Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Kuvend thonë se nuk kanë asnjë arsye për të mos e votuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, me të cilin do t’i hapnin rrugë procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ata thonë se për serbët e Kosovës është me rëndësi lëvizja e lirë, që njëkohësisht nënkupton edhe nxjerrjen e pasaportave me mbishkrimet e Republikës së Kosovës.
Aktualisht një numër i qytetarëve serbë posedojnë dokumentet e udhëtimit që lëshohen nga Qendra Koordinuese në veri të vendit, një institucion i themeluar nga Beogradi zyrtar.
Deputeti nga radhët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se, pas përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave, edhe qytetarët serbë të Kosovës, pavarësisht ku jetojnë, do të jenë të interesuar për pasaportat e Kosovës. Rashiq tha se, edhe komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, ka rekomanduar që të gjithë qytetarët të kenë pasaporta të Kosovës.
“Nëse kjo mundëson një lëvizje më të mirë dhe më të lehtë, pa viza dhe pa peripeci, që na qëndrojnë mbi kokë sa herë duhet të nxjerrim viza, mendoj se qytetarët e komunitetit serb, edhe pse kanë të drejtë në dy shtetësi, do të jenë praktikë dhe do të vendosin që vetvetes t’i mundësojnë një mënyrë normale të lëvizjes”, tha Rashiq.
Me propozimin e BE-së, Kosovës së shpejti duhet t’i hiqen vizat, pas përmbushjes së dy kushteve themelore; atë të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe thellimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Votimi në Kuvend për demarkacionin është bërë i paqartë për faktin se opozita ka paralajmëruar kundërshtime të fuqishme, në vazhdimësi të protestave kundër këtij procesi.
Njëkohësisht është ngritur shqetësimi se edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Kuvend nuk do të votojnë, për faktin se duhet të aplikojnë për dokumentet që ndërlidhen me shtetësinë e Kosovës.
Por, deputeti Rashiq thotë se serbët duhet ta mbështesin ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion për shkak se kjo është çështje jetike për vetë serbët dhe sepse përfaqësuesit serbë kanë votuar më herët Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në Kuvend.