Sezoni turistik në Shqipëri, Zëri i Amerikës: Probleme me mjetet e paligjshme të lundrimit, shkelen standardet e sigurisë

Policia shqiptare po njofton çdo javë gjatë sezonit turistik të këtij viti bllokimin e disa dhjetëra mjeteve të paligjshme të lundrimit në hapësirën detare nga brigjet e Ksamilit në jug, deri në ujrat e Liqenit të Komanit, në veri të vendit.

Sipas të dhënave policore vetëm gjatë muajit korrik në hapësirën detare dhe liqenore të Shqipërisë u bllokuan 137 mjete të paligjshme lundrimi, për cenim të perimetrit të sigurisë të caktuar për lundrim dhe për mungesë dokumentesh.

Po sipas policisë gjatë muajit gusht numri i mjeteve të paligjshme të lundrimit të bllokuara u rrit në 168, ndërsa drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar me masa administrative nga 100 dollarë deri në 1100 dollarë.

Policia thotë se “në shumicën e rasteve të ndërhyrjeve, turistëve ju rrezikohej seriozisht jeta për shkak të prishjes së mjeteve lundruese apo pamundësisë për t’u kthyer në breg për shkak të dallgëve.”

Mjetet e lundrimit të tipeve si “jet ski, skafë, gomone por edhe varka të përshtatura me motor” shërbejnë kryesisht për shëtitje turistike apo për transport të pushuesve drejt plazheve, por sipas operatorëve turistikë jo të gjitha janë të pajisura me dokumentacion për këto shërbime dhe në shumë raste shkelen standardet e sigurisë të vendosura nga policia kufitare dhe bashkitë e qyteteve bregdetare.

Sipas vetë policisë arsyet e bllokimit të mjeteve të lundrimit dhe ndëshkimit të pronarëve me gjoba financiare lidhen me mungesë të masave të sigurisë, mungesë të dokumentacionit dhe lejeve që duhen për transportin e pushuesve.

Në mjaft raste policia ka evidentuar se mjetet e lundrimit nuk kanë që të pajisura me mjetet e shpëtimit, dhe nuk kanë respektuar zonat e përcaktuara për lundrim duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Vetëm gjatë muajve korrik dhe gusht policia shqiptare u ka dhënë ndihmën në hapësirën detare mbi 100 turistëve të cilëve u është rrezikuar jeta dhe kanë kërkuar ndërhyrje për shpëtimin e tyre, të ndodhur në mjete të lundrimit në det apo në zona të bregdetit të bollokuar nga dallgët.

Sipas të dhënave policore shumica e rasteve të ndihmës por edhe mjeteve të lundirmti të bllokuara i përket hapësirës detare nga Vlora në Sarandë.

Ndërkohë edhe këtë vit në Shqipëri nuk kanë munguar vitkimat e incidenteve me mjetet e lundrimit gjate sezonit turistik.

Alban Kukaviqi, 56-vjeçari i plagosur në korrik nga helika e një gomoneje në gjirin e Shën Janit, në Karaburun, ndërroi jetë pak ditë më parë në një spital jashtë vendit./VOA

Artikulli paraprakMiqësoret me Turqinë, trajneri Ahmataj publikon listën e Shqipërisë U-19
Artikulli tjetërTubimet për aksin Thumanë-Kashar, qytetarët paralajmërojnë protestë para Parlamentit