Nga Ilir NIKOLLA
Nuk është aspak e vështirë t’i klasifikojmë zgjedhjet tona të 25 prillit si zgjedhje aspak të zakonshme. Jo veç pandemia e kudogjindshme, por para së gjithash një bllokim i plotë i ushtrimit të demokracisë e bën 25 prillin një rast fatlum, një datë të afërt, një takim me historinë që s’duhet të humbet prej propagandës aq efektive të relativizimit, kësaj propagande që mund të themi se ka qenë kolona kryesore mbajtëse e pushtetit të Edi Ramës.
Në mes të butaforisë së lojtarit “global” dhe pashpirtësisë së pushtetarit lokal, bilanci në vigjilje të zgjedhjeve për mazhorancën kuptohet lehtë se është një faliment i përgjithshëm. Lojtarin “global” Rama e lanë në bisht bash atëhere kur propagandës i duhej të regjistronte qoftë edhe një rezultat të vetëm, e lanë në bisht për çështjen e vaksinave. Asgjë s’vlejnë shkrimet e paguara që e krahasojnë Edi Ramën mes Turqisë e Greqisë si dikur Ali Pashën mes fuqive të mëdha.
Tani shqiptarët po e provojnë në kurriz, se edhe kur bota aplikon zgjidhje globale, edhe kur synon njëfarësoj barazie për të gjithë në shpërndarjen e vaksinave, qeveria e “liderit global” s’arrin të bëhet pjesë. Gënjeshtrat mbi vaksinat klandestine të fillimjanarit dhe konferencat me dihatje të kryeministrit javën e fundit, me premtimin “mezi po duroj sa të jap lajmin se vaksinat do të vijnë”, po demaskohen çdo ditë në terren nga shifrat katastrofike të të infektuarve, të të shtruarve në spital dhe të viktimave prej koronavirusit. 5 mijë të vdekur shtesë në statistikat e vitit të shkuar janë një gur shumë i rëndë për t’u kaluar me shprehjen “s’dihet arsyeja pse janë kaq shumë, por s’është provuar se vdiqën prej virusit”.
Analistët pranë Edi Ramës po kapen si të mbyturit pas fijes së barit, duke deklamuar lart e poshtë e si robotë të porositur, se asgjë s’do të ndryshojë me 25 prill, pasi të gjitha palët janë njësoj e se shqiptarët janë mësuar të bashkëjetojnë me të keqen, prandaj do të zënë hundët dhe do të rivotojnë për kryeministrin. Në ndihmë të këtij “fatalizmi” qatipët e kryeministrit kanë trazuar shkrime të vjetra të Konicës, Fishtës, Çajupit e rilindasve të tjerë, shkrime të cilat e dimë se në ç’kohë u shkruan e për ç’arsye. Synimi është të shkurajohet vullneti për ndryshim, pasi kështu do të ishte më e thjeshtë të kapërdihej edhe çfarëdo rasti që do verifikohej si manipulim i votës. Të mësuarit me të keqen s’do të thotë domosdo se do mësohesh edhe të të vjedhin votën, edhe të të heqin të drejtat të bësh tregti e të lëvizësh i lirë nëpër qytet, edhe të të rrahin larot e deputetit të zonës, veç se ke qenë aktiv në mbrojtje të pronës e të shtëpisë tënde.
25 prilli është një rast i afërt për të konfirmuar se të keqen e kemi duruar, por s’jemi mësuar me të dhe të keqes nuk i japim kurrfarë vlere morale. 25 prilli është një rast për të treguar se hajduti mund t’ja hedhë shtetit e drejtësisë, se mund të ketë edhe ndihmën e pushtetit, por se kurrë me vullnet të lirë s’do të ketë votën e shqiptarit. Njësoj edhe për dallkaukun, dhunuesin e mashtruesin. Të përballesh me të keqen është një ushtrim që duhet ta bëjmë vetëm. Në ardhtë ndonjë ndihmë nga jashtë, është e mirëseardhur, por të shumtën e punës, shqiptarët duhet ta bëjnë vetë. Detyrimi ynë kombëtar është izolimi i keqbërësve dhe shpallja hapur e vullnetit për ndryshim. Këtij detyrimi duhet t’i dalim në takim me 25 prill, si blatim për përpjekjet e rilindasve të vërtetë për ta rikthyer Shqipërinë në Perëndim, por edhe si premtim se demokracia shqiptarë s’është më aq e brishtë sa thuhet e se asnjëherë në të ardhmen, s’do të lejohet që xhahili të bëhet mbret e qehajallarët të ndajnë pushtet.
Sfida e ndarjes së shtetit nga hajnia s’është një betejë e re, atë e kanë fituar shumë demokraci më të vjetra se ne dhe sot renditen ndër shtetet me mbrothësi, prandaj s’ka pse 25 prilli të mos përjetohet si një sfidë për çlirimin e shtetit nga segmentet e hajdutërisë.