Sfidat reale dhe imagjinare të Arktikut

Studiuesit rusë Igor Zonn dhe Sergey Zhiltsov, autorët e librit të ri “Vrulli drejt Arktikut”, janë përqendruar në rajonalizimin e detit, një fushë kërkimore tepër e famshme për vendet perëndimore, por që në Rusi ka mbetur disi në hije. Ata e çojnë lexuesin përmes një labirinti problemesh, të cilat janë shfaqur vitet e fundit në rajonin e Arktikut. Ekspertët janë përqendruar në disa nga çështjet më kryesore si përcaktimi i zonës ruse në Arktik, promovimi i Rrugës Veriore Detare, si dhe perspektivat e nxjerrjes së naftës dhe krijimit të depozitave të gazit. Ata nuk kanë lënë pas dore gjithashtu statusin ligjor ndërkombëtar për territorin Arktik.
Ata flasin për militarizimin e shpejtë të rajonit dhe për mbrojtjen e ambientit të ndjeshëm detar që e rrethon atë. Tema kryesore e të gjithë librit është bindja se komponentët kryesorë, të cilët do të zhvillojnë të gjitha aktivitetet në Arktik, do të jenë aspiratat për të përfituar nga rezervat e gazit dhe naftës.

Rusia në Arktik

Pjesa më e madhe e librit analizon ambiciet e Rusisë, si dhe realitetin e politikës në Arktik. Autorët paraqesin një përshkrim të detajuar të rrethanave që karakterizojnë politikën ruse për çështjen e Arktikut. Rusia ka qenë e para ajo që vendosi të ngulë flamurin në fund të Oqeanit të Arktikut, duke u bërë kështu një katalizatore e konkurrencës në Arktik, një garë të cilës i janë bashkuar shumë e shumë vende të tjera që atëherë.
Mungesa e potencialit shkencor dhe teknologjik për shfrytëzimin e burimeve natyrore të Arktikut pavarësisht dëshirës së madhe dhe kompeticionit intesiv që po paraqet në rajon, e vendos Rusinë në një pozicion delikat. Çdo masë populiste mund ta dëmtonte shtetin dhe interesat kombëtare. Shkencëtarët janë të bindur se lufta për supermaci në Arktik do të jetë në fund një garë teknologjie mes shteteve.
“Vendet që do të paraqesin të parët zgjidhje të reja dhe adeguate teknologjike do të jenë ato që do të fitojnë garën për hidrokarbon”, thonë shkencëtarët. Një element i rëndësishëm i garës në Arktik është edhe zhvillimi i Rrugës Veriore Detare, çështje tepër kritike për Rusinë. Krijimi i kësaj rruge ka ndeshur në jo pak sfida dhe aksidente statistikore nga më të ndryshmet. Çështjet ekonomike dhe ndërkombëtare që duhet të adresohen janë të shumta para se ajo të kthehet në një rrugë të vërtetë operative.

Shtetet e Bashkuara në Arktik

Shkencëtarët Zonn dhe Zhiltsov janë ndalur gjatë në politikën e Shteteve të Bashkuara drejt përcaktimit të statusit ligjor ndërkombëtar për territoret arktike. Ata theksojnë se Washington-it i intereson tejmase ndërkombëtarizimi i Arktikut përtej zonës prej 200 miljesh të vendeve që e rrethojnë atë. Ky interes natyrisht i atribuohet nivelit të lartë të teknologjisë së zhvillimit të hidrokarbureve, si dhe eksperiencës së gjatë të Shteteve të Bashkuara në nxjerrjen e naftës nga thellësi të mëdha detare.
Shtetet e Bashkuara pretendojnë se Këshilli i Arktikut duhet të jetë një institucion ndërkombëtar dhe shpresa për të anëtarësuar gjithashtu Kinën, Japoninë, Indinë dhe Korenë e Jugut në sfidën e shfrytëzimit të burimeve natyrore të Arktikut, është një temë që ka hasur jo pak diskutime.

Kërcënimet reale dhe imagjinare

Shkencëtarët gjithashtu janë zhytur në disa trende paradoksale siç është ekspansioni i vazhdueshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar për çështjen e Arktikut, i cili karakterizohet nga rritja e prezencës ushtarake, detare dhe ajrore në shtetet që rrethojnë këtë zonë.
Zonn dhe Zhiltsov janë të bindur se këto përgatitje ushtarake tregojnë qartë se shtetet arktike janë duke u bërë gati për konflikte potenciale, ndoshta edhe të dhunshme, në të ardhmen. Konfliktet nuk janë aq të pamundura duke patur parasysh burimet e jashtëzakonshme natyrore të zonës së Arktikut si energji, ujë dhe pasuri biologjike, duke mos harruar mundësitë e reja të transportit që mund të hapen. Shkencëtarët mendojnë se Deti i Veriut, Deti Barent, Lomonosov dhe Spitsbergen mund të kthehen së shpejti arena të operacioneve ushtarake.
Këto shqetësime mund të duken të ekzagjeruara. Edhe pse përgatitja ushtarake është duke u bërë gjithnjë e më aktive dhe Rusia ka shumë arsye të kërkojë mospërfshirjen e NATO-s në zgjidhjen e çështjes së Arktikut, përpjekjet aktuale për ndërtimin e potencialit ushtarak në rajon kanë objektiva tërësisht të ndryshme. Ndryshimi klimaterik që po shkakton shkrirjen e Arktikut mund të jenë një nga arsyet kryesore që ka shtyrë gjithnjë e më shumë shtete që të bashkëpunojnë për zhvillimin e aktiviteteve detare në rajon.
Mbrojtja e kufijve shtetërorë, menaxhimi i lundrimit, përpjekjet për të luftuar peshkimin e jashtëligjshëm, mbrojtja e vendeve të pasura me naftë dhe gaz, të gjitha kërkojnë rritje të prezencës së forcave të fuqishme detare dhe kufitare. Konflikti mes vendeve që pretendojnë Arktikun lidhur me pasuritë natyrore aktualisht duket i ekzagjeruar, por mbrojtja e rajonit ndaj pretendimeve të padrejta të shteteve të tjera mund të jetë më reale.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version