Superkupa e Gjermanisë dhe Bundesliga, dy trofetë e fituar nga Karlo Ançeloti në sezonin e parë në krye të Bayernit nuk mjaftuan që italiani t’u shpëtonte kritikave. Javën e kaluar “Die Welt” në analizën e saj shkruante se, me Ançelotin Bayerni kishte ndalur procesin e rritjes, ndërsa së fundmi Kicker rendit 7 çështjet më delikate, të cilat 58-vjeçari duhet t’i zgjidhë sa më shpejt për të mos vënë në rrezik sezonin e ri.
E para është çështja Lewandowski. Pak javë më parë sulmuesi polak u shpreh se ishtë zhgënjyer nga fakti se trajneri dhe futbollistët e Bayernit nuk e kishin ndihmuar të shpallej golashënuesi më i mirë i Bundesligës. Kjo deklaratë nuk është pritur mirë në dhomat e zhveshjes së Bayernit. Mbetet për t’u parë nëse Ançeloti do të ndërhyjë apo problemin do ta zgjidhë vetë Lewa me shokët e tij të skuadrës.
Mjaft delikate është edhe situata e Frank Ribery. Francezit nuk i ka pëlqyer që Ançeloti e ka zëvendësuar në disa ndeshje të rëndësishme, si ndaj Realit të Madridit në Champions. Në vitin e 11-të të kampionët në fuqi të Bundesligës, pankina për Ribery mbetet e rëndë. Me një rival të fortë si Coman, 34-vjeçari duhet t’i bëjë mirë llogaritë.
Fundi i sezonit ishte i hidhur edhe për Jerome Boateng. Dëmtimet e shpeshta, por edhe fakti që Ançeloti preferoi në qendër të mbrojtjes Humels dhe Javi Martinez në një ndeshje të rëndësishme siç ishte gjysmëfinalja e Kupës së Gjermanisë ndaj Bayernit e kanë lëkundur humorin e futbollistit të kombëtares gjermane. Blerja e të riut Sule e ka rritur më shumë konkurrencën në mbrojtje, por nëse Jerome ruan qetësinë, askush nuk mund ta konkurrojë.
Duhet zgjidhur edhe çështja “Muller”. Në rreshtimin 4-3-3 nuk mund të jetë pjesë e formacionit, sepse nuk ka karakteristikat e Ryberisë dhe Robenit. Në ndërsa me 4-2-3-1, i preferuari është Thiago. Gjatë sezonit sa sapo u mbyll qëndroi në stol në pjesën më të madhe të ndeshjeve të rëndësishme. Nuk polemizoi, pasi e kuptonte që nuk ishte në formë, por vështirë se do të pranojë të jetë në hije edhe sezonin që vjen.
Nuk duhet nënvlerësuar lamtumira e Lahm dhe e Xabi Alonsos si nga ana taktike edhe për karizmëm e tyre në dhomat e zhveshjes. Ish-kapiteni ishte lider i padiskutueshëm, ndërsa Alonsos nyja lidhte gjermanët me spanjollët. Askush përveç tij nuk kishte mundur t’i kërkonte llogari Vidalit, kur ishte e nevojshme. Atëherë lind pyetja: Cili do të jetë në gjendje të vërë rregull?
Ançeloti shpeshherë është kritikuar për sjelljen e butë me futbollistët. Ndoshta dikush ka përfituar, pasi janë shënuar disa vonesa të papranueshme gjatë seancave stërvitore. Ndoshta Carletto duhet të fillojë të ngrejë zërin.
Dhe në fund është radha e stilit të lojës. Me largimin e Xabi Alonsos, Bayerni ka humbur dirigjentin e orkestrës. Blerja e Tollisso mbulon disi këtë boshllëk, megjithatë diçka do të ndryshojë. Ritmi do të jetë më i lartë, ndoshta me humbjen disi të kontrollit të topit, por me vertikalizime më të shpejta. Pikërisht me këtë stil loje Bayerni i Heynkcens, ishte vrasës në kundërsulm në sezonin e triufmit të trefishtë.