrare e politike, revolucionin e vitit 1981, burgosjen, por dhe duke dhënë një vështrim mbi atë çfarë ndodh me shqiptarët sot në rajon.

Një parashtrim i përgjithshëm mbi elementët kryesorë të rrugëtimit tuaj vetjak, profesional dhe krijimtarisë letrare?

Në fëmijërinë e vonshme, nën ndikimin tepër të madh të rilindësve dhe autorëve të tjerë të traditës shqipe, ëndërroja t’i shkruaj dy libra: Historinë e Skënderbeut dhe Poezi të zgjedhura. De Rada shkruan për Skënderbeun, Naimi po, Noli po dhe krye shkrimtari Marin Barleti po, edhe unë duhet të shkruaj. Poetët e traditës filluan të botohen edhe te ne, të censuruar, me tituj veprash Poezi të zgjedhura, prandaj mendoja se duhet shkruar shumë poezi e duhet botuar vetëm disa të zgjedhura. Ende nuk e kam shkruar asnjërin libër, e jam i sigurt nuk do t’i shkruaj kurrë. Një buzëmbrëmje të vitit 1974 ose 75, pasi shkrova me dorë në dy kopje më indigo, ngjita në dy tabela komunikacioni traktet e mia të para anti-jugosllave. Edhe sot kur e kujtoj më kap trishtimi!

Në shkollën e mesme shkruaja poezi moderne- besoj nuk paraqesin ndonjë vlerë, edhe po t’i kisha ruajtur, por në kohën kur i lexoja në orët letrare në gjimnazin e Kamenicës, më krijonin një status të privilegjuar prej poeti-nxënës.

Kështu disi vazhdova. Në Universitetin e Prishtinës, në vitet më të bujshme të historisë së tij, në vitet më revolucionare, endesha midis poezisë dhe revolucionit. Lexoja tepër shumë, sikur shumë studentë të tjerë, diskutonim me zjarr për letërsinë, për filozofinë, për politikën, orë të tëra me çajin e zi dhe debatet e pafundme për kulturën, muzikën…, e disa e vazhdonim në grupet e fshehta patriotike, të cilat vepronin për çlirimin e Kosovës dhe të shqiptarëve nga Jugosllavia. Ajo ishte koha kur e shisnim triskën e racionit të darkës, për ta blerë një libër!

Çka doli prej këtij zjarri e këtij vrulli letrar, kulturor, filozofik e politik?

Nisi Revolucioni 1981. Për herë të parë pas vitit 1968, studentët e Prishtinës, më 11 mars, dolën rrugëve të Prishtinës me parulla sociale, si “Duam bukë”, por edhe ndonjë gjysmë politike, si “Lironi shokët nga burgu”. Shpërtheu me tërë forcën më 26 mars, atëherë kur organizuam në Qendrën e Studentëve debatin e parë të hapur politikë me njerëzit e ftuar të pushtetit, dhe argumentuam se shqiptarët nuk janë jugosllavë, se Kosova duhet të jetë republikë etj. Aty, për herë të parë, intervenoi policia speciale jugosllave. Duke parë se si i dhunonin studentët, jam bindur që të njëjtën do t’ua bëjnë edhe studentëve serbe, kroatë, sllovenë etj. Aty jam bindur se nuk do të ketë Jugosllavi.

Në mbrëmjen e asaj dite, sigurimi më arrestoi mua dhe shumë shokë të mi. Pas gjashtë muajve më dënuan me 15 vite burg, bashkë me 21 studentë të tjerë, nga të cilët po me 15 vite u dënuan edhe Ali Lajçi, Gani Koci e Merxhan Avdyli. Vetëm, shtatë ditë pas arrestimit tonë dhe shumë studentëve të tjerë, më 1, 2 e 3 prill shpërtheu gjithë populli i Kosovës në një asi demonstrate e proteste, sa që, me të drejtë, shumë studiues të shpërbërjes së Jugosllavisë thonë se në Prishtinë, në këto ditë, ka filluar ky proces.

Burgosja politike, një moment më shumë se shenjues në jetën e individit, e tillë që nuk mposhti dot shkrimtarin dhe veprimtarin, nuk mposhti dot shpirtin krijues dhe idealin kombëtar.

Burgu deri në periudhën moderne në Europë, ashtu si e shpjegon Mishel Fuko, është konceptuar si ndëshkim për një krim të bërë. Pas periudhës moderne konceptohet si riedukim. Modeli i Panoptikonit të arkitektit francez Jeremi Bentham, është modeli ideal i burgut modern, për zhveshjen deri në palcë të qenies njerëzore, për ta mbjellë një shpirt tjetër në të. Këtë e ëndërroi edhe Zeusi, si na tregon Eskili, i indinjuar me veprimin e Prometeut: ta zhdukë njeriun dhe ta krijojë një tjetër, më të mirë, një njeri të ri. Këtë ëndërruan edhe diktatorët komunistë me Njeriun e Ri. Këtë ëndërronin edhe diktatorët e Beogradit për shqiptarët në Jugosllavi: t’i zhduknin përmes dëbimeve dhe dhunës, ose e pakta, t’i asimilonin në jugosllavë.

Por, kur një individ, poende, një brez, si ishte brezi i artë i tetëdhjetenjëshit, beson te liria, beson te humanizmi, beson se është në rrugë të drejtë, beson te e ardhmja…, kush mund ta ndalë? Të gjithë ish të burgosurit e dëshmojnë: burgu i bëri më të fortë, më të qëndrueshëm, më të vendosur në rrugën e nisur, më patriotë. Ata pastaj u bënë promotori i të gjitha lëvizjeve të mirëfillta patriotike në Kosovë, deri te UCK dhe çlirimi.

“Arra që nuk thyhet” si parathënie dhe personifikim i qëndrueshmërisë, rezistencës, ëndrrës që vijon. “Njeriu i pathyer” në bindje, veprim dhe dëshmi e së tillës në sprovën e vendosur nga fati. Është Enciklopedia imagjinare, vepra juaj e fundit, dëshmi jetësore e “arrës që nuk u thye?“

Enciklopedia imagjinare / postroman (2023) është libër që është ngjizur në qelitë e ftohta e të nëndheshme të Burgut të Nishit. Ishte dimri i viteve 1985-86, një dimër shumë i ftoftë, drejtori i burgut më dënoi me qëndrim të gjatë në qeli. Që t’i shpëtoja të ftohtit, baritja nëpër hapësirën e ngushtë për orë të tëra dhe mendoja ta gjejë një formë ligjërimi e në të cilën e thua një fjalë, sikur të thoshe njëqind, e lexuesi të kuptonte sikur të thoshe një mijë. Të gjithë shkrimtarët e vërtetë e ëndërrojnë këtë mundësi, natyrisht, askush nuk e arrin, sepse kjo mbase është veti e zotit: vetëm ai thotë “bëhu!” dhe krijohet kozmosi, planetët, pafundësia, koha, toka, uji… Por, unë e synoja dhe shpika një formë enciklopedike të ligjërimit letrar, pak a shumë, kjo që është sot Enciklopedia imagjinare. Më vonë gjeta ngjashmëri e analogji, si te Borhesi, Rejmond Viliamsi, Danillo Kish etj., por unë e shpika llupën apo pasqyrën time në njëqind vjetët e vetmisë sime. Dhe, ashtu e mbaj.

Arra që nuk thyhet është njëra prej këtyre fjalëve. Nuk është më e mira, por për shkak të konotacionit politik, po përmendet shpesh. Më thoshte hetuesi im, i dëshpëruar tejmase me qëndrimin tim, pothuajse përbuzës për të e Jugosllavinë e tij, madje edhe për kërcënimin prej 15 viteve burg: “Si nuk e kupton? Ti je si arra në mes të dy gurëve; kur të duam ne i shtypim gurët dhe të thyejmë.” Ai e përdorte për mrekulli këtë frazeologji shqipe, “arra midis dy gurëve” kundër meje. Ka shumë metonimi e simbole të ngjashme, si maestro i rrotullimit të pendrekut (shkop gome të fortë për të rrahur të burgosurit) te tregimi “Leximi i librave në Burgun e Leskocit”, ose fjala “katrani”, te tregimi me të njëjtin emër. Po i quaj tregime, për shkak të kuptimit më të saktë nga audienca, përndryshe nuk janë të tillë. Janë zëra imagjinar enciklopedikë.

Por, e theksoj, Enciklopedinë imagjinare e kam shkruar tërë jetën, jo vetëm në burg. Ky është libri në të cilin kam synuar ta shpalos petë-petë mendjen e shpirtin e ishullarit tim, e i cili mund të jetë shqiptari, ballkanasi apo edhe secili njeri i botës, nga viti 6000 para Krishtit e deri më sot. Aty shpërfaqet tërë përvoja ime, si njeri, si individ, si shqiptar, si filozof, si shkrimtar, si Bajram, si krijues dhe tejkrijues që zbërthen më tej tekstet kanonike të letërsisë botërore, si Borhesi, Eko, Kadare, Kafka, Tolstoj, Dostojevski, Gëte, Erazmo Roterdami, Da Vinci, Shekspiri, Servantesi… e deri te Eskili dhe te librat e shenjtë, apo edhe përtej tyre, deri te dorëshkrimet sekrete të Librit të Vdekurve…

Pjesëmarrës në delegacionin Kosovar në Konferencën e Rambujesë, impresion i shkurtër shprehës për audiencën e sotme, shumica e të cilëve në periudhën përkatëse ende nuk kishte ardhur në këtë jetë.

Rambuje dhe gjitha ajo që lidhet me të në Konferencën për Kosovën është sikur të ecësh nëpër teh shpate, sikur të ecësh Urën e Siratit e vendosur mbi ferrin, në të cilën duhet të kalojë çdo njeri. Aty e kam kuptuar nga përvojat tona se sa i hollë është kufiri midis së mirës e së keqes, midis dritës e errësirës, midis parajsës e ferrit, midis gjenisë e budallait, midis trimit e frikacakut, midis patriotit dhe tradhtarit. Aty është një kufi i hollë vetëm sa një fije floku. Nëse mendoni se po bëjë metafora, gaboheni shumë: po flas për fakte reale, pragmatike, të prekshme e të dukshme.

Problemi më i madh shfaqej mu në thelbin e marrëveshjes: nuk dilte nga marrëveshja shteti i Kosovës, por ne nuk e linim Kosovën pa një dalje të shteti. Dialogu nuk bëhej me serbët, sepse ata hanin mirë, pinin verë të shtrenjtë, pinin puro dhe këndonin tërë natën, ndërsa ne rrinim pa gjumë tërë natën duke gjetur shtigje për shtetin e Kosovës. Dialogu bëhej me ndërkombëtarët e Grupit të Kontaktit (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, me pjesëmarrjen edhe të Rusisë): ata na sugjeronin një shtegdalje për shtetin që nuk shkruhet askund (sepse nuk do të pranonin rusët), por ne donim një shtegdalje që shkruhet dhe njihet ndërkombëtarisht. Kështu erdhëm deri te paragrafi i famshëm i nxitur pre Medlin Ollbrajt, sekretares amerikane, se tre vjet pas kësaj marrëveshje do të organizohet një referendum për të ardhmen e Kosovës.

Por, pikërisht kjo e bën edhe akt historik Konferencën e Rambujesë. Unë besoj se në vitin 1981 shqiptarët e kanë ndarë fatin e tyre nga Jugosllavia në të gjitha sferat e jetës, ndërsa në vitin 1999, në Rambuje kjo është legjitimuar edhe nga faktori ndërkombëtar. Ajo që është më pozitivja, në anën e Kosovës në këtë kohë kanë qenë dhe ende janë vendet më demokratike e më humaniste nga gjithë bota, intelektualët më përparimtarë në të gjithë botën. Ose më drejt: pas një kohe të gjatë të robërisë e të territ, Kosova u bashkua me pjesën më të mirë të botës.

Jeta fizike është një e vetme, por rrethanat kohore dhe jetësore na dërgojnë drejtë sfidave të ndryshme profesionale dhe vetjake, gjithashtu. Bajram Kosumi, gazetar, shkrimtar, por dhe politikan. Në secilin sistem, demokratik a jo i tillë, “politika “ka humbur betejën me “krijuesin” përtej fuqisë së saj që buron nga i quajturi ”zë i shumicës.”

Zëri i “shumicës” shumë herë është shumë cinik dhe i padrejtë. Vota e shumicës ka një kuptim, krejtësisht të thjeshtë, sepse nuk ka tjetër sistem më të mirë, por dyshoj që “zëri i shumicës” ka kuptim, edhe pse ju “zë i shumicës” e keni përdorur si “votë e shumicës”. Xhordano Brunos në flakë, shumica e ngazëllyer i hakërrehej.

Unë politikën e ndaj në dy vija: politikën e përditshme, të ndërlidhur me pushtetin, me votën, me qeverisjen etj., të cilën e quaj “politikë pragmatiste”, dhe politikën e gjendjeve të jashtëzakonshme, si lufta, revolucioni, katastrofat natyrore, ose krizat globale etj., të cilën e quaj “politika idealiste”. Në “politikën idealiste”, politikani dhe politika pushojnë së qenë qëllim për vete dhe shndërrohen në mekanizëm për të mirën e përgjithshme, ndërsa në “politikën pragmatiste”, politika dhe politikanët janë mekanizëm për dominim, për pasurim në kurriz të të tjerëve etj.

Deri në vitin 2008, kur e shpallëm Pavarësinë e Kosovës, politika e Kosovës ka qenë ajo e dyta, idealistja. Nga aty fillon ajo politika e parë, pragmatikja. Kufiri që i ndanë këto dy politika është parulla më e famshme e shqiptarëve në dy dekadat e fundit: “Bac, u kry!”, që i referohet, me të drejtë, Adem Jasharit. Pavarësisht nga qëllimi i mirë i autorit, ndryshe do të duhej të ishte parulla: “Bac, sot filloi!” Pra, në mendimin e elitës politike në Kosovë ka mbizotëruar bindja se bërja e shtetit u krye, përfundoi, kaq e pat. Atëherë, çka duhet bërë tash, mbasi e përfunduam misionin për shtetin? Duhet të mendojmë për veten. Kështu disi zbërthehet enigma, se si u bë që një hero i lirisë, u shndërrua në hero të parasë, të nepotizmit, të korrupsionit etj.

Ta rezymoj përgjigjen për politikanin e shkrimtarin: kur përfundon ajo “politika idealiste”, shkrimtari ikën nga politika si nga zjarri i ferrit. Ashtu bëra edhe unë. Sado, kjo ikje nuk qe shumë e lehtë, si e paramendoja, sepse një politikan nuk vepron i vetëm, pra ka rreth njerëzish, të cilët nuk mund t’i hedh aty për aty. Po ç’bën pastaj shkrimtari? Tash më kujtohet një karikaturë për shkrimtarin turk, kritik dhe satirizues i politikës dhe qeverisë, Aziz Nesin, në të cilën paraqitet ai i varur në litar, me këmbët mbi librat e tij; pranë këmbëve të tij kryeministri i disahershëm turk Bylent Exhevit, lexon librat e tij dhe qesh e kënaqet; sa më shumë libra lexon, aq më shumë qesh, por aq më shumë i shtrëngohet laku Nesinit; kur ta lexojë të fundit libër, Nesini do të ngulfatet e do të vdesë; madhështia është se edhe Nesini qesh në këtë proces të vdekjes së vet. Pse qesh Aziz Nesini? Ai po vdes, por librat e tij do t’i kënaqin brezat e ardhshëm, qoftë edhe qeveritarët, dhe do t’ua bëjnë jetën më të lumtur.

Ministër dhe më vonë Kryeministër në një kohë të shkurtër dhe në një moment asfare të thjeshtë, pas thirrjes së parë ndaj Kryeministrit të kohës, Ramush HARADINAJ nga Tribunali i Hagës. Një përcjellje e momenteve kryesore të rrugëtimit qeverisës dhe një kujtesë mbi bashkëpunimin institucional me Presidentin e kohës, Dr. Ibrahim RUGOVA.

Ka qenë një momentum tepër i brishtë atë kohë. U ftua nga Tribunali i Hagës një udhëheqës i lartë politik, si kryeministri Haradinaj. U shfaq përnjëherësh një dyshim dhe mosbesim i thellë në atë që po bënte drejtësia ndërkombëtare. Pati persona që kundërshtonin dhe kërcënonin. Këso rastesh mosbesimi dhe dyshimi presin edhe armiqtë e Kosovës, prandaj edhe ndodhën disa ngjarje radhazi, të gjitha me një mal dilemash e dyshimesh nga prapa, si vrasja e vëllait të Haradinajt, atentati në presidentin Rugova, kërcënimet e opozitës për mos-dëgjueshmëri qytetare ndaj qeverisë etj. Kur unë hyra në Kabinetin e Kryeministrit, Kosova vlonte si para një shpërthimi, nga brenda e nga jashtë. Disa muaj u mora vetëm me qetësimin e situatës. Më ka përkrahur më të gjitha forcat edhe presidenti Rugova dhe krye-parlamentari Nexhat Daci dhe ia arritëm ta qetësojmë situatën dhe të ulim gjakrat.

Pastaj jam marrë me përgatitjen e Kosovës për të hyrë në fazën finale të përcaktimit të statusit final të saj. Të gjithë ministrat që kam udhëhequr, të gjithë kryetarët e komunave, e dinin dhe koordinoheshin perfekt në këtë plan. Agjenda numër një për mua ka qenë nisja e procesit të përcaktimit të statusit final për Kosovën. Ishte momenti ideal për këtë punë historike, prandaj nuk doja asnjë detaj të shmangej nga rruga. Personalisht jam angazhuar që ta shpejtoj këtë proces, sepse i frikësohesha një viti tjetër 2004 (anarkia e marsit). Ne e kishim qeverinë, por nuk e kishim asnjë mekanizëm tjetër për ta orientuar situatën në terren, përveç bindjes politike. Nuk kishim polici, as ushtri, as shërbim inteligjent etj. Kosova vlonte nga shërbimet e huaja inteligjente, edhe armiqësore, dhe mund të shpërthente gjithçka nga rasti në rast. Një ndihmesë të madhe kanë dhënë këtu shërbimet inteligjente të vendeve mike dhe KFOR.

Fatkeqësisht, një pjesë e opozitës nuk e ka parë se shpejtësia e përmbylljes së statusit final është më e rëndësishme se gjithçka tjetër, prandaj ata kërkonin zvarritje, duke formuar komision pas komisioni, sepse ata dëshironin të vinin vetë në pushtet, prandaj më shumë punonin për zgjedhje se sa për statusin final. Kjo nuk do të jetë pa pasoja, më vonë.

Sekretari Gjeneral i Këshillit të Sigurimit, z. Kofi Annan, e caktoi ambasadorin norvegjez, z. Kai Eide, për të hartuar raportin për përmbushjen e kushteve për nisjen e procesit për statusin final të Kosovës. Misioni i Aides ka zgjatur rreth tre muaj dhe unë kam aktivizuar edhe qelizat më të vogla të pushtetit që të jenë në gjendje gatishmëri për atë raport. Në fillim të tetorit të vitit 2005 ambasadori Eide ia dorëzon raportin Sekretari Gjeneral Kofi Annan, ndërsa ai ia dërgon kryetarit të Këshillit të Sigurimit, i cili më 24 tetor e shpallë një Deklaratë në të cilën e pranon Raportin e Ambasadorit Eide dhe e fillon procesin e emërimit të një ndërmjetësuesi për statusin final të Kosovës. Ky momentum ka qenë kulmi i përgatitjes së Kosovës për statusin final, i cili u zhvillua më vonë, nën ndërmjetësimin e presidentit finlandez Marti Ahtisari dhe rezultoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Në ndërkohë vdes presidenti Rugova dhe LDK hyn në një krizë të thellë, e duke pasur ajo numrin më të madh të votave për qeverinë, në mars të vitit 2006 u luhat pozita e qeverisë së udhëhequr nga unë. Shto kësaj edhe presionin e opozitës si dhe disa ndryshime në politikën e jashtme të Rusisë, drejt pozicionimit të saj ndaj Kosovës në varësi të politikës serbe, e që u bë shkak për shtyrjen e statusit final të Kosovës edhe për dy vjet.

Bashkëpunimin institucional me presidentin Rugova e kemi pasur në shkallën më të lartë. Edhe pse në politikë kemi qenë në pozita të kundërta, por në udhëheqje të Kosovës, ai si president dhe unë si kryeministër kemi funksionuar për mrekulli: ai më ka besuar pafundësisht dhe është mbështetur njëqind për qind te unë në statusin final të Kosovës (pasi ai atë kohë kishte probleme me sëmundjen dhe nuk mund të angazhohej me tërë potencialin), për çka e falënderoj edhe sot. Njëkohësisht, edhe unë i kam besuar dhe jam mbështetur pafundësisht në përkrahjen e tij në këtë proces.

Përtej rrugëtimit në politikë, si mund të bashkëveprojë “politikani” te “letrari” e shkrimtari? “Shkrimtari dhe politikani” apelojnë në secilin rast tej vetvetes pavarësisht natyrës së ndryshme të përcjelljes së mesazhit. Te ju, fitoi vokacioni individual i njeriut të letrave mbi individin e angazhuar në politikë që apelon tej vokacionit individual?

Shfaqjet e shkrimtarëve në politikë nuk janë të reja e as nuk janë të veçanta. Vetëm Platoni donte t’i largojë poetët prej shtetit e politikës. Biografia ime nga viti 1981 e deri në vitin 1999 nuk është politike, por biografi e një revolucionari. Vetëm mbas vitit 2000, kur fillojmë me procesin e zgjedhjeve, e deri kur jam larguar nga politika, te vitet 2010-13, kam një biografi të pastër politike. Unë kam mësuar shumë nga të dy pjesët e rrugës: edhe nga revolucioni 1981, nga burgu, nga pasburgu dhe puna e partive politike në Kosovën e robëruar, por edhe nga politika e pas çlirimit. Besoj, kjo më ka ndihmuar edhe për letërsinë.

Unë besoj se kjo pyetje e juaja nuk duhet të kufizohet vetëm te politika. Sepse, besoj thellë, se një shkrimtar i madh, nuk mund të jetë i madh po nuk qe edhe filozof i madh, po nuk qe historian i madh, po nuk qe sociolog i madh, po nuk qe antropolog i madh dhe po nuk qe psikolog i madh. A mund ta përmend dikush, qoftë edhe vetëm një shkrimtar të madh, e që nuk i ka këto dije?

Por, ka një mospajtim midis diskursit politik dhe diskursit letrar. Jo vetëm teorik, por edhe praktik. Kur u largova nga politika, punoja orë të tëra brenda një dite në studimet e letërsisë. Kur lodhesha, lexoja libra. Por, kur shkruaja, vërejta një shpërputhje të tmerrshme midis diskursit politik dhe atij letrar. Çka bëra? I lash leximet, studimet dhe shkrimin. E mora Fjalorin e gjuhës shqipe dhe për tre muaj rresht e lexova dhe e studiova fjalë për fjalë. E bëja për herë të dytë, sepse herën e parë e pata bërë në Burgun e Beogradit, fjalorët e botuar nga Rilindja e Prishtinës. Vetëm pastaj arrita në djepin tim, në diskursin e letërsisë dhe iu ktheva përsëri studimeve.

Në fund të karrierës sime revolucionare dhe politike, jam shumë i kënaqur që i jam kthyer ëndrrës së fëmijërisë. Prandaj edhe e nisa përgjigjen e parë me ëndrrat e fëmijërisë për dy libra. Enciklopedia imagjinare është dëshmia ime më e madhe, se letërsia dhe diskursi letrar është zhvilluar dhe ka jetuar te unë në të gjitha rrethanat. Ai diskurs ka qëndruar i heshtur, në disa rrethana, por ka ngritur krye në rrethana të tjera, pra ka qenë shumë dinak dhe i sofistikuar. Por, ama, nuk ka heshtur kurrë.

Enciklopedinë imagjinare e shkrova për dyzet vjet, jo çdo ditë, se në vitet e krizës ekzistenciale të Kosovës, ndoshta dy-tre vjet, nuk e kam prekur me dorë. Por, vitet e tjera, jo gjithmonë çdo ditë, por në një pjesë të mirë të kohës, herë pas here, pa shkëputje, kam menduar, shkruar e redaktuar për dyzet vjet. Unë jam i kënaqur me këtë proces jetik, pa marrë parasysh si e lexon kritika sot Enciklopedinë. Jam i kënaqur edhe me kritikën, por pavarësisht nga ajo, ky libër është produkti më esencial imi, që bartë një përvojë të gjatë njerëzore dhe alarmon se jeta është një dhe e fundme, e në të cilën njeriu zotëron veç një arbitraritet: kohën. Njeriu është mbreti i kohës, e kjo është pasuria më e madhe në botëkuptimin njerëzor, pas së cilës vije edhe vetë hapësira. Njeriu duhet ta gjurmojë çdo çast të kohës së tij për të qenë i lumtur dhe për t’i bërë të tjerët të lumtur. Ky është çelësi.

“Libri dhe Krijimi” sot në Kosovë, arritje dhe sfida në perspektivë sipas një gjykimi të shëndoshë intelektual.

Nuk kam një përgjigje të thjeshtë. Nga njëra anë, libri dhe botimi i tij është decentralizuar aq shumë, sa që jo vetëm ai që ka 1000 euro mund ta botojë cilindo libër, por edhe pa ato para mund ta publikojë një e-book. Padyshim që kjo është diçka e mirë dhe do të çlirojë shumë mendje njerëzore për të krijuar ide e vepra madhështore. Por, a është kjo e sigurt?

Nëse besojmë te teoria mediale e ngopjes, truri i njeriut është në gjendje të pranojë disa mijëra informata në ditë në mënyrë kritike. Kur kalohet kjo sasi e informatave, truri kalon në një gjendje letargjie dhe humb aftësinë e perceptimit objektiv e kritik. Kjo më shqetëson shumë. Kur hyj në një librari të madhe, sillem dy-tri orë, dal i sëmurë prej saj, dal në atë gjendjen e letargjisë së trurit, më humb çdo vullnet për të lexuar e shkruar, sepse aq shumë libra shoh, aq shumë libra të mirë që duhet t’i lexoj e nuk do t’i lexoj kurrë! Dhe atëherë më kap ndjenja e inferioriteti: unë jam një pikë e humbur në kozmosin e dijeve, të arteve e të letërsisë dhe s’do të arrijë kurrë, edhe po t’i kem dy e tri jetë, të bashkohem në atë det.

Kjo shfaqje po ndodhe edhe në letërsinë e në kulturën shqipe. Edhe në Kosovë. Sot ka në letërsinë shqipe autorë që kanë botuar tetëdhjetë vepra letrare, por nuk ua di emrin. Kështu, po humbet lexuesi. Letërsia e shekullit XX ka eksperimentuar shumë dhe kjo ka barë që lexuesi të ikën prej saj. Kujto letërsinë hermetike dhe sidomos kritikën hermetike, të cilën e përqesh Todorovi te Letërsia në rrezik. Ose kujto tendencat për ta shpëlarë letërsinë prej çdo misioni tjetër, jashtë ligjërimit të bukur. Kur i shton kësaj edhe rritjen e dinamikës së jetës, nën shtytjen e teknologjisë digjitale dhe jetës virtuale, askush sot nuk ka kohë ta lexojë një roman shtatëqind faqesh. Vetëm studentë e letërsisë e lexojnë Luftën dhe paqen të Tolstojt, për detyrim.

Letërsia nuk duhet të dorëzohet. Nuk duhet të bëhet si gazetaria, të shkojë sipas masës së lexuesit, por duhet të përshtatet dhe ta tërheq lexuesin nga balta e përditshme drejt katarsisit. Unë jam prej atyre që besoj te letërsia dhe misioni që ka ajo te ne, deri në kohën kur njeriu është ende ky që është sot, dhe nuk është një produkt serik prej çipash elektronikë.

Por, edhe Enciklopedia imagjinare është shtatë-tetëqind faqe?

Fatkeqësisht, po. Mirëpo, unë kam krijuar një model të ri për leximin e saj, të huazuar nga modelet enciklopedike dhe që ua lehtëson lexuesve bashkëkohorë leximin: Enciklopedia imagjinare nuk do të thotë të lexohet si roman. Ajo nuk është roman, por postroman. Është pak a shumë si modeli parak i miteve: sikur të lexosh një libër me mitet e lashta, lexon një që të pëlqen, kalon disa faqe dhe lexon një tjetër që ndërlidhet me të parin, lexon të tretin që ndërlidhet me një personazh nga i dyti…, për të vazhduar kështu në një sistem rrjetash të ndërthurura, si në Bibliotekën e Babelit të Borhesit, ose si më pëlqen mua: si te Libri prej rëre i Borhesit, një libër me tekste të pafundme, në të cilin nuk e gjen dot kurrë faqen e parë dhe të fundit…

Exit mobile version