Juventusi vazhdon me transferimet. Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga fundi i merkatos, bardhezinjtë po tentojnë të realizojnë përforcimet e fundit. Kështu, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” me largimin e Paul Pogba po kërkojnë një mesfushor të kalibrit të tij, në mënyrë që të plotësojnë hapësirën e lënë bosh nga ana e francezit. Një emër që ka qarkulluar orët e fundit është ai i mesfushorit të Psg, Blaise Matuidi. 29-vjeçari duket se nuk është në planet e trajnerit të kampionëve të Francës, Unay Emeri dhe nisur nga kjo futbollisti e sheh si alternativë të mirë transferimin tek Juventusi. Nga ana tjetër drejtuesit e klubit parisien kërkojnë për lojtarin 40 milionë euro, shifër kjo shumë e lartë për drejtorin sportiv të bardhezinjve, Beppe Marotta, i cili do të tentojë ta mbyllë marrëveshjen për shumën e 30 milionë eurove.
Për t’ja arritur qëllimit në ndihmë mund të vijë dhe menaxheri i Matuidi, pikërisht Mino Raiola. Gjithashtu në axhendën e Beppe Marotta është parashikuar një takim me menaxherin e Juan Cuadrado. Kolumbiani mund të vazhdojë aventurën e tij tek kampionët e Italisë edhe për një sezon, në formën e huazimit. Vetë kolumbiani e ka shprehur shpesh dëshirën e tij se dëshiron të rikthehet në Torino. Tratativat duket se janë në rrugën e duhur. Një emër tjetër që ka dalë në skenë gjatë orëve të fundit është edhe ai mesfushorit të Woslburg, Luis Gustavo. Për brazilianin ende nuk ka asgjë konkrete, por për Cuadrado dhe Matuidi gjithçka mund të mbyllet në orët në vazhdim.
Ndërkohë, e përditshmja britanike “Telegraph” bën të ditur se drejtuesit e Manchester United po mendojnë t’ia ofrojnë shërbimin e Bastian Schweinsteiger skuadrës kampione të Italisë. Gjithnjë sipas “Telegraph”, “Djajtë e Kuq” dëshirojnë që të përfitojnë diçka nga largimi i 31-vjeçarit në vend që t’i paguajnë ndonjë dëmshpërblim për zgjidhje kontrate, duke parë edhe situatën e krijuar me të pas mbërritjes së Jose Mourinho.
Schweinsteiger prej kohësh po stërvitet me skuadrën e të rinjve të Manchester United dhe nuk është pjesë e planeve të trajnerit portugez. Mësohet se tashmë gjermani ka nisur bisedimet me drejtuesit e klubit anglez për largimin nga “Old Trafford” dhe duket se ka gjetur edhe akordin me “Zonjën e Vjetër” për nënshkrimin e një kontrate 2-vjeçare me pagë 2 milionë euro në sezon.
Juventus ka mposhtur 2-1 Fiorentinën në ndeshjen e dytë të ditës së parë të sezonit të ri të Serie A. Bardhezinjtë kaluan të parët në avantazh me anë të Sami Khedira, që në minutën e ‘37 goditi saktë me kokë një top të krosuar nga e majta. Mysafirët kanë mundur të barazojnë vetëm në pjesën e dytë, në minutën e ‘70, me anë të Kalininç, që devijoi saktë me kokë një goditje këndi nga e djathta. Por gëzimi i tyre ka zgjatur fare pak, pasi 5 minuta më vonë, blerja e re e Juventus, Higuain, i sapofutur në lojë shtyu në rrjetë një grushtim të portierit Tatarusanu, duke e çuar rezultatin në 2-1.