Bujar NISHANI
Shpallja e të Drejtës për Zhvillim si e drejtë e patjetërsueshme e njeriut sipas së cilës të gjithë njerëzit kanë të drejtë të marrin pjesë e të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe politik në të cilin të gjitha të drejtat themelore të njeriut dhe liria mund të përmbushen plotësisht, është një parim sa njerëzor aq dhe universal, i cili duke theksuar me përparësi mirëqenien e individit, e angazhon me më shumë përgjegjësi politikëbërjen e vendeve tona.
Viti 2016 shënon 30-vjetorin e Deklaratës që mundëson çdokënd të gëzojë të drejtën për të qenë pjesëmarrës e për të kontribuuar në zhvillimet botërore. Megjithatë ende është shumë i madh numri i fëmijëve, burrave e grave, aktorë dhe faktorë të zhvillimit, që jetojnë çdo ditë me nevojën e madhe të realizimit të të drejtës së tyre për dinjitet, liri, barazi shansesh, çka përkthehet direkt në përballimin e një sërë sfidash bashkëkohore dhe mbrojtjen e një numri të drejtash civile, politike, ekonomike, sociale e kulturore.
Shqipëria ka qenë e gatshme për të plotësuar angazhimet që rrodhën nga nënshkrimi i Deklaratës së Mijëvjeçarit. Institucionet shtetërore shqiptare janë të përfshira në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke e reflektuar këtë angazhim në miratimin e një agjende zhvillimi, në “Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020”, si dokument i rëndësishëm që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor të vendit.
Shqipëria vazhdon të ndërmarrë në vazhdimësi reforma institucionale, ligjore, ekonomike për përmbushjen e të drejtës së qytetarëve shqiptarë për një jetë me sa më shumë dinjitet, me kushte, liri dhe mundësi të barabarta për këdo, duke synuar zhvillimin e vendit, ku më jetikja e miratuar së fundmi ka qenë ajo në fushën e Drejtësisë.
Gjithashtu, vendi im është i angazhuar dhe jep një kontribut të qenësishëm në forcimin e marrëdhënieve shumëpalëshe rajonale. Shqipëria nxit seriozisht procesin e bashkëpunimit rajonal duke qenë pjesëtare aktive në të gjitha nismat që veprojnë në rajonin e Evropës Juglindore. Ne besojmë se ky angazhim i shërben jo vetëm promovimit të fqinjësisë së mirë, forcimit të sigurisë dhe stabilitetit midis vendeve të rajonit, por edhe zhvillimit të vendeve tona, si rrjedhojë përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë.
Ne besojmë se sfidat aktuale me të cilat përballemi sot, si: lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar, korrupsionit, etj., mund të përballohen vetëm duke forcuar partneritetin dhe bashkëpunimin midis vendeve tona.
Ndaj dhe e Drejta për Zhvillim përbën një motivim shumë të mirë për të lidhur strategjitë e zhvillimit në një qasje të të drejtave të njeriut bazuar në zhvillimin e tij, çka do ta bënte këtë të Drejtë një realitet të prekshëm për të gjithë.
Shqipëria vazhdon të mbetet e angazhuar për të bashkëpunuar në përmirësimin dhe implementimin e së Drejtës për Zhvillim, si një detyrim i patjetërsueshëm dhe përgjegjësi thelbësore ndaj qytetarëve të vendeve tona.
Duke përfituar nga rasti i kësaj veprimtarie kaq të rëndësishme plenare, urojmë suksese në vijimësi për të paraqitur dhe ndarë bashkërisht praktikat më të mira, përvojën e vyer, ide dhe sugjerime të vlefshme se si mund të zhvillojmë më tej përparimin e ta masim atë në vazhdimësi.