Serbia, 170 milionë euro humbje nga taksa e “Ramushit”

Fatos SHALA

Janë bërë pesë muaj që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë për mallrat serbe dhe boshnjake. Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendosë taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.

Në Doganën e Kosovës kanë treguar se për këta 5 muaj Serbia ka humbur afro 175 milionë euro, për shkak të taksës së vendosur.
“Në pesë muaj, sa ka kaluar prej që është vendosur taksa 100% ndaj produkteve të Serbisë nga ana e Qeverisë së Kosovës, shteti ynë fqinj ka humbur rreth 175 milionë euro, krahasuar me importin që ky shtet ka bërë.

Krahasuar me tre muajt e parë të vitit të kaluar, Serbia kishte fituar nga vendi ynë rreth 100 milionë euro. Nëse marrim një krahasim mes periudhave të njëjta tremujore në vitet 2018 dhe 2019, vërejmë se në tre muajt e parë të vitit 2018 kemi pasur mbi 100 milionë euro importe, derisa këtë vit nuk kemi as një milion euro importe të produkteve”.

Në Dogana kanë treguar se Kosova ka rritur eksportin në vendet e tjera gjatë kësaj periudhe.
“Kemi pasur një rritje të eksporteve të produkteve të Kosovës. Nëse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi pasur 96 milion kilogram produkte të eksportuara, tani kemi 108 milion kilogram produkte kosovare të eksportuara në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Serbinë”.

Efektin e taksës 100% e kanë vërejtur edhe prodhuesit vendor. Edhe sipas njohësve të çështjeve ekonomike, taksa ka dhënë efektin e saj sa i përket zhvillimit ekonomik në vend. Të njëjtin mendim e ndajnë edhe qytetarët.

Por, pavarësisht vendosjes së taksës nga Qeveria, në Kosovë mallrat e Serbisë vazhdojnë të jenë prezentë.
Javë më parë ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, ka deklaruar se mallrat nga Serbia mund të hasen në gjithë Kosovën dhe se ato po arrijnë përmes rrugëve alternative.

Në lidhje me deklaratën e ministrit serb, Lajiq, ka reaguar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se një gjë të tillë e kishte paralajmëruar edhe në dhjetor të vitit të kaluar.

“Këtë e kam paralajmëruar në dhjetor. Në raste të tilla, fillon zbatimi i praktikave që në “zhargonin” e tregtisë ndërkombëtare, njihen si “tradecircumvention”. Efekti i taksës zbehet, nëse nuk ka kapacitetet inspektuese dhe impelementuese. Duhet veprime konkrete për luftim të kontrabandës dhe manipulime të mundshme me origjinën e mallit”, ka shkruar Rukiqi.

Të dhënat e Agjencisë Statistikore të Kosovës tregojnë se në dhjetor 2018, importet nga Serbia ishin vetëm 5 milionë euro, me një rënie drastike prej 88% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Edhe në nëntor, në fund të të cilit hyri në fuqi taksa, importet nga Kosova u përgjysmuan, në rreth 15 milionë euro. Mesatarisht, Kosova importonte nga Serbia çdo muaj mallra me vlerë 30-40 milionë euro.

Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në serbi. Kosova ka vendosur taksën prej 10% më 6 nëntor për mallrat nga Serbia dhe më pas e ka rritur atë më 21 nëntor në 100%.

Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi që pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës mirëpo, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës.

Shfuqizim apo pezullim të taksës ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi.

“Monitor”

Artikulli paraprakFotot e shtetrrethimit të Kukësit, Rama shkoi për vizitë por banorët e përzunë me bisht ndër shalë
Artikulli tjetërDje e përzunë me bisht ndër shalë, Rama nis hakmarrjen ndaj Kukësit