Një ndër ndryshimet më të mëdha që 2021 po sjell padyshim, është se po zhvillohet fushata më e madhe e vaksinimit në histori. Aktualisht, më shumë se 410 milion doza janë administruar në 132 vende, sipas të dhënave të mbledhura nga Bloomberg. Shkalla e fundit ishte afërsisht 9.96 milion doza në ditë.
Sipas këtyre të dhënave, në Shqipëri aktualisht janë aplikuar 36 mijë doza, për 0.6 % e popullsisë. Harta e Bloomberg jep një vështrim edhe për rajonin, në të cilin Maqedonia e Veriut ka shpërndarë 5245 doza, pra 0.1 % e popullsisë; Serbia 2.2 milion doza, pra 15.5 % e popullsisë; Mali i Zi 6849 doza, pra 0.5 % e popullsisë; Greqia 1.4 mln doza, pra 6.4% e popullsisë.
Një panoramë e ngjashme duket edhe në Europë, ku me hapa më të shpejta duket të jetë Britania, që ka vaksinuar aktualisht 20.7 % të popullsisë.
Në Sh.B.A, më shumë amerikanë kanë marrë të paktën një dozë vaksinimi, sesa kanë rezultuar pozitiv për virusin, që nga fillimi i pandemisë. Deri më tani, janë dhënë 116 milion doza. Javën e fundit, janë administruar mesatarisht 2.50 milion doza në ditë.
Kur do të kthehet jeta në normalitet?
Ndërsa vaksinat më të mira mendohet të jenë 95% efektive, duhet një fushatë e koordinuar për të ndaluar një pandemi. Anthony Fauci, ekspert i sëmundjes infektive në Sh.B.A, ka thënë se vaksinimi nga 70% në 85% të popullatës amerikane do të mundësonte kthimin në normalitet.
Në një shkallë globale, ky është një ‘nivel i frikshëm’ i vaksinimit. Me ritmin aktual prej 9.96 milion në ditë, do të duheshin vite për të arritur një nivel të rëndësishëm të imunitetit global. Shkalla, megjithatë, është në rritje të vazhdueshme dhe vaksinat e reja nga prodhues të tjerë po vijnë në treg.