Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ende nuk ka prova se kush mund ta ketë kryer sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës në fund të muajit të kaluar, por shtoi se “ne mendojmë se do të gjenden prova”.
Shpërthimi i 29 nëntorit në kanalin e ujit në Varragë të Zubin Potokut – prej nga furnizohen me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit – u shkaktua nga rreth 20 kilogramë eksplozivë, sipas autoriteteve kosovare, të cilat e cilësuan atë si më të rëndin në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.
I pyetur në një intervistë në emisionin “Context” në ATV më 10 dhjetor se cfarë dihet deri tani rreth sulmit, Hovenier e përsëriti se është ende shumë herët të thuhet.
“Është ende shumë herët dhe siç e kam thënë javën e kaluar, që Shtetet e Bashkuara të jenë në gjendje të atribuojnë përgjegjësinë, duhet të kemi një varg mjaft të qartë provash. Ne mendojmë se do të gjenden prova, por ende nuk i kemi. Pra, hetimet po vazhdojnë; po kryhen nga autoritetet kosovare”, tha ai.
Hovenier – i cili po përfundon mandatin e tij në Kosovë në fund të dhjetorit dhe po pensionohet – tha se në mbrëmjen e sulmit dhe pas sulmit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara iu ofroi autoriteteve kosovare mbështetjen e forcave amerikane të zbatimit të ligjit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri përgjegjëse Serbinë për, siç u shpreh, “sulmin terrorist” dhe tha se ajo është duke i kopjuar metodat që aplikon Rusia në luftën e saj në Ukrainë. Serbia i ka mohuar akuzat.
I pyetur rreth deklaratve të zyrtarëve të Kosovës se Serbia ka gisht në këtë sulm, Hovenier përsëriti qëndrimin e tij të mëparshëm se Qeveria amerikane “nuk është në gjendje të thotë se kush është përgjegjës”.
Ai tregoi se zyrtarët amerikanë po punojnë me homologët kosovarë në përpjekje për të kryer “hetime efektive”.
“Ne besojmë se ato duhet të jenë të besueshme, të shpejta, të drejta, transparente dhe sigurisht, është pikëpamja e qeverisë amerikane që tashmë e kemi shprehur shumë fuqishëm se përgjegjësit për këtë sulm duhet të japin llogari. Momentalisht, nuk jemi në gjendje të themi se kush është përgjegjës”, shtoi ai.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Derisa furnizimi i KEK-ut me ujë për ftohjen e termoelektranave të saj nuk u ndikua, shpërthimi shkaktoi reduktime të përkohshme të ujit në disa pjesë të vendit./REL