Sërish 18 raste të reja me Covid-19, këto janë qytetet me numrin më të lartë

Në 24 orët e fundit janë zbuluar 18 raste të reja me Covid-19. Në deklaratën e bërë nga Silva Bino u tha se në rastet janë zbuluar në Durrës, Tiranë, Berat dhe Krujë.

“Durrës 7 raste në një fasoneri, 5 raste në Berat, përsëri që janë kontakte, mes tyre dhe një personel mjekësor, Krujë 2 raste, Tiranë 4 raste të reja”, tha Bino në deklaratën e saj, e cila shoqërohej dhe nga ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila kërcënoi se do të riktheheshin masat shtrënguese nëse rastet mbeten të larta.

Deklarata e Binos

Në 24 orët të fundit janë testuar 219 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 18 qytetarë. Pjesa më e madhe e tyre janë kontake të rasteve të mëparshme, ndërkohë që vazhdon hetimi epidemiologjik në terren.

Në Durrës janë identifikuar 7 raste në një fasoneri, kontakte të një rasti pozitiv. Në Berat janë edhe 5 raste të reja; në Tiranë 4 raste dhe në Krujë 2 raste.

Këto të dhëna na tregojnë se ka shumë rëndësi të zbatohen rregullat nga të gjithë qytetarët, të mos e ulim vigjilencën. Kujdesi i qytetarëve duhet të vazhdojë, për të respektuar masat e vendosura, në mënyrë që të minimizojmë sa më shumë përhapjen e virusit tek kontaktet familjare apo më gjerë.  Vetë bizneset duhet të respektojnë protokollet e përcaktuara për të ruajtur qytetarët dhe punonjësit.

Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme me 19 qytetarë të shtruar, prej të cilëve 4 janë në terapi intensive. Ju informojme se deri tani janë kryer rreth 12 mijë testime dhe kanë kaluar 900 raste pozitive nga fillimi i epidemisë, ndërsa aktualisht janë 180 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz, Durrës dhe Berat.

Prandaj është vendi për një apel për të gjithë qytetarët: të respektojmë masat, të mos dalim nga shtëpia pa arsye të domosdoshme, të mos neglizhojmë shenjat e sëmundjes dhe duhet telefonuar 127 nëse keni shenja të Covid-19.

Deklarata e Manastirliut

Ekspertët tanë e kanë thënë që në kryer të herës. Faza e lehtësimit merr kuptim vetëm nëse shoqërohet me një ulje të qëndrueshme të numrit të infektimeve. Plani i lehtësimit të masave varet vetëm nga bashkëpunimi me ju. Është e vërtetë që ndëshkimet nuk janë zgjidhja, por është po aq e vërtetë se nuk mund të penalizohet një popull i tërë nga një pakicë, veprimet e së cilës mund të shkaktojnë dëme të pallogaritshme.

Rritja në këto shifra e rasteve të reja është maksimumi i lejuar nga skenarët tanë të hapjes. Rritja e mëtejshme do të na detyronte të ndërmerrnim hapa të menjëhershëm për të mos lejuar një valë të dytë goditëse, që do të hidhte në erë atë që është arritur deri më sot. Nëse do të vazhdohet me tendencën përkeqësuese të ditëve të fundit, do të jemi të detyruar të bëjmë hapa pas. Dhe kjo nuk është në interes të askujt! Sigurisht nuk ka vend për alarm, por jemi në një moment ku kërkohet përgjegjshmëri nga çdo qytetar. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është mbi gjithçka. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për planin e ri-hapjes.

Artikulli paraprak Edvin Kristaq Droga i shpall luftë popullit opozitar!
Artikulli tjetër“Shumica” me e-mail e Ramës kundër Teatrit ka marrë virus