Jahmir Hyka është njeriu i momentit në Superligën zvicerane. Futbollisti shqiptar ishte më i miri në fushë në suksesin e thellë që Lucerna arriti ndaj Baselit në javën e 34-t të kampionatit helvet, duke treguar edhe njëherë se po përjeton një moment të shkëlqyer forme. Falë edhe paraqitjeve të Jahmir Hykës skuadra e trajnerit Markus Babbel tashmë e sheh veten në vendin e 3-t të Superligës zvicerane, pozicion që e kualifikon në Europa League. Në fitoren fantastike me shifrat 4-0 ndaj Baselit, 28-vjeçari kryeqytetas fillimisht fitoi një 11-metërsh, pasi në minutën e 10-të u pengua brenda zone, ndërsa kur kishin kaluar pak minuta nga starti i pjesës së dytë realizoi një gol të mrekuellueshëm, duke e thelluar avantazhin e vendasve në 3-0.
Paraqitja e mirë e Jahmir Hykës nuk ka mbetur pa u vlerësuar nga mediat zvicerane dhe më konkretisht nga gazeta prestigjoze Blick, e cila e ka përfshirë shqiptarin për të disatën herë në këtë sezon në formacionin më të mirë të javës në Zvicër. Hyka i cili në mars u shpall lojtari më i mirë i muajit nga “Blick”, është në 11-shen më të mirë të javës është rreshtuar në repartin e mesfushës përkrah emrave të tillë si shoku i skuadrës Jakob Jantscher, Mario Mutsch e Marco Aratore.
Me formën e tij fantastike gjatë kësaj periudhe, Jahmir Hyka në një farë mënyre po kërkon të bindë trajnerin e kombëtares shqiptare Gianni De Biasi t’i japë një shans, duke e grumbulluar në Euro 2016. I intervistuar nga kanali zyrtari i klubit të Lucernës në përfundim të sfidës ndaj kampionëve të Baselit, Hyka u shfaq shumë i kënaqur për golin e realizuar, duke shtuar se dëshira e tij në këto momente është një dhe e vetme të ndihmojë skuadrën të arrijë kualifikimin në Europa League për sezonin e ardhshëm.