Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat në oborrin e Kuvendit është shprehur se sesioni i ri parlamentar ka nisur me një tjetër bashkëpunim të kooperativës Rama-Berisha.
Basha tha se prej më shumë se një viti demokratët euroatlantikë kanë depozituar në Kuvend disa projektligje si vettingu i politikanëve, heqja e imunitetit të deputetëve, mbështetje për SPAK, mbështetje për Kosovën, ndërsa asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh dhe po mbahen në syrtaret e Kuvendit.
FJALA E PLOTË E KREUT TË PARTISË DEMOKRATIKE-DEMOKRATËT EUROATLANTIKË, LULZIM BASHA, NË OBORRIN E KUVENDIT
Siç e shikoni sesioni i ri Parlamentar nis me një tjetër bashkëpunim të kooperativës Rama-Berisha. Prej më shumë se një viti kemi depozituar në Kuvend ligjin për vettingun e politikanëve. Ky ligj siç e di tashmë çdo shqiptar parashikon kontrollin e thelluar, të përvitshëm të pasurisë së çdo politikani të nivelit të lartë, bëhet fjalë për 140 deputetët, 61 kryetarët e bashkive, të gjithë anëtarët e kabinetit dhe kryeministrin, Presidentin dhe drejtuesit e institucioneve të rëndësishme Kushtetuese dhe të shtetit. Si dhe kontrollin e përvitshëm të pastërtisë të figurës, përfshirë këtu kontaktet e papërshtatshme, përfshirë këtu kontaktet me botën e krimit të organizuar. Në funksion të këtij propozimi, kemi hartuar po kështu një strukturë të fuqizuar të asaj që sot njihet si ILDKPI, në përputhje me praktikat më të mira anti-mafia të Europës.
Në të njëjtën kohë që kemi çuar këtë propozim, këtë projektligj të plotë në Parlament i cili mbahet në syrtar, kemi depozituar edhe propozimin për heqjen e imunitetit të deputetëve. Pra, për të mundësuar që deputetët dhe qytetarët e Republikës së Shqipërisë të jenë të barabartë para ligjit sepse siç e kanë të freskët në kujtesë të gjithë qytetarët shqiptarë, arsyeja e vetme pse Arben Ahmetaj është sot në arrati, është sepse PS e Edi Ramës i dha 2 javë kohë për t’u arratisur pas komunikimit të kërkesës së SPAK për arrestimin e tij. Kjo nuk është as hera e parë, as rasti i vetëm kur deputetët shqiptarë, politikanët shqiptarë me imunitet sfidojnë ligjin, tregohen që janë të barabartë para ligjit duke përfituar nga imuniteti parlamentar që është një mbetje e të kaluarës dhe një fortesë e korrupsionit qeveritar, e korrupsionit politik.
Zhvillimet në rajon e tregojnë se sa e domosdoshme është që Shqipëria të bëj minimumin e asaj që i takon në raport me sigurinë Kombëtare dhe në raport me sigurinë e Kosovës. E megjithatë, ndonëse prej janarit ne kemi dërëzuar një propozim për ndihmë ushtarake vjetore të Republikës së Kosovës, të barabartë me vlerën e parave të shqiptarëve që kjo qeveri i shpenzon për oriendi, për luks dhe për shpenzime qeveritare të pafre dhe të pakontrolluara, prap se prap edhe ky propozim ndodhet i kyçur në syrtar. Asnjë nga bashkëpronarët e kooperativës Rama-Berisha nuk insiston që kjo të futet në agjendën Parlamentare që është tregues tjetër i përputhjes së interesave. Sighrisht interesi kryesor është i Edi Ramës, i qeverisë e cila pothuajse çdo javë kapet në flagrancë korruptive.
Megjithatë ne do vazhdojmë të insistojmë dhe të tregojmë me gisht autorët e këtij bllokimi, kësaj bllokate parlamentare për ligjin për vettingun e politikanëve, për kërkesën për heqjen e imunitetit të parlamentarëve, për ligjin tjetër që kemi dërguar në Kuvend po kështu mbështetjen ndaj SPAK që parashikon buxhet më të madh për Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion, burime më të mëdha njerëzore, ndryshime në kodin e procedurës penale të cilat mundësojnë një bashkëpunim pa pengesa midis SPAK-ut dhe drejtësive Euroatlantike për të vënë para përgjegjësisë politikanët e korruptuar, qeveritarët e korruptuar. Dhe natyrisht edhe për të ngritur zërin tonë për këtë thikë pas shpine ndaj Kosovës në kohën kur ka më shumë nevojë se kurrë për ndihmë. Për mungesën e një ndihme qoftë edhe modeste për Forcat e Armatosura të Kosovës dhe për buxhetin e mbrojtjes së Kosovës.