Mijëra veta morën pjesë në një protestë në Beograd kundër politikave të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe kërkuan që t’i jepet fund dhunës politike si dhe raportim të më të drejtë nga televizioni publik.
Protesta e së shtunës ishte e treta me radhë që kur ndodhi një sulm mbi Borislav Strefanoviçin, udhëheqës i partisë së vogël E Majta serbe.
Stefanoviç ishte sulmuar nga një grup burrash me maska të zeza më 23 nëntor në Krushevc, një qytet në jug të Serbisë dhe kishte pësuar plagë të lehta.
Protesta me sloganin “Një nga pesë milionë”, sipas organizatorëve mblodhi 35 mijë deri në 40 mijë veta, ndërsa ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç, tha se ishin më së shumti pesë mijë.
Në mesin e atyre që folën në protestë ishte edhe gazetari Milan Jovanoviç i cili pohon se për shkak të shkrimeve mbi korrupsionin i është djegur shtëpia.
Veprimtarët e opozitës thonë se presidenti Vuçiç është një autokrat dhe e cilësojnë partinë e tij të korruptuar. Ata thonë se presidenti Vuçiç, kontrollon pjesën më rë madhe të medieve në Serbi, gjë që i siguron atij përparësi të padrejtë.
Mbështetja për presidentin Vuçiç ka shënuar një rënie të vogël pas fitores së tij të thellë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por ai mbetet udhëheqësi politik më popullor dhe koalicioni i tij në pushtet ka një shumicë të qëndrueshme prej 160 deputetësh në parlamentin me 250 vende.
Protestat e opozitës janë të rralla në Serbi që nga trazirat popullore të vitit 2000 që rrezuan ish presidentin Slobodan Milloseviç, i cili më pas vdiq në vitin 2006 në Hagë derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Aleksndër Vuçiç, një nacionalist i zjarrtë gjatë shkatërrimit të dhunshëm të ish-Jugosllavisë në vitet e 90-ta, më vonë përqafoi vlerat evropiane dhe vendosi anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian si qëllimin strategjik të vendit. Ai gjithashtu mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.